Kryesoret Rrëfimi dramatik i Gregut: Biseda me Edin kur u diagnostikova me kancer

Rrëfimi dramatik i Gregut: Biseda me Edin kur u diagnostikova me kancer

3343
SHPËRNDAJE

greg2Linda Rama: Kërcënimi pas 21 janarit ku u fol për rrezikimin e jetës

 Fatjona Mejdini

Një nga elementet më të rëndësishme të prezantimit të Edi Ramës në Vlorë ishte një dokumentar 15 minutësh i titulluar “Rama për Rilindjen” ku mes zërit të tij dhe familjarëve u rrëfye për ngjarje të rënda në jetën e kryesocialistit, si sëmundja e të birit. I ulur në sallonin e shtëpisë, Rama përmes dokumentarit, vendosi të rrëfente për publikun ngjarjen e cila kishte tronditur më së shumti jetën e tij dhe që ishte diagnostikimi i të birit, Gregut nga kanceri. “Momenti më i tmerrshëm kur duhet të shkoja në thellësitë më të panjohura të vetes për të gjetur energji që të qeshja, të flisja, të komunikoja, të bëja punën normalisht gjatë gjithë ditës, ndërkohë që nata ishte e mbushur me lot, ishte koha kur im bir luftonte me vdekjen në trup duke u përballur me të panjohurën e madhe që gërryente brenda vetes të gjithë ne”, rrëfeu Rama për këtë çast të konsideruar si më të vështirin. Pjesa e tjetër e rrëfimit në dokumentar u plotësua nga i biri i tij, Gregu, i cili foli për inkurajimin që i kishte dhënë i ati në kapërcimin e kësaj periudhe të vështirë të jetës së tyre. Gregu tregoi se i ati kishte përdorur pasionin e tij, basketbollin për t’i shpjeguar të birit të tij të mitur sesi duhet të tejkalohen situata të tilla. “U diagnostikova me kancer kur isha te xhaxhai im në Amerikë, mora Edin në telefon dhe i thashë: Unë mund të largohem, por unë nuk dua të largohem. Edi më tha që ti nuk ke për t’u larguar, sepse ti je djali im. Ti duhet të luftosh me këtë sëmundje si në një ndeshje basketbolli, loja nuk ka mbaruar akoma. Ke punë për të bërë, sëmundja është 3 pikë para teje, por ti duhet të bësh 3 pikëshin e barazimit. Pas kimioterapisë eksperimentale rezultati doli që unë isha shëruar. Fola me Edin e ai më tha: Shiko, ti e bëre trepikëshin e fitores, tani duhet të ruash qetësinë derisa të mbyllet loja. Ti je në avantazh dhe e ke fituar këtë lojë”, rrëfeu Gregu. Por dokumentari i dha mundësinë publikut për të njohur Ramën dhe përmes ‘syve’ të dy grave më të rëndësishme të jetës së tij, të ëmës, Anetës dhe bashkëshortes, Lindës. Aneta theksoi se tek Edi vlerësonte këmbënguljen e tij për t’i çuar gjërat në fund dhe forcën që e karakterizonte për realizimin e projekteve të dashura për të. Ajo i ilustroi këto veti me një tregim nga koha kur Rama ishte student dhe preferonte të ruante me çadër pikturën e tij dhe jo veten, në një ditë me shi në një kohë kur kishte vendosur ta përfundonte punimin me patjetër. Ndërsa bashkëshortja, Linda, preferoi të rrëfente për momentin e përkujtimit të viktimave të 21 janarit, kur ndonëse Rama ishte lajmëruar se jeta e tij kërcënohej seriozisht, nuk kishte hequr dorë nga protesta vetëm për të mos dekurajuar opozitarët që e prisnin këtë përkujtim. Vajza e Lindës, Rea, rrëfeu dje në dokumentar mbështetjen e madhe që ajo gjente te Rama për vijimin e rrugës së nisur në arkitekturë. Në pjesën filmike të dokumentarit për sa i përket pjesës familjare, Rama shfaqej në krahë të Lindës, duke e ndihmuar atë në gatim. Por vetë Rama foli dhe për përjetimin e tij personal, si njeriu që priste të bëhej Kryeministri i ardhshëm i vendit. Ai theksoi me sinqeritet se nuk e kishte menduar se mund të arrinte në këtë nivel në politikë, pavarësisht se kur ishte fëmijë kishte zgjedhur mes objekteve që do i përcaktonin profesionin një penel dhe një palë çelësa, që ndryshe përkthen dhe ‘përgjegjësi’. Rama theksoi se nuk ishte në politikë për t’u pasuruar, por vetëm për të lënë gjurmën e tij në historinë e transformimit të Shqipërisë. “Kam ambicie për të lënë një emër në historinë e këtij vendi, për të bërë diçka të mirë dhe për të qenë krenarë përpara fëmijëve dhe nipërve dhe mbesave nëse do të kem fatin t’i arrij”, theksoi Rama. Në ndihmë të faktit se ai ishte njeriu i duhur në këtë mision, në dokumentar ndanë rrëfimet e tyre miq dhe bashkëpunëtorë të Ramës si piktor dhe po kështu si politikan, që kishte arritur të linte gjurmë në administrimin e pushtetit vendor në Shqipëri.

Dokumentari

Piktori Vladimir Myrtezai, ish-nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Vali Bizhga, dhe kryetari i PS-së të Tiranës, Saimir Tahiri, ishin zgjedhur për të rrëfyer mbi Ramën në momente të ndryshme të karrierës së tij. Ndërkaq, pamjet e dokumentarit e çonin Ramën nga takimet me Hillary Clinton te kuzhina e shtëpisë dhe fusha e basketbollit.