Në kulmin e krizës, Ministria e Financave, tjetër shpenzim për ambientet. I treti brenda vitit
ARD KOLA
Në qershor të 2012-s, Ministria e Financave lidhi një kontratë për rregullimin e parkingut, me vlerë rreth 80 mijë dollarë, ndërsa dy muaj më pas, në gusht, firmosi një tjetër kontratë për rikonstruksionin e disa zyrave, me vlerë 100 mijë dollarë, ku përfshihej edhe zyra e ministrit Ridvan Bode. Në shtator, ministria nënshkruan një shtesë kontrate për parkingun, ndërsa duke i marrë të gjitha së bashku, përfshi edhe ndërtimin e sallës së konferencave (e ribërë një vit më parë) dhe mbledhjeve, Dikasteri i Financave ishte angazhuar për të shpenzuar rreth 400 mijë dollarë, në kushtet kur buxheti ishte “ngrirë” dhe se lejoheshin vetëm veprimet për qëllime të rëndësishme.
Pas këtyre operacioneve, ministria po përgatit një tjetër “investim” me goditje të përqendruar!
Mësohet se në fund të muajit maj, do të zhvillohet tenderi me vlerë 900 mijë dollarë sërish për rikonstruksion zyrash të ministrisë.
Fondi limit i vendosur nga vetë ministri është 92 milionë lekë me TVSH, ndërsa punimet duhet të mbyllen brenda 6 muajve. Fitues shpallet ajo shoqëri që ofron çmimin më të ulët në tender. Sipas afateve të vendosura, lidhja e kontratës përkon me kulmin e zhvillimit të fushatës elektorale.
Procedurat e zhvillimit të tenderit janë hartuar nga vetë zyrtarët e ministrisë, të cilët janë po ata që do të firmosin kalimin e “çekut” 900 mijë dollarësh, pikërisht në një moment kur Bode është në fund të mandatit, pra kemi një konflikt të pastër interesi.
Në gusht të 2012-s, gazeta “Shqip” publikoi lajmin për rikonstruksionin e zyrës së ministrit Bode, me vlerë 100 mijë dollarë, por zyra e shtypit reagoi ashpër duke thënë se janë disa zyra, të cilat nuk ishin prekur prej të paktën 10 vitesh.
Shpenzimet për zyrat vijnë në një kohë kur vendi është duke përjetuar një krizë të fortë në arkën e buxhetit për shkak të mosarkëtimit sa duhet të të ardhurave nga taksat. Të paktën, si tremujor, u regjistruan rreth 40 milionë dollarë më pak të ardhura, me tendencë negative në muajt e ardhshëm.
Sakaq, firmat private në fushën e ndërtimit vijojnë apelin drejtuar qeverisë, konkretisht ministrit Bode për të shlyer faturat e prapambetura të dy viteve të fundit. Vlera e tyre ka kapërcyer shifrën e 150 milionë eurove, ndërsa gjendja sa vjen dhe bëhet më e vështirë. Kujtojmë, se vetë ministri pranoi se në muajt e parë të vitit, gjendja e financave ishte me deficit primar.
Shumë institucione operojnë me buxhet të reduktuar, kurse disave nuk u është miratuar ende plani i shpenzimeve, duke u detyruar t’i blejnë vetë pajisjet e nevojshme (rasti i mësuesve).
Realizimi i një tenderi me vlerë 900 mijë dollarë, në kohën kur drejtuesit e ministrisë janë në diskutim nëse do të vazhdojnë ende të qeverisin pas 23 qershorit, ngre të tjera pikëpyetje për favorizim klientësh dhe hesape për likuidime në ikje.
Në vitin 2012, ministria shpenzoi rreth 400 mijë dollarë për rikonstruksion ambientesh
Qeveria
460 miliardë lekë
borxh te bankat
Interesat e bonove të thesarit kanë cekur një tjetër minimum historik. Në ankandin e fundit të Bankës së Shqipërisë, bonot njëvjeçare, letra me vlerë përmes të cilave qeveria merr borxh në tregun e brendshëm, u tregtuan me interes 5.9%. Ky është niveli më i ulët i të gjitha kohërave. Interesat kanë rënë për të gjitha afatet e maturimit, përfshirë dhe borxhin afatgjatë, i cili merret përmes obligacioneve. Qeveria shqiptare ka rreth 460 miliardë lekë borxh në tregun e brendshëm, pjesa më e madhe e të cilit është në bono njëvjeçare. Ulja e interesave në këto nivele, sipas ekspertëve në Ministrinë e Financave, mund t’i kursejë buxhetit këtë vit rreth 50 milionë euro. Por, ndonëse në dukje një lajm i mirë për financat e shtetit, ulja e interesave për borxhin e qeverisë është në fakt simptomë e krizës ku është zhytur sektori privat. Depozitat në sistemin bankar janë në nivelet më të larta historike. Por, edhe me këtë likuiditet të bollshëm, bankat nuk kreditojnë privatët. Qeveria është shndërruar në klientin e vetëm ku bankat investojnë fondet e tyre, çka po dikton dhe uljen e shpejtë të interesave. TCH