Dëshmitë në Policinë e Shkodrës: Kaluam kufirin në këmbë. Paratë i mblodhëm me kursime


Ardi Bushi



Vetëdorëzohen në Policinë e Malit të Zi, tre fëmijët e zhdukur dy ditë më parë në fshatin Fushë Milot, të Rrethit të Kurbinit. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Lezhës, ata janë kapur në një lokal në Tivar të Malit të Zi. Të tre adoleshentët janë gjetur dje rreth orës 03:00 të mëngjesit. Sipas informacionit që i është përcjellë nga homologët malazezë, R.Murati, E.Hidri dhe K.Shabani janë gjetur shëndosh e mirë në qytetin e Tivarit në një lokal. Ata janë marrë në pyetje nga policia malazeze dhe dje, rreth orës 13:00, janë përcjellë për në pikën kufitare të Muriqanit, nga policia malazeze, e cila jua ka dorëzuar homologëve shqiptarë. Prej andej, policia shqiptare i ka dërguar tre adoleshentët në Komisariatin e Policisë së Shkodrës duke i marrë edhe në pyetje. Në dëshminë e tyre, fëmijët kishin vendosur vetë të vizitonin Malin e Zi. Dhe, pasi i kanë hipur një makine në autostradën në Fushë Milot, kanë mbërritur më pas në pikën kufitare të Hanit të Hotit dhe më pas kanë kaluar përmes malit deri në Podgoricë. Sipas policisë, prej andej, tre adoleshentët me anë të një autoveture kanë ikur në Tivar. Ndërsa nuk kanë pasur më para për të udhëtuar, të mbetur në mes të rrugëve, ata kanë vendosur të vetëdorëzohen tek Policia e Malit të Zi, pasi pas mesit të natës kanë nisur edhe të frikësoheshin akoma më shumë, pasi kanë mbetur jashtë. Pasi janë vetëdorëzuar në Policinë e Tivarit dhe pas verifikimeve është bërë dhe transportimi i tre adoleshentëve për në pikën kufitare të Muriqanit, ku u pritën nga një grup hetimor dhe familjarët e tyre. Fëmijët këmbëngulin se gjithçka e kanë realizuar me dëshirën e tyre dhe largimin drejt Malit të Zi ata e kishin paramenduar kohë më parë. Ata kishin nisur të thurnin planet që para një muaji, duke kursyer paratë që merrnin për t’i prishur në shkollë dhe pasi kishin grumbulluar të ardhurat e mjaftueshme sipas tyre, kanë nisur aventurën, e cila nuk ka zgjatur shumë. Ata mohojnë në mënyrë kategorike t’i ketë mashtruar apo grabitur njeri. Sipas tyre, destinacioni përfundimtar do të ishte Italia. Gjatë bisedës, sipas tyre, më të rritur, kishin mësuar se kalohej edhe nëpërmjet Malit të Zi, në Slloveni e më pas në Itali. Këtë, sipas tyre, do ta arrinin nëse kishin para dhe do dinin gjuhën, por kanë qenë pikërisht këto arsyet që kanë vendosur të vetëdorëzohen.


Tre adoleshentët janë larguar dy ditë më parë nga shkolla, ku mësonin në Fushë Milot, rreth orës 11:00. Ndërsa ata kanë fshehur çantat e librave, në afërsi të Urës së Milotit, kanë mundur të ngjiten në një furgon e më pas kanë përfunduar në pikën e kalimit kufitar të Hanit të Hotit. Sipas policisë, R.Murati kishte qenë edhe më parë në Malin e Zi me prindërit e tij. Një nga baballarët e fëmijëve tha se “falënderoi policinë për reagimin e menjëhershëm të saj dhe të shpejtë. Më vjen mirë që fëmijët nuk kanë pësuar asnjë dhunë fizike dhe nuk janë rrëmbyer nga dikush, që të mund të mendoj për një rrëmbim të qëllimshëm të tyre. Do përpiqem të mësoj gjatë ditëve arsyet e largimit të tyre, pasi momentalisht, djali si dhe dy shokët e tyre janë të trembur dhe po merren në pyetje nga ana e policisë”.


 


 


Fëmijët


R.Murati, 14 vjeç, banues në Fushë-Milot, Kurbin


K.Shabani, 14 vjeç, banues në Fushë-Milot, Kurbin


E.Hidri, 14 vjeç, banues në Fushë Milot, Kurbin