rama en durres'Nga pallati i sportit “Flamurtari”, i tejmbushur, Edi Rama, u prezantua si kandidat për deputet në qytetin e Vlorës, duke udhëhequr listën për këtë qark. Kryesocialisti Rama ka komentuar kandidimin e tij në qytetin e Vlorës, me faktin se Vlora është kryeqyteti i të gjithë shqiptarëve.


Hapja e fushatës së Partisë Socialiste në Vlorë ishte konceptuar ndryshe nga rrethet e tjera. Fillimisht mbajtën nga një fjalim të shkurtër kandidatët e PS-së për deputetë në këtë qark, më pas për të pranishmit në pallatin e sportit “Flamurtari” u transmetua në projektor një dokumentar i shkurtër kushtuar kreut të PS-së Edi Rama. Në video shpehën impresionet e tyre edhe nëna e kreut të PS-së, bashkëshortja Linda bashkë me vajzën e saj si dhe djali Ramës.


Në përfundim të dokumentarit, fjalën e mori vetë Rama. Ai u ndal tek lidhja e tij e veçantë me Vlorën që në fëmijërinë e hershme, ndërsa më pas u ndal tek situata aktuale në këtë qark. Ai u shpreh se në 8 vitet e qeverisjes së Sali Berishës, qyteti i Vlorës ka marrë më pak fonde edhe se Kamza, ndërsa ironizoi me moratoriumin e skafeve teksa deklaroi se “për 8 vite PD i vuri çelësin detit”.


“Jam këtu në Vlorë për t’u thënë se Shqipëria mund të bëhet se Shqipërinë do ta bëjmë. Në këto 20 vjet, Vlora ka pasur shumë nevoja, ajo është zhvilluar falë sakrificave, punës dhe vullnetit të njerëzve të saj. Një qeveri socialiste nuk financonte në Vlorë se mendon se vlonjatët i kishte në xhep dhe votat e tyre i merr nëse punonte apo jo. Për Vlorën më pas qeveria e Saliut nuk e financoi asnjëherë Vlorën, se e sheh si vendin ku nuk do të gjejë kurrë mbështetje dhe vendi ku sa herë votohet do të ndëshkohet dhe do të largohet po të ishte për Vlorën. Në katër vitet e ardhshme do të bëjnë sa nuk është bërë në 20 vjet të marra sëbashku”, u shpreh Rama.


Lista e PS-së në Vlorë kryesohet nga Edi Rama, pasohet nga Valentina Leskaj, më pas Koço Kokëdhima, Luiza Xhuvani, Fatmir Toçi, Andrea Marto, Edmond Leka, Shuaip Beqiri dhe Mira Shehu.


Rama i gatshëm për debat: Kryeministri s’mund të fshihet pas barcaletave


Kryesocialisti Edi Rama gjatë bashkëbisedimit të tij me gazetarët në udhëtimin me autobusin e Rilindjes drejt qytetit të Vlorës, ka deklaruar se është i gatshëm për debat me kryeministrin Berisha.


“Shqiptarët meritojnë të ndjekin një debat mes Kryeministrit në ikje që prej 8 vitesh po rrënon Shqipërinë dhe meje që përfaqësoj “Aleancën për Shqipërinë Europinane” përmes programit të Rilindjes. Mbetem unë që Kryeministri ti përgjigjet ftesës, s’ka asnjë mundësi që t’i iki kësaj ftese dhe të bëjë barcaleta nga ato banalet që s’bëjnë të qeshin askënd”,- tha ai.


Kreu i PS ka qenë në një linjë me partnerin më të ri në koalicion, Ilir Meta, sa i përket premtimit të Berishës për heqjen e vizave me SHBA, duke e vlerësuar një tentativë për ti shpëtuar votës së shqiptarëve në 23 qershor.


“SHBA ja ka hequr vizën Saliut, shqiptarët nuk do lënë që për shkak të tij t’ia heqin vizën edhe Shqipërisë. Kjo është një tentativë e tij në përpjekje për ti shpëtuar ndëshkimit të votës së shqiptaërve në 23 qershor” theksoi Rama.


Kreu i listës së kandidatëve për deputetë të PS për Vlorën i është bashkuar thirrjes së kryebashkiakut Shpëtim Gjika ndaj kandidatit të pavarur për deputet Arben Malaj, duke i kërkuar të tërhiqet mbrapsht nga rruga e gabuar që ka nisur.


“Unë i bashkohem thirrjes së të zgjedhurve vendorë dhe përfaqësuesve të PS lidhur me Malajn dhe besoj se di ishte rruga me e arsyeshme dhe të kthehej nga rruga e gabuar dhe të behej pjesë e rrugës sonë pasi me atë rrugë me apo pa dashje i shërben Saliut”,- deklaroi kryetari i PS.


I pyetur për KQZ, Rama edhe pse shprehu gadishmërinë për dialog me mazhorancën, theksoi se çdo tentativë për ta përdorur për manipulimin e zgjedhjeve do të përballet me reagimin e popullit.


“Nuk e di çfarë thotë njëri apo tjetri, di që sot KQZ nga një organizatë e pavarur është kthyer në një organizatë partie. Nëse do ta mbajë KQZ ai do ta mbajë bashkë me përgjegjësinë, ku mund të bëhet pjesë e një ndërmarrje për të manipuluar rezultatin. Nëse do të dialogojë për ti kthyer legjitimitetin KQZ ne jemi gati. Përgjegjësia më e madhe për zgjedhjet i takon qeverisë dhe kjo është shumëfishuar me marrjen në kontroll partiak të KQZ. Se kuptoj që merreni kaq shumë me KQZ, ne se kemi fare problem. Ne s’kërkojmë asgjë. Ne thjesht themi që ky nuk është institucioni që përcakton kodi zgjedhor. Larg qoftë që të përfshihet në manipulim sepse do të përballet me forcën e popullit. Askush s’mund të presë që ne të plotësojmë vendet vakante me bombardimin që iu bë këtij institucioni nga mazhoranca”, tha Rama.


18 maj 2013 (gazeta-Shqip.com)