Kryeministri prezanton kandidatët: Bashkë me Koçon, PS do betonizojë Vlorën


KQZ-ja – Berisha ka deklaruar se PS-ja duhet të plotësojë vendet vakante në KQZ, duke hedhur poshtë idenë e PS-së për rikompozim të institucionit


Malaj – Në konferencën për shtyp, Berisha udhëzoi demokratët e Vlorës që të mos i japin asnjë votë kandidatit të pavarur, socialistit Arben Malaj


Autobusët – Në përgatitjen e mitingut të PD-së ra në sy se ka pasur dhe 4 autobusë me simpatizantë të ardhur nga Fieri, Berati për mitingun e Vlorës


Prezantimi – Në prezantimin e kandidatëve për deputetë, Berisha nuk ngurroi që të anatemonte sërish liderin e PS-së për takimin e zhvilluar dy ditë më parë


Mikel Marsi


berisha ne mitingNjë ditë pas prezantimit të kreut të PS-së, Edi Rama, rivali i tij politik, kreu i PD-së, Sali Berisha, udhëtoi menjëherë drejt Vlorës me misionin për t’ia zbehur imazhin e takimit elektoral të socialistëve. Berisha ka nisur menjëherë sulmet ndaj Ramës, duke e cilësuar takimin e PS-së se “ata që ndoqën paraqitjen konstatuan se hyrja e paraqitjes ishin kujtimet e vegjëlisë. Një dokumentar që u kujtoi vlonjatëve të gjeneratës tjetër librin e Enver Hoxhës ‘Kujtimet e vegjëlisë’. Vlora dhe Bregu e di mirë historinë e dajove të tij, është universalisht e njohur: dy burra që po punonin dhe papritmas u kalon një gjë e gjallë. Çfarë ishte? – i thotë daja, dajkos. Lepur- i thotë ai. Jo,- i përgjigjet daja tjetër, nuk ishte lepur, por mace. Ishte, nuk ishte, këta dy burra nuk folën më, njëri me tjetrin, 26 vjet. Kjo është historia e dajave të tij, të cilët edhe kur pas 26 vjetësh, vendosën të shkojnë në një dasmë, e filluan aty ku e kishin lënë, për të mos folur kurrë më, njëri me tjetrin. A e ka zoti Rama, ADN-në, gjenin nga këta dy idhnakë, askush nuk mund të thotë jo, se shkoi dhe e nisi te kujtimet e fëmijërisë. Në çdo vend të qytetëruar, në zgjedhje, absolutisht çdo detaj i kandidatit del në tavolinë. Po t’i bëjmë një analizë, për të kuptuar Ramën duhet të lexojmë Frojdin. Është botërisht i njohur problemi i tij me kompleksin e Edipit. I lidhur patologjikisht me nënën. Fakti që dilte cullak fëmijë ishte gjëja më normale, por ku qëndron djallëzia e kësaj fotoje që nuk e heq nga ekrani? Djallëzia qëndron në faktin se ka frikë se mos i nxjerrin foton lakuriq plazheve, Rama kryetar bashkie apo ministër. Ai ndjek të njëjtën taktikë si në rastin kur shkoi dhe e kapi për flokësh e veshi (diplomatin shqiptar në Austri) dhe për ta zbutur, më pas tha: më kapni pak veshin. E bëri atë histori, simbolin e fushatës së vet”. Lista për deputetë e socialistëve është e mbushur me kriminelë dhe të sapoliruar nga burgu. Kështu i ka komentuar Kryeministri Sali Berisha kandidaturat e paraqitura nga kundërshtarët e tij politikë për zgjedhjet e 23 qershorit. Në konferencën për shtyp, Kryeministri nuk ngurroi të sulmojë dhe kandidatin tjetër të PS-së, Koço Kokëdhima. “Zoti Rama nuk erdhi vetë në Vlorë. E solli Koço Kokëdhima, i cili e ka nisur karrierën e biznesin si asistent i Hajdin Sejdisë. Ai ka qenë përfaqësuesi i kryegënjeshtarit Hajnin Sejdia në Fier. Ju jeni gazetarë, shkoni në Himarë dhe do të shihni dy kullat gjigante të Koços, që ia ‘zhduki’ detin Himarës. Ai solli këtu Ramën, sepse ai është menaxheri i tij, është truri ekonomik i tij. Lidhjet e tyre me njëri-tjetrin kanë kufi qiellin. Edhe në këtë aspekt, mënyra glorioze, qesharake që u paraqit Koçoja në konventë ishte tipike e modelit të tyre. Kur u hap dita e turizmit në Vlorë, Rama në krah kishte Shpëtimin [Gjikën]. Ai tha do ta mbrojmë Vlorën nga betoni. Shpëtimi është betonizues, por Koçoja është i papërmbajtur. Shpëtimi është lule para Koços. Dhe nuk thotë dot kush se Vlorën e betonizoi Sali Berisha, se unë jam kryeministër, në pushtetin qendror”, tha Berisha. Ai u bëri thirrje votuesve të djathtë të tij që të mos votojnë në asnjë mënyrë për kandidatin e pavarur Arben Malaj. Pasdite, PD-ja prezantoi kandidatët për deputetë në Qarkun e Vlorës. Ndërsa ra në sy se ka pasur dhe 4 autobusë me njerëz të ardhur nga Fieri, Berati për mitingun e Vlorës.


 


Postribë


Topalli: Kreu i PS-së, humbësi më i madh i zgjedhjeve


Në një takim me banorët e zonës të Postribës, Jozefina Topalli tha se PD vjen në këto zgjedhje si një forcë politike e premtimeve të mbajtura. Ajo theksoi se qeveria e kryeministrit Berisha do të bëjë çdo reformë për të arritur një tjetër objektiv; heqjen e vizave me SHBA. “23 qershori, u shpreh ajo, do të jetë dita e fitores më të thellë nga ‘92-shi që PD ka arritur ndonjëherë. Në këtë datë, tha Jozefina Topalli, Edvin Rama shkon si humbësi më i madh. “Ka humbur në 2005-n, 2007-n, 2009-n, në 2011-n, ai do të jetë më i humburi i të gjithë të humburve në 2013-n”.