Historia e Ismail Hodajt, mes artit, kuzhinës dhe dashurisë për vendlindjen
Bardha Nergjoni
Ai mund të cilësohet një nga “ambasadorët” më të dashur të Shqipërisë në Gjermani dhe këtë e ka arritur nëpërmjet kuzhinës së tij dhe restorantit të famshëm “Hoka” në qytetin e Mindenit. Ismail Hodaj ka një histori të veçantë të jetës së tij që lidhet nga pak me të gjitha, duke përfshirë artin, kuzhinën dhe sidomos dashurinë e madhe për vendlindjen dhe për çdo gjë shqiptare. Së fundi ai do të fitonte kopertinën e një reviste të përmuajshme mjaft të njohur në Gjermani me kuzhinën e traditës familjare, ajo elbasanase. Hodaj dhe Tava e Kosit janë imazhi i kësaj reviste e cila madje jep edhe recetën e famshme të këtij gatimi tradicional.
Revista reklamon botën e biznesit, kulturës, sporteve dhe shkollave. Në kopertinën e saj, pronari i së cilës zotëron edhe 29 supermarkete të fuqishme në Gjermani vendosi të publikojë fotografinë e Ismail Hodajt. “Më ftuan në një fotostudio dhe fotografët zgjodhën pikërisht këtë fotografi për kopertinën e revistës. Karli (pronari i supermarketeve) më tha që të nisja në revistë dhe një rubrikë me specialitete gatimi. Unë nisa një në gjermanisht, por ai m’u lut që unë ta nisja me shkrim dhe një specialitet shqiptar. U lumturova. Më erdhi lepuri në shteg – thashë – dhe i nisa shpejt e shpejt tavën e kosit të Elbasanit. Kur e pashë të botuar në revistë këtë recetë m’u bë zemra mal dhe u ndjeva krenar. Arrita të fitoj kopertinën e muajve maj-qershor dhe tashmë nuk më mungojnë thirrjet kur dal. Ej shefi i tavës së kosit. Ndihem mjaft mirë. E ku ka më bukur të ndërtosh një copëz traditë Elbasani në një vend si Gjermania që unë e konsideroj mjaft mikpritës”, shprehet ai.
Por Hodaj nuk është vetëm një kuzhinier i suksesshëm, ai gjithashtu ka një veprimtari të pasur për çështjen kombëtare. Realizon aktivitete të ndryshme, duke sjellë heronjtë e Kosovës dhe gjithashtu reciton vazhdimisht poezi patriotike duke e renditur veten ndër shqiptarët e angazhuar për mbrojtjen e gjuhës dhe traditës shqiptare.
Komuna e Podujevës e ka shpallur qytetar nderi për aktivitetin e tij. Ai gjithashtu është një mbështetës i vazhdueshëm i nismave për Kosovën e Shqipërinë. Pak ditë më parë takoi Ramush Haradinajn dhe ish-boksierin Luan Krasniqi. Ai gjithashtu është shoqërues i Ismail Kadaresë në promovimet e librave e librave të tij. “Në mes të qershorit, Kadare do të jetë sërish në Gjermani në një takim me studentët e Këlnit. Unë do të jem aty dhe do të lexoj pjesë nga romanet e tij”, shprehet Hodaj ndërsa tregon se është një derë e hapur për shqiptarët dhe një elbasanas që nuk e ka harruar kurrë vendlindjen.
Keni qenë edhe aktor në Elbasan. Si nisi ky pasion?
Jam rritur në lagjen “Çlirimi” ku kam kaluar një jetë të plotësuar me të gjitha të mirat dhe të këqijat e kohës. Punoja në një uzinë dhe një ditë vjen Shpëtim Shmili dhe donte të ngrinte një grup të teatrit amator. Fillimisht thashë shënomëni dhe mua për t’i shpëtuar punës së vështirë, por më pas teatri më bëri për vete. Pasi mbarova shkollën e mesme, u regjistrova në kursin 2-vjeçar për aktor amator pranë Teatrit Skampa. Në përfundim të kursit, fitova konkursin për të marrë pjesë në një kurs për regjisor amator në Tiranë. Pas këtij kursi, fillova punë pranë Teatrit Skampa në detyra të ndryshme, duke u aktivizuar si aktor me pjesë të ndryshme nga regjisorët Tomor Shishmani, Xhelal Bilali dhe Spiro Duni.
Kur keni emigruar në Gjermani?
