Ndërkombëtarët
“Rezultati duhet të pranohet nga të gjithë”
Parlamenti Europian dhe Këshilli i Europës kanë vazhduar ta cilësojnë krizën e KQZ-së si një çështje që është në kufijtë e shkeljes së ligjit. Si reporteri i Këshillit të Europës, për Shqipërinë, Jonathan Evans, ashtu edhe eurodeputeti gjerman, Knut Fleckenstein, kanë gozhduar mazhorancën për çështjet e standardit të zgjedhjeve.
Evans
Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, raportuesi i KiE-së për Shqipërinë, Jonathan Evens, deklaroi se “mesazhi ynë për partitë politike në Shqipëri ishte që vizita jonë përkoi me trazira politike të rëndësishme, për shkak të ndryshimeve të bëra në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ishte zhgënjyese që ndryshimet ndodhën në atë kohë, pasi takimi ynë i parë ishte me vetë KQZ-në.
Kriza e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka të bëjë pikërisht me çështjen thelbësore të pranimit ose jo të rezultatit nga ana e partive politike. Kjo është shumë e rëndësishme, sidomos duke pasur parasysh historinë në Shqipëri. Siç e dini, pas zgjedhjeve të fundit, një nga partitë politike kryesore refuzoi të zinte vendet e saj në Parlament, për shkak të mosnjohjes së rezultatit të zgjedhjeve. Duhet thënë gjithashtu se këto janë zgjedhje të një rëndësie vendimtare për Shqipërinë, sa i përket të ardhmes së saj europiane. Nuk është rastësi që përfaqësues të lartë ndërkombëtarë kanë vizituar Shqipërinë kohët e fundit, që nga komisioneri i BE-së për zgjerim, Stefan Fule, apo njerëz të rëndësishëm të Departamentit të Shtetit, si drejtori për rajonin, Moore, si dhe zoti Reeker. Mendoj se të gjithë ata janë duke dhënë të njëjtin mesazh që do të jepnim dhe ne, pra të sigurohet që të gjithë mekanizmat e nevojshëm të jenë efektivë, për të mundësuar zgjedhje, rezultatin e të cilave të mund ta pranojnë të gjithë”.
PE
Eurodeputeti i majtë gjerman, Knut Fleckenstein, në një intervistë për “Top Channel”, deklaroi se Parlamenti Europian është i shqetësuar në lidhje me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Pas takimit të kësaj jave mes grupimit të majtë në PE me kreun e PS-së, Edi Rama, në një intervistë për TCH, Fleckenstein ndan përshtypjet për debatin dhe shqetësimet për zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri. “Shqetësimi ynë më i madh, e jo veç në grupin socialdemokrat, por dhe në grupin e djathtë, PPE, është se çfarë do të bëhet me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe se a do të bëhen vërtet zgjedhje të lira e të ndershme në qershor në Shqipëri. Kjo është një prej dëshmive që duhet të japë vendi, qeveria, për të treguar se është me të vërtetë në rrugën drejt Bashkimit Europian. Kemi pak frikë, pasi lufta për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nuk na bën të besojmë se gjithçka po shkon mirë me këto zgjedhje. Unë do t’i kërkoj fuqimisht këtij Parlamenti që ta bëjë këtë, sepse ne duhet të sigurohemi që në Shqipëri ka zgjedhje të lira, demokratike e të organizuara mirë. Përndryshe, afrimi me Bashkimin Europian nuk do të jetë i lehtë dhe shpresoj që zoti Berisha e di mirë këtë gjë”, thekson Fleckenstein.