Tubimi
“Berisha e mbushi sheshin me ‘robër’, sot sheshi është tejmbushur me qytetarë”
Mijëra qytetarë fierakë kanë mbushur mbrëmjen e djeshme sheshin “Europa Piazza” të qytetit të Fierit, ku kryesocialisti Edi Rama ka prezantuar skuadrën e Rilindjes dhe ka shpalosur filozofinë e mëkëmbjes së vendit. “Di që pak ditë më parë Saliu e mbushi sheshin me robër, ndërsa këtu shikoj një shesh të tejmbushur me qytetarë. Sheshi sot është mbushur me qytetarë, që më 23 qershor do të çlirojnë edhe robërit e qeverisë, që të mos ketë më nëpunës, infermierë apo mësues që merren zvarrë prej pushtetit, duke i kërcënuar me bukën e gojës”, theksoi Rama. Lideri i opozitës, i cili ka folur i fundit në tubimin prezantues në qarkun bastion të së majtës, ka deklaruar më tej se “pas 23 qershorit, shteti dhe qeveria do të jetë i qytetarëve dhe i gjithë shqiptarëve. Unë nuk di çfarë tha Saliu në Fier pak ditë më parë, por e di shumë mirë se çfarë do t’i thotë Fieri, Saliut më 23 qershor. Unë s’e di çfarë u tha Saliu fermerëve të Lushnjës, Fierit dhe Mallakastrës që e ka izoluar, por ne do t’u ulim atyre kostot e prodhimit, për të ujitur tokat e tyre, për të pasur naftën pa akcizë dhe taksë, për të pasur shërbim njësoj si në qytet, për të pasur certifikatën e tokës së tyre pas 20 vjet e kusur. S’e di çfarë u tha Saliu tregtarëve të vegjël të kësaj zone, por e di shumë mirë se çdo i vetëpunësuar do të shkojë më 23 qershor për të hequr taksën e biznesit të vogël, për të përgjysmuar tatimin e fitimit, për t’i ikur kurthit të falimentimit, për të jetuar me punë të ndershme e jo për të mbijetuar. Ne do të krijojmë kushte për të gjithë”, u shpreh kryesocialisti Rama. Më tej ai u ndal në pasuritë dhe burimet e mëdha natyrore që ka ky qark. “Më 23 qershor, me Partinë Socialiste shqiptarët do të çlirojnë burimet e naftës nga kthetrat e uzurpatorëve, që me pasurinë e përbashkët të këtij populli pasurohen çdo ditë, në kurriz të këtij populli. Ne nuk duam votë për të pasuruar një grusht njerëzish, por duam votë që të gjithë shqiptarët të pasurohen”.
Gjatë prezantimit të skuadrës së Rilindjes mbajtën fjalën e tyre edhe 16 kandidatët për deputetë të Partisë Socialiste për Qarkun e Fierit. Kreu i kësaj liste, Gramoz Ruçi, theksoi se kjo skuadër do të ringjallë qytetet dhe fshatrat e këtij qarku, duke përmendur në veçanti edhe rikthimin e dinjitetit të Ruzhdies. Ndërsa deputeti Erion Braçe e cilësoi Fierin si kryeqytetin e socialistëve. Kandidati që kryeson grupin për qytetin e Fierit, Ilirjan Celibashi, u kërkoi qytetarëve fierakë të votojnë masivisht për të rrëzuar qeverinë Berisha, të cilën e konsideroi si jo legjitime. Gjithashtu ai i garantoi zgjedhësit se nuk do të zhgënjehen me alternativën e Partisë Socialiste.
Gjirokastër
Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi paraditen e djeshme nga Gjirokastra, se PS-ja do ta thellonte dominancën e saj në këtë qark, duke marrë më 23 qershor katër nga pesë mandatet e mundshme të deputetëve. Teksa prezantoi në qarkun më fundor të Jugut, kandidatët për deputetë, Rama theksoi se Gjirokastra do t’i jepte Berishës përgjigjen e merituar për diskriminimin që i kishte bërë gjatë tetë viteve të qeverisjes së tij. Ai theksoi se dhe emigrantët do të jepnin kontributin e tyre në ditën e votimit në këtë qark. “E di shumë mirë se çfarë do i thotë Gjirokastra, Saliut më 23 qershor. Ju jeni sot të izoluar nga mungesa e rrugëve, në varfëri dhe papunësi. Ndëshkimin historik do e jepni me zgjedhjen e 4 deputetëve të PS-së në Parlament”, deklaroi kreu i PS-së.
Edmond Hoxhaj