Në vitin 1995 kam emigruar në Gjermani në qytetin e Mindenit, ku edhe jetoj aktualisht. Fillimi ka qenë i vështirë si për çdo emigrant. Nisa mësimin e gjuhës gjermane si e vetmja mundësi për një përshtatje sa më me dinjitet në vendin ku emigrova. Pasi mësova gjuhën, fillova punë si ndihmës në kuzhinë në një restorant me 4 yje të quajtur e “Altes forthaus”. Aty më ngacmoi profesioni i kuzhinierit dhe nisa t’i kushtoj vëmendje. Vitet kaluan dhe nga ndihmëskuzhinier u bëra shef i kuzhinës më të preferuar të qytetit. U deshën 4 vjet për të arritur këtë gjë. Punova për 11 vjet kuzhinier dhe në këtë kohë më lindi ideja të ngrija një biznes personal. Kështu hapa një restorant, i cili funksionon për ditëlindje, dasma, mbrëmje mature, etj. Vend të veçantë në kuzhinën time zë Kuzhina e Elbasanit siç janë fërgesa, tava e kosit, përdorimi i pestilit si dhe sallata të ndryshme. Recetat i kam trashëgim nga mamaja imë Saliheja, e cila ka punuar si kuzhiniere tek Klubi i Gjuetarëve dhe në klubin “Dinamo” në Elbasan. Kuzhinier i mirë dhe i njohur është gjithashtu edhe vëllai im Lushi, i cili ka një restorant në lagjen e njohur si lagjja “Xhaxhurët” në Elbasan, ku gatuan vetëm kuzhinë elbasanase. Restoranti im quhet “Hoka” dhe pasi kemi shërbyer ushqim të mirë, ne gjithashtu ofrojmë edhe shumë argëtim. Pas orës 02.00, restoranti im kthehet në disko. Klientët janë të të gjitha moshave, sepse lokali “Hoka” ofron muzikë për kërcim të kohërave të ndryshme si rok, hip-pop, house, ballkanike etj. Ne ofrojmë jo vetëm shfaqje, por edhe qetësi për të gjithë klientët, duke pasur në qendër moton “Gjithmonë të qetë tek Hoka”.
A e pëlqejnë gjermanët kuzhinën shqiptare. Po familja juaj a ju ndihmon në restorant?
Gjermanët e pëlqejnë shumë kuzhinën tonë. Madje unë organizoj edhe gatimin në sy të klientëve. Ka ditë të veçanta në të cilat ftoj klientë dhe ne gatuajmë bashkë. Kjo është diçka e veçantë që pëlqehet shumë dhe për këtë arsye, edhe frekuentimi është shumë shoqëror. Në qytet qarkullon batuta: Tek Shqiptari nuk jemi klientë, por jemi si në shtëpi. Në fakt, ne kështu e administrojmë restorantin. Bashkëshortja ime Majlinda merret me anë shkresore të lokalit dhe është pikë e fortë e biznesit, pasi këtu rregulli është kryesor. Ndërkohë, fëmijët kanë marrë drejtime të tjera, pasi djali im Bruno, 28 vjeç, ka hapur firmën e tij për dizenjimin e ndërtimin e vilave, duke punësuar gjashtë persona të tjerë, ndërsa djali i vogël, Geni 19-vjeçar është punësuar në një kompani telefonie, por vazhdon edhe studimet.
Kontributi
Ndjenja për atdheun dhe
financimi për UÇK-në
Ismail Hodaj është ndër emigrantët që ka mbështetur financiarisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës që në hapat e parë të saj. Ai ka kontribuar financiarisht për UÇK-në dhe kjo e ka lidhur pazgjidhshmërisht me shtetin më të ri të Ballkanit. Madje miqësia e tij me Ramush Haradinajn e ka origjinën tek kjo mbështetje e fuqishme. Hodaj ka qenë edhe një ndër mbështetësit e vazhdueshëm në sallën e gjyqit të Hagës për Haradinajn. Kjo bën që miqësia e tyre të vazhdojë dhe të jetë një miqësi e pastër shqiptarësh. Ismail Hodaj, tashmë është emër i respektuar edhe në Kosovë. Ai ka marrë pjesë në evenimentet përkujtimore dhe festat e realizuara në Kosovë, ku nuk ka munguar interpretimi i tij prej aktori për poezi, kushtuar emrave të shquar që dhanë jetën për çlirimin e Kosovës. Kështu në 3-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, Hodaj ka recituar poezi për 4 dëshmorët, ndër të cilët Adem Jashari. Në këtë koncert recital ka bërë të qajnë kosovarët duke dhuruar emocione të paharruara. Madje, për kontributin e tij e ka pritur kryetari i Komunës së Podujevës dhe në shtypin e kohës shkruhej se Agim Veliu ka pritur në një takim poetin dhe artistin shqiptar Ismail Hodaj, i cili viteve të fundit, veprimtarinë e tij krijuese dhe artistike kryesisht e zhvillon në vendet e Europës Perëndimore. Duke vlerësuar krijimtarinë artistike dhe kontributin kombëtar të Hodajt, Komuna e Podujevës i akordoi “Titullin e Mirënjohjes”.