Opozita kërkon pesë vota, PD dhe KQZ ia refuzon, e kalon me katër vota
Akti i hedhjes së shortit për renditjen e partive politike ka shkaktuar debate në mbledhjen e KQZ-së. Përfaqësuesi i Partisë Socialiste në KQZ, Genc Gjonçaj, kërkoi që administrata ta vërë në dijeni për faktin se me sa vota duhej të merrej një akt i tillë. Sekretari i përgjithshëm i KQZ-së, Skënder Vrioni, u shpreh se për ne vendimi duhet të merret me anë të katër votave. Por një gjë e tillë u kontestua nga Gjonçaj, pasi, sipas tij, votimi kërkon një shumicë të cilësuar të votave. “Keni një pikë në një nen të caktuar që kërkon një shumicë të cilësuar votash, prandaj nuk duhet të mashtroni, se akti kërkon një shumicë të thjeshtë votash. Prandaj zonja kryetare duhet t’i drejtoheni Kuvendit, pasi akti nuk merret me katër votave, por t’i shprehni shqetësimin për vakancën”, tha Gjonçaj. Përfaqësuesi i PD-së, Njazi Kosovrasti, ka ndërhyrë, duke theksuar se “ku e gjen guximin Gjonçaj që të shfaqet si njerëz të pafajshëm në botë, pasi situatën në KQZ e ka krijuar vetë PS-ja, e cila i tërhoqi anëtarët e saj”. Më tej, Kosovrasti theksoi se është “është detyrim i PS-së të sjellë emrat e tre anëtarëve të KQZ-së. Akti që kemi në shqyrtim është një akt i zakonshëm, që mund të miratohet edhe me katër vota”. Edhe anëtarët e KQZ-së e kanë kontestuar qëndrimin e Gjonçajt, të cilët u shprehën se është një akt individual, që shërben për këto zgjedhje dhe se nuk do të jetë për çdo zgjedhje që do të përdoren në të ardhmen. Ky ka qenë argumenti i kryekomisioneres Lefterije Lleshi dhe Vera Shtjefnit, se “ky është një akt i thjeshtë, individual, nuk është në rang kombëtar”. Pas këtyre qëndrimeve, më pas kryekomisionerja Lleshi hodhi për votim aktin “Për hedhjen e shortit të renditjes së subjekteve zgjedhore dhe miratimin e përmbajtjes së fletës së votimit, për zgjedhjet e Kuvendit të datës 23 qershor 2013, për çdo zonë zgjedhore”. Katër anëtarët e pranishëm votuan pro këtij akti, duke hapur rrugë për procesin e hedhjes së shortit për renditjen e partive politike.