Fleta e votimit, PS-ja është numri 29, PD-ja 43

KQZ-ja po synon të ndryshojë formatimin përfundimtar të fletës

BLEDAR HOTI

lista partiveKomisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përcaktuar në mënyrë finale emrat e partive politike që do të renditen në fletën e votimit me datën 23 qershor. Fillimisht është hedhur shorti për çështjen e renditjes së partive dhe koalicioneve politike dhe më pas u realizua renditja e partive brenda dy koalicioneve “Aleanca për Shqipërinë Europiane” dhe “Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim”. Partia për Drejtësi dhe Progres e Elmaz Sherifit do të mbajë numrin një të fletës së votimit. E dyta është subjekti zgjedhor Partia Popullore Kristian-Demokrate e Shqipërisë. Më pas renditet koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Europiane” i udhëhequr nga PS-ja, ndërsa më pas renditet koalicioni i PD-së, “Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim”. Në renditjen e partive brenda koalicionit vihet re se Partia Socialiste, në zgjedhjet e 23 qershorit, do të renditet e 29-a në fletën e votimit. Aleanca Popullore është partia e parë e koalicionit të majtë. LSI-ja renditet e 26-a në listën e votimit. Pas renditjes së 39 partive politike, ku dy janë jo në koalicion, vjen renditja e koalicionit të djathtë politik, ku nis me Partinë Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet, të Gaqo Apostolit, me numrin 40. PD-ja renditet e 43-a, PR-ja e 45-a, LZHK-ja e 49-a, PDK-ja e 54-a, PAA-ja e 62-a. Dy partitë e krijuar së fundmi në skenën politike shqiptare renditen të fundit. Aleanca Kuqezi është e 65-a në listën e fletës së votimit. Ndërsa Fryma e Re Demokratike e ish-presidentit Bamir Topi renditet e 66-a në listë, duke mbyllur fletën e votimit. Në short kanë qenë përfaqësuesit e partive politike që kanë tërhequr goglat për renditjen e partive dhe koalicioneve politike në fletën e votimit. Në mungesë të tyre kanë qenë pjesëtarët e administratës së KQZ-së që kanë tërhequr goglat. Ndërkohë që në fletën paraprake ku renditen partitë politike vihet re se partitë e shkuara nga administrata e KQZ-së nuk janë, sipas atyre, ato që ka miratuar gjykata. Përfaqësuesit e PS-së shprehen se me këtë renditje nuk ka më mundësi që të ndryshohet renditja e partive politike. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte të përcaktuar në rendin e ditës që të shqyrtonte dhe aktin “Për disa ndryshime në vendimin e KQZ-së, nr.23, datë 05.02.2013, ‘Për miratimin e modelit dhe specifikimeve teknike të fletës të votimit, për zgjedhjet e Kuvendit të datës 23 qershor 2013’”. Por moshartimi në kohë i fletës që do të përdoret në zgjedhjet e 23 qershorit bëri që KQZ-ja ta shtyjë për të hënën vendimin. Pas mbledhjes, kryekomisionerja Lefterije Lleshi është ulur për t’u konsultuar me përfaqësuesin e PS-së, Genci Gjonçaj, për të diskutuar në lidhje me modelin e fletës së votimit. Mësohet se lista e gjatë e partive politike që garojnë në këto votime ka vënë në vështirësi administratën e KQZ-së për të realizuar një fletë votimi sipas formatit A3. Po shqyrtohet mundësia e heqjes së logos së fletës së votimit, si dhe hapësira për përcaktimin e numrit të qendrave të votimit. Kjo gjë pritet të sjellë debate mes partive politike. Në këto zgjedhje garojnë 66 parti politike. Katër subjekte garojnë vetëm, ndërsa të tjerat janë të rreshtuara në dy koalicionet që janë të rreshtuara në të majtën dhe të djathtën që udhëhiqen nga PS-ja dhe PD-ja. Pra janë 62 partitë politike që konkurrojnë në koalicionet “Aleanca për Shqipërinë Europiane” dhe për “Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim”. Fletës së votimit mund t’i shtohen edhe kandidatët e pavarur, si në Vlorë.

 

 

Hapat

66 parti - Në fletën finale të KQZ-së, sipas shortit të hedhur së fundmi, do të renditen 66 parti politike, që do të konkurrojnë në zgjedhjet e 23 qershorit të këtij viti

PD, e 43-a - Partia Demokratike e Shqipërisë, edhe pse kryeson koalicionin e saj të djathtë, në fletën e votimit do të renditet e 43-a. PD-ja ka si koalicion 25 parti politike

PS, e 29-a - Partia Socialiste renditet më sipër nga PD-ja në fletën e votimit. Ajo do të jetë e 29-a në fletë. Koalicioni i majtë ka gjithsej 37 parti politike në këto votime

FRD-ja e Topit - Fryma e Re Demokratike, e udhëhequr nga ish-presidenti Bamir Topi, do të renditet e fundit në fletën e votimit. Numri i FRD-së në fletën e votimit do të jetë 66

AK-ja e Spahiut - Aleanca Kuqezi, e drejtuar nga Kreshnik Spahiu, do të renditet e 65-a në fletën e votimit për zgjedhjet e 23 qershorit. Dy partitë e reja u lanë në fund të fletës

 

Akreditohen vëzhguesit e ODIHR-it

KQZ-ja ka shqyrtuar “Për miratimin e vëzhguesve të misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve për Kuvend, të datë 23 qershor 2013”. KQZ-ja vendosi të akreditojë 42 vëzhgues afatgjatë të MVZ OSBE/ODIHR për vëzhgimin e procesit zgjedhor për zgjedhjet për Kuvend, të datës 23 qershor 2013.

Autor te 18 Maj 2013. Kryesoret, Politikë, Shqipëria voton 2013. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • Aida

    Fryma e re Demokratike mban nr 66 . Ky nr konsiderohet fat . megjithate si do qe te jet nr ka pak rendesi . vota esht e sigurt . por nuk e kuptoj arsyen se pse PD e ka shkelur ligjin dhe e ka ndryshuar nr . Mendoj se arsyeja esht se do te inditifikohet vetem mbas nje nr dhe jo mbas meritave