Bylis reziston 119 minuta me një lojtar më pak, por dorëzohet në fund. Kurbinasit në histori
Altin Manallari
Një “golden gol” në minutën e 120 fut në histori Laçin dhe kompleton dramën e Bylisit që rezistoi për 119 minuta (100 prej të cilave me një lojtar më pak), por iu dorëzua humbjes 1-0 vetëm në minutën e fundit. Tifozë të shumtë të të dyja skuadrave kanë krijuar vërtet një atmosferë fantastike në tribunat e “Qemal Stafës”. Minutat e para të ndeshjes janë të tensionuara, pasi presioni te të dyja skuadrat është i dukshëm. Ndërhyrjet e shumta dhe të ashpra kanë karakterizuar pjesën e parë të ndeshjes. Rasti i vetëm i 45 minutave të para është ai i minutës së 8 për Laçin, ku gjuajtja e Shazivarit përfundon jashtë, shumë pranë shtyllës së portës. Në minutën e 20, Arifaj simulon në zonë dhe merr kartonin e dytë të verdhë, rrjedhimisht i kuq, duke i lënë me 10 lojtarë ballshiotët. Shensoji proteston fort te gjyqtari i katërt, por kjo nuk e ndryshon vendimin. Bylisi e administroi mirë situatën, edhe pse me një lojtar më pak. Gjithsesi duhet thënë se 45 minutave të para u mungoi loja cilësore. Pjesa e dytë është më emocionuese, me të dyja skuadrat që e kërkojnë më shumë golin. Në minutën e 54-t, Laçi është i pafat, Emrullahi driblon portierin Frashëri, por gjuajtja e tij në një pozicion të prirët, me portën e boshatisur, përplaset vetëm në anën e jashtme të shtyllës së majtë. Bylisi luan si e barabartë në fushë, ndërton disa aksione, por mungojnë rastet konkrete për shënim. Në minutat e fundit duket se fillon të ndihet mangësia e një lojtari në krahasim me kundërshtarin. Laçianët i mbyllin në mbrojtje ballshiotët dhe insistojnë në kërkim të golit, të cilit i shkuan shumë pranë në minutën e 75, kur gjuajtja e Vucajt u ndal vetëm nga një mrekulli e portierit Frashëri. Ndërsa për të parë rastin e parë të mirë të Bylisit duhet të presim minutën e 84-t, kur Piter mund të kishte shënuar, nëse do të kishte arritur të devijonte me kokë një top nga një distancë 2 metra larg portës. Koha e rregullt nuk mjafton për të përcaktuar fituesin dhe ekipet i drejtohen kohës suplementare. Me gjithë përpjekjen e dy ekipeve, 15 minutëshi i parë dhuron shumë lojë, por jo raste. Edhe i dyti është thuajse i njëjtë, por kishte ruajtur për në fund dramën: Bylisi rezistoi me 10 lojtarë për 119 minuta, por në të 120-n ndëshkohet: nga një goditje dënimi topi futet në zonë, Emiliano Çela shtrin këmbën dhe e çon në rrjetë për golin e 1-0. Goditje fatale për Bylisin, por historike për Laçin, që rrëmbeu kështu trofeun e parë.