Alarmi 


Specialistët: Shkatërron biosistemin natyror. Reagimi i banorëve: Kemi kosto të madhe


Zonat – Në zonat ku tokat janë 70% zallë, zona ku kultivohet sherbela ka një masivitet të kultivimit të kësaj bime


Kultivimi – Aktualisht, në Malësinë e Madhe janë 1001 projektet që presin subvencion nga shteti dhe janë 2200 ha tokë e kultivuar


Ardi Hoti


sherebel shkoder1_1Zona e Malësisë së Madhe, prej disa vitesh është kthyer në një nga zonat më të mëdha të kultivimit të bimëve mjekësore dhe kryesisht të sherbelës. Aktualisht janë mbi 2 mijë ha toka në këtë rreth që janë të kultivuara vetëm me sherbelë. Por kultivimi në masë i kësaj bime për ekspertët, përveç anëve pozitive, po nxjerr në dukje edhe disa anë negative të këtij procesi, që lidhet direkt me mënyrën se si fermerët e kultivojnë këtë bimë. Ajo që është shqetësuese për ekspertët, është fakti se fidanët e sherbelës janë duke u shkulur me rrënjë nga malet, duke krijuar kështu një shkatërrim dhe shkretim të habitatit natyror dhe të biosistemit natyror. Fermerët, për të mos blerë fidanë dhe pse subvencionohen, kanë gjetur një rrugë më ekonomike për ta marrë falas fidanin, duke e shkulur me rrënjë. Për ekspertët, kjo nuk duhet të ndodhë, ndërsa fermerët, nga ana e tyre, shprehen se i gjithë kultivimi ka një kosto që ul ndjeshëm fitimin dhe gjithçka bëhet për shkak të kushteve ekonomike, “pamundësia për ta blerë na detyron të shkojmë në mal për ta marrë”, shprehen fermerët. Eksperti i Agjencisë së Transferimit të Teknologjisë, profesor Kostandin Hajkola, vëren tri elemente për të cilat duhet pasur kujdes, që janë: shkretimi i habitatit natyror, duke e shkulur me rrënjë sherbelën nga malet, mbingopje të tregut me sherbelë dhe diferenca në cilësi mes sherbelës së kultivuar dhe asaj në habitat natyror në masën 12%. Në një prononcim për gazetën, prof. Kostandin Hajkola shprehet: “Duhet të kemi parasysh pikë së pari që po ndodh një fenomen i pakëndshëm, po shkulet me rrënjë sherbela nga malet, nga habitatet natyrore. Duke e shkulur me rrënjë, jo vetëm që i bëjmë dëm ambientit, por dhe biosistemit, pasi duke i hequr me rrënjë këto habitate zhduken dhe madje mund të zëvendësohen me disa habitate të panevojshme. Nga ana tjetër, vërtet shteti subvencion sherbelën dhe ka rritur interesin për kultivim nga ana e fermerëve, por nuk dimë se në çfarë niveli e kemi tregun.


sherebel shkoder


Ne sot kemi 2200 ha të mbjella me sherbelë në Malësinë e Madhe, kemi dyfishim të prodhimit, por a e kemi të sigurt tregun, pasi të gjithë po kultivojnë sherbelë. Ne kemi mundësi të kultivojmë dhe shumë bimë të tjera mjekësore, si livanda, rozmarinë, boronicë etj., që kanë shumë fitim dhe treg të sigurt, ndaj nuk duhet të përqendrohemi të gjithë te sherbela. Nga ana tjetër, sherbela e kultivuar dhe ajo që është marrë nga habitati natyror dhe është kultivuar në një terren tjetër, ka 10 deri 12% cilësi më pak se sherbela në habitatin natyror. Tjetër favor që ne kemi, është cilësia shumë më e mirë e sherbelës se ekotipat e rajonit. Ne si institucion kemi punuar dhe vazhdojmë të punojmë me fermerët duke i dhënë një ndihmesë të madhe nga ana teknike dhe këshillimore në proceset e kultivimit që ato të mos gabojnë”.


Ndërkohë, ajo që konstatohet në terren në Malësi të Madhe, është fakti se në zonat ku tokat janë 70% zallë, zona ku kultivohet sherbela, ka një masivitet të kultivimit të kësaj bime. Aktualisht në Malësinë e Madhe janë 1001 projekte që presin subvencion nga shteti dhe janë 2200 ha tokë e kultivuar me sherbelë. Viti 2013 përbën dhe periudhën rekord të kultivimit me sherbelë, por, nga ana tjetër, përbën dhe periudhën kur është dëmtuar më shumë se kurrë habitati natyror, pasi pothuajse pjesa më e madhe e fermerëve e kanë marrë fidanin për mbjellje duke e shkulur me rrënjë në male. Një fidan sherbele kushton 5 lekë të reja dhe një dynym kërkon 5600 fidanë, e konvertuar me lekë i bie që duhen 25 mijë lekë të reja fidanë për një dynym tokë. Ndërsa subvencioni nga shteti për një dynym është 20 mijë lekë të reja. Pavarësisht se dhe po ta blejnë fidanin dhe të mos e shkulin në male, fermerët nuk rezultojnë të dalin me ndonjë humbje të madhe, sërish fermerët e justifikojnë këtë situatë me koston e mirëmbajtjes dhe punëtorët që duhen punësuar. Një nga fermerët shprehet se është e vërtetë se shteti paguan subvencion, por nuk e justifikojnë 20 mijë lekë të reja për dynym, në një kohë që punëtori paguhet 10 euro në ditë, pasi nuk ia dilet të mirëmbahet 10 dynymë pa punëtorë dhe këto shpenzime i detyrojnë fermerët të marrin fidanë në male. Më tej, fermeri shprehet se përveç anës ekonomike, është dhe cilësia tepër e mirë që ka fidani i sherbelës në habitatin natyror në male, pasi rezulton të jetë cilësia e sherbelës më e mira në rajon. Fitimet nga sherbela vazhdojnë të joshin gjithnjë e më shumë fermerët në Malësi të Madhe. Vetëm nga një dynym sherbelë arrihet të merret 300 kg sherbelë dhe tregu i saj është nga 1 deri në 2 euro për kg.