“Lista për deputet e socialistëve është e mbushur me kriminel dhe të sapo liruar nga burgu”. Kështu i ka cilësuar Kryeministri Sali Berisha kandidaturat e paraqitur nga kundërshtarët e tij politik për zgjedhjet e 23 qershorit. Këto deklarata, kreu i qeverisë i bëri nga qyteti i Vlorës gjatë një takimi me gazetarët, ku edhe në këtë rast nuk kurseu sulmet për Edi Ramën dhe Koço Kokëdhimën. “Në Vlorë e solli Koço Kokëdhima, i cili e nisi biznesin si asistent i Hajdin Sejdisë. Shkoni në Himarë, do shikoni pallate që kanë zhdukur detin. Këto pallate janë të Koços, i cili ka përfituar tendera nga bashkia e Tiranës kur Rama drejtonte kryeqytetin”, tha ai.
Dokumentarin prezantues së kreut të PS-së, Berisha e ka krahasuar me librin “Kujtimet e Vegjëlisë” së diktatorit Enver Hoxha. “Vlora e di mirë historinë e dajave të tij. Rama prezantoi në Vlorë fëmijërinë e tij dhe i ofendoi vlonjatët se janë të izoluar. Si janë të izoluar vlonjatët kur ata udhëtojnë në rrugë moderne. Ata që e ndjejnë veten të izoluar të mos e votojnë Sali Berishën. Mund të thuash që ka njerëz të varfër, por jo që janë të izoluar. Vlora nuk ka nevojë për kujtimet e Ramës”, tha Berisha.
Berisha deklaroi me tej nga Vlora se qeveria ka investuar në këtë qytet më shumë se kudo tjetër në infrastrukturë. “Ne kryebashkiakut Gjika, krahasuar me partinë socialiste, ia kemi rritur grantet edhe tre herë. Eshtë bashkia ajo që përcakton ku ndërton, si ndërton. Ne kemi bërë investimet më të fuqishme në këtë zonë”, tha kryeministri, ndërsa renditi një mori projektesh që do të realizohen në Vlorë në 4 vitet e ardhshme.
Duke u ndalur tek problemet e fshatit, Berisha tha: “Në Shqipërinë ruale, pas ndërtimit të infrastrukturës, po ndodh një përpjekje e madhe për të nxjerrë sa më shumë përfitime nga toka, e cila më parë ishte braktisur”, ndërsa premtoi se në 4 vitet e ardhshme do të trefishohet subvenciionimi për fermerët dhe do të rimbursohet TVSH-ja.
Kryeministri nënvizoi më tej se qeveria ka hequr çdo lloj takse mbi kapitalin dhe kjo masë do ketë një efekt shumë të fuqishëm për ritjen e mëtejshme të investimeve dhe punësimit. “Pala tjetër ofron kaos, ofron taksën progresive. Të lozësh me rritjen e taksës do të thotë të lozësh me jetën. Nëse do të rrënosh vendin rrit taksën. Janë prova të sigurta se rritja e taksës shoqërohet me uljen e vendeve të punës”, tha kryeminstri, ndërsa u shpreh se Rama nuk ka program dhe se atij i mungojnë njohuritë më elementare ekonomike.
Ndërkaq, më herët gjatë ditës, Kryeministri Berisha inaguroi rikonstruksionin e rrugës Levan- Fier duke premtuar se në katër vitet e ardhshme qeveria e tij do të bëjë gjithçka për të rritur numrin e turistëve çka do të përkthehet sipas tij, në së paku 30 për qind më shumë vende pune në sektorin e turizmit.
Më pas Berisha akuzoi opozitën se të vetmin objektiv politik ka pasur bllokimin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. “Kërkoi Fierin sepse këshilltarët e tij kishin kaluar në një parti tjetër. Është njësoj sikur t’i kërkoj unë tani të më kthejë Ilir Metën. Kjo është demokracia. Ndaj dhe unë ju garantoj se do të bëjmë gjithçka që brenda një viti të marrim statusin e vendit kandidat dhe të nisim negociatat për hyrjen në BE”, theksoi Berisha.
Sipas kryeministrit Berisha, investimet e qeverisë aktuale do të vazhdojnë duke i dhënë një zhvillim shumë herë më të madh vendit: “Ne kërkojmë votën e qytetarëve shqiptarë jo për çka kemi bërë, por për projektet e ardhshme. Këto që kemi bërë dëshmojnë seriozitetin tonë.”
Gjatë pjesëmarrjes në inaugurimin e riveshjes së aksit rrugor Fier-Levan, kryeministri ju rikthye edhe çështjes së rikompozimit të KQZ-së duke ja faturuar të gjitha përgjegjësitë kreut të opozitës Rama dhe duke hedhur poshtë mundësinë për ndërhyrje të tjera në këtë institucion: “Vetë Rama i hoqi nga KQZ-ja anëtarët. Le të bëjë ç’të dojë.”
19 maj 2013 (gazeta-Shqip.com)