Kolegji Zgjedhor
Në kohën që në Kolegjin Zgjedhor pritet të ketë si gjithmonë fluks ankesash kundër vendimeve të KQZ-së, kryetari i Gjykatës së Apelit u bën thirrje partive që të fusin prova në dosjet e tyre dhe jo akuza politike ndaj anëtarëve të Kolegjit. “Mirë është që në fakt të gjithë faktorët në Shqipëri duhet të mësojnë se çështjet zgjidhen në gjykatë. Fakti që zgjidhen në gjykatë marrin formë të prerë në gjykatë dhe nuk ka diskutime pas shprehjes së vendimit. Nëse kanë pretendime palët, duhet që të bëjnë një punë paraprake me avokatët e tyre, që të dinë t’i përcjellin gjykatës të gjitha faktet dhe provat”, thotë Alaudin Malaj, kryetari i Gjykatës së Apelit. Për median, numri një i Gjykatës së Apelit u shpreh se “Gjykata e Apelit për Krime të Rënda ka dalë jashtë funksionit, pasi dosjet e saj po i gjykojnë gjyqtarët e Apelit të zakonshëm. Gjykatat e Krimeve të Rënda sot në Shqipëri kanë dalë jashtë funksionit”. Po ashtu, kryetari i gjykatës u bashkua me idenë e Presidentit Bujar Nishani që jo për të gjitha rekurset qytetarët të kenë të drejtën t’i drejtohen Gjykatës së Lartë, një ide kjo që së fundmi ka hasur në kundërshtimet e disa anëtarëve të Gjykatës së Lartë. “Unë jam i idesë që nuk duhet të shkojnë të gjitha rekurset në Gjykatën e Lartë. Një pjesë e madhe e çështjeve nuk kanë asnjë arsye juridike për të shkuar në Gjykatën e Lartë. Kjo është e drejtë e Kuvendit, i cili duhet të marrë masa për të parandaluar gjykimin e çështjeve në shumë shkallë”, tha Malaj. Nëse KQZ-ja nuk plotësohet me 7 anëtarë, Kolegji Zgjedhor pritet të përballet dhe me shqyrtimin e atyre akteve që kërkojnë një shumicë të cilësuar të votave. Ndërkohë që një tjetër çështje që Kolegji duhet të shqyrtojë, janë edhe ankimimet e partive për refuzimin e listave të zgjedhësve. KQZ-ja ka paditur një parti, për shkak se ka futur në lista më shumë gra sesa burra. Partia Popullore Kristiandemokrate është gjobitur nga KQZ-ja me 8 milionë lekë, pikërisht për diskriminimin e burrave. Por kreu i kësaj partie thotë se kjo është një përllogaritje e gabuar nga ana e KQZ-së dhe për këtë arsye ai ka depozituar një ankesë në Kolegjin Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit, kërkesë-padi e cila pritet të shqyrtohet së shpejti.