Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e arrestit burg pa afat për një 40-vjeçar, babanë e dy fëmijëve, i cili akuzohet se ka përdhunuar katër ditë rresht një minorene. Shkëlqim Dini akuzohet për marrëdhënie seksuale me të mitur, pasi për katër ditë me radhë ka mbajtur të izoluar në hotel një 16-vjeçare nga Librazhdi. I dyshuari nuk e ka pranuar akuzën, duke pretenduar se është i dashuruar me 16-vjeçaren, e cila së bashku me babanë e saj e ka denoncuar për “përdhunim”.
Sipas akuzës, 40-vjeçari Dini është njohur nëpërmjet telefonit me vajzën e mitur, me të cilën ka shkëmbyer për rreth dy muaj mesazhe telefonike, deri ditën kur janë takuar në Tiranë. Pas këtij takimi, i dyshuari e ka strehuar vajzën në një hotel, duke e mbajtur për 4 ditë. Gjatë kësaj kohe, sipas vajzës, 40-vjeçari ka kryer marrëdhënie seksuale kundër dëshirës së saj.
Ndërkohë, avokati pretendoi se vajza ka qëndruar me dëshirën e saj dhe sapo e ka marrë vesh se i dashuri është i martuar dhe ka fëmijë, ka vendosur ta denoncojë.