935359_370747329696567_277621209_nMeta: Slogani i Berishës mban tri problemet e mëdha


Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka ironizuar emërtimin e koalicionit të djathtë si tri problemet e pazgjidhura që ka qeveria. Gjatë mitingut të zhvilluar në Durrës, në prezantimin e kandidatëve të LSI-së, Meta tha se në “Aleancën për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim”, ndodhen tri problemet më të mëdha që qeveria u shkaktoi shqiptarëve. Sipas tij, qytetarët për Kryeministrin, vetëm në mitingje janë të parët, madje edhe aty më tepër fishekzjarrët. “Tri problemet kryesore që keni ju dhe qytetarët janë të gdhendura në sloganin e tyre. Ata kanë punësimin, por problemi më i madh është papunësia, kanë mirëqenien, por çdo ditë bie fuqia blerëse nga rritja e çmimeve, kanë integrimin dhe treguan një mungesë konsensusi për t’i kaluar në Kuvend brenda kësaj legjislature ligjet që ndihmojnë në këtë aspekt. Për Kryeministrin, qytetarët vetëm në fjalime e mitingje janë të parët, por për të, të parët janë fishekzjarrët, pasi ekonomia po lëngon duke demonstruar shenja të qarta të krizës. Të gjithë ju para se të dëgjoni statistikat zyrtare keni familjarë, miq dhe të afërm të papunë. Kjo nuk ndodh për shkak të paaftësisë apo mungesës së potencialeve, por të mungesës së vizionit për të gjallëruar ekonominë dhe rritur punësimin”, tha Meta. Kreu i LSI-së, gjatë një interviste për “Top Channel”, deklaroi dje, se koalicioni opozitar do të fitojë 80 deputetë në zgjedhjet e 23 qershorit. “Opozita i ka të gjitha mundësitë që të arrijë dhe të kalojë 80 mandatet në Kuvendin e ri. Jam i bindur që do të jetë një diferencë plebishitare me të paktën 200 mijë vota. Për këtë jam i bindur e jam i sigurt dhe ju mund ta ruani këtë si insert për të ardhmen”, tha Meta. Ndërkaq, kreu i LSI-së për Durrësin, aktualisht kryetari i grupit parlamentar, Lefter Koka, deklaroi në mitingun e djeshëm, se “ndryshimi i qeverisë aktuale është nevojë dhe domosdoshmëri, pasi Durrësi dhe vendi janë në një situatë të papranueshme, varfëria, pasiguria dhe kaosi e kanë bërë të vështirë jetën e qytetarëve shqiptarë. U bëj thirrje bashkëqytetarëve të mi demokratë, se partia e ëndrrave tuaja ka nevojë për terapi intensive ashtu si dhe doktori, Kryeministër, pasi Shqipëria dhe Durrësi janë më të shtrenjtë se pasioni i dikujt”.