Shpejtësia
Dy aksidente të rënda kanë ndodhur dje, duke shkaktuar vdekjen e dy personave dhe plagosjen e rëndë të katër të tjerëve. Aksidenti më i rëndë ka ndodhur në autostradën Laç-Fushë-Krujë, ku janë përfshirë tre automjete. Një furgon me targa TR 54 83 F kishte ndaluar në anë të rrugës, në vendin e quajtur Fushë-Mamurras, ndërkohë që dy mjete kanë ardhur me shpejtësi. Dy veturat janë përplasur njëra pas tjetrës tek furgoni dhe për pasojë janë plagosur rëndë Aleksandër Pula, 47 vjeç, Mark Simoni, 51 vjeç, Anton Gjoka, 35 vjeç, Sandër Fili, 41 vjeç si dhe një grua e paidentifikuar, e cila ndodhet në gjendje kome. Gjatë transportit për në spital ka ndërruar jetë 47-vjeçari Pula, ndërkohë që katër të tjerët ndodhen në gjendje të rëndë. Ndërkaq, aksidenti tjetër është regjistruar në Peshkopi, ku ka vdekur një grua. Viktima është identifikuar si Vera Bunguri 53 vjeçe nga Peshkopia, ndërsa policia ka ndaluar drejtuesin e mjetit, Nazif Lusha, po nga ky qytet. Ngjarja ndodhi në vendin e quajtur “Ura e Pazarit”, teksa një automjet tip “Benz” me targa AA 280 AJ, që drejtohej nga Lusha ka përplasur 53-vjeçaren e cila po kalonte rrugën, dhe pas goditjes ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka shoqëruar drejtuesin e mjetit për të sqaruar rrethanat e aksidentit, ndërsa dyshohet se shkak i tij është bërë shpejtësia tej normave të lejuara e mjetit tip “Benz”.