berisha peruronKryeministri nuk pranon rikompozim, por kërkon të votohet amnistia fiskale


Berat – Kryeministri Sali Berisha i ka bërë thirrje rivalit të tij që të votojë amnistinë fiskale në Kuvend dhe miratimin e 3 anëtarëve të KQZ-së, por jo rikompozimin e tij. Duke folur nga Berati ku ka prezantuar kandidatët për deputetë, Berisha deklaroi se “Po atyre që janë gjobitur më parë çfarë do t’u bësh, do të shpallësh luftë klasash. Je i painformuar dhe të mungojnë nocionet më elementare ekonomike, mes atij që gjobitet dhe atij që amnistohet, ka një dallim, por çdo shtet përdor faljen, kur e solla në Parlament ligjin e refuzove. Të ftoj prapë, urdhëro të mbledhim Parlamentin dhe ta votojmë, sepse amnistia është dhunti e shtetit, ndëshkon me ligj, por me ligj edhe fal. Ligji është gati, hajde ta votojmë, nga 2011 e deri sot”, tha ai. Të njëjtën ofertë për votim ka përsëritur edhe për KQZ, por përmes ftesës Kryeministri dëshmoi bindjen e tij të palëkundur për të refuzuar kërkesën e PS për rikompozim. “Urdhëro të votojmë tre komisionerët e tu që i bëre plaçkë tregu, kërkoji falje Jani Janit që e ngrive dhe e shkrive në mënyrën më mizore”, theksoi Berisha. Kryeministri ka premtuar nga Berati se brenda një viti nga marrja e mandatit të tretë, do fitohet statusi i vendit kandidat për në BE. Sërish Kryeministri tha se do të liberalizohen vizat me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Jam këtu për t’u zotuar se 4 vitet që vijnë do bëjmë për Beratin shumë herë më tepër se 4 vitet që shkuam. Do ndërtojmë Boshtin e Jugut dhe çdo kilometër rrugë në këtë qark. Do ndërtojmë çdo shkollë, çdo spital, çdo poliklinikë. Brenda 1 viti do kemi në xhep pasaportën e statusit të vendit kandidat. Bashkë do hapim negociata me BE-në për anëtarësim të plotë. Do bëjmë çdo reformë për të miratuar liberalizimin e vizave me vendin mik më të shquar të shqiptarëve”, premtoi Berisha. Kryeministri tha se Edi Rama nuk duhet të ofendojë njerëzit që marrin pjesë në mitingjet e PD-së.


“E ftoj për dy gjëra zotin Rama. Ne jemi politikanë, kemi kamerat dhe mikrofonat, është e pafalshme për ne të ofendojmë njerëzit, është e papranueshme, ndaj natyrisht fushata është fushatë, temperaturat ngrihen, por gjakrat duhet të mbahen, nuk mund t’i quash kurrë këta qytetarë të mrekullueshëm robër, jo zoti Rama, këta janë gra dhe burra të lirisë dhe kanë hedhur shtypjen mënjanë, Rama mbaj nervat, një ditë i quan mësuesit injorantë, nxënësit dele, ditën tjerët quan tjetrin tradhtar”, tha Berisha.


“Alternativa tjetër është akuza, akuza dhe vetëm akuza, mohim, mohim dhe vetëm mohim, bllokime, bllokime dhe vetëm bllokime. Është normale të kritikosh nga mëngjesi gjer më darkë qeverinë, por është anormale dhe e pandershme të vish në Berat dhe të deklarosh para qytetarëve të Beratit se asnjë armik dhe pushtues nuk ju ka bërë ju atë që ju ka bërë kjo qeveri. Është e dhimbshme se kjo nuk vjen nga një spital psikiatrik, por nga lideri i opozitës, që e di që Berati sot ka shumë halle, po është vend anëtar në NATO. Të thuash këto, do thotë të udhëtosh në autobus me xhama të zi dhe të mos shohësh asgjë”, tha Berisha.