konventa e PS, ramaPartia Socialiste nisi sot rreth orës 16:00 ditën e dytë të Konventës Zgjedhore, gjatë punimeve të së cilës u prezantua në detaje programi 4-vjeçar për një “Rilindjes Kombëtare”.


Gjatë fjalës së tij në ditën e dytë të Konventës së PS-së, kryesocialisti Edi Rama shprehu besimin se njerëzit e thjeshtë më 23 qershor do të votojnë PS për të ndryshuar të ardhmen e vendit, pasi siç u shpreh ai PS është e vendosur në kauzën e saj për ndryshimin që ky vend meriton dhe t’i japim shqiptarëve ‘rilindjen’ që duan.

“Një muaj nga sot shqiptarët do të votojnë për të vendosur për të ardhmen e këtij vendi. Do të votojnë nëse do të qëndrojnë kështu, duke e lënë vetën në inercinë e rrugës së rrënimit, me këtë qeveri, pavarësisht skandaleve dhe dështimeve, gënjeshtrave dhe korrupsionit apo nëse me votën e tyre, do të ndryshojnë rrugën e vendit dhe të jetës së tyre duke hapur shtegun e një rilindjeje për një të ardhme me shpresa, apo për 4 vite të tjera si këto, për një fillim të ri apo për të vijuar avazin e vjetër. Në këtë sallë, ne e dimë sesi do votojmë. Gjithkush këtu do të votojë, PS, sepse ne të gjithë jemi të përkushtuar ndaj vizionit dhe kauzës sonë të përbashkët. Ne gjithë jetojmë, hamë, pimë, tresim dhe flemë dhe ngrysemi me politikë. Ne do të luftojmë më gjithë vullnetin dhe energjinë tonë që përmes politikës të biem ndryshimin që ky vend meriton dhe t’i japim shqiptarëve ‘rilindjen’ që duan”, tha Rama.

Kreu i PS-së, theksoi se 23 qershori është betejë mes dy të kundërtave: mes politikës e përkushtuar për pushtet, dhe politikës për njerëzit.

“Kjo nuk është një betejë mes dy të njëjtave, mes dy anëve të një medalje, por beteja e Shqipërisë të së shkuarës dhe të së ardhmes. Betejë mes dy botësh, mes botës politike e përkushtuar tek zgjatimi për pushtet, dhe botës së një politike që dëshiron të shkëputet për t’u bashkuar me botën e politikës për njerëzit. Me një botë që është mes nesh megjithëse nuk e kemi prekim në Shqipërinë tonë, që quhet familja e Europës së bashkuar”, – tha Rama.


Ai nënvizoi se shtresat e mesme do të ndihmohen përmes taksimit të ndershëm, kush fiton më pak paguan më pak dhe kush më shumë paguan më shumë, e jo me rritje qesharake rrogash.


“U themi mësuesve, policëve, infermierëve e rrogëtarëve të shtetit se rritja e rrogës që shoqërohet me rritje inflacion, rritje çmimesh dhe rënie të fuqisë blerëse nuk është zgjidhje, por hile. Kjo zgjidhet përmes taksimit të ndershëm. Taksimi i ndershëm është: kush fiton më shumë paguan më shumë dhe kush fiton më pak paguan më pak. Me taksimin e ndershëm do të fitohet një rrogë më shumë në fund të vitit. Kjo është arsyeja përse ne jemi ndryshe me ata”, ka nënvizuar Rama.


“Për ata mjafton të jetojnë mirë vetë bashkë me një grup njerëzish dhe s’e kanë problem që pasuritë e vendit të jenë përqendruar në më pak se 5 për qind të popullsisë. Ne duam t’i ulim taksat për 95 për qind. Në Shqipëri do vendoset një ekuilibër i ri duke i ndarë drejt përgjegjësitë”, ka vijuar kreu i PS.


Më tej ai folo edhe për ngjarjen e 21 janarit, duke premtuar se zbardhja e saj do të rivendosjë themelet e një sistemi gjyqësor tërësisht të rrënuar.


“21 janari është çështja që do të vendosë në themelet e drejtësisë të drejtën. Ne nuk do gjejmë paqe derisa vrasësit dhe urdhëruesit e vrasjeve të shkojnë përpara drejtësisë”, ka theksuar Rama, i cili premtoi edhe rivendosjen e rendit në vend.

“300 ditë na duhen, do ta zmbrapsim krimin, do ta kthejmë andej nga ka dalë dhe do të vendosim përballë shqiptarëve një polic dinjitoz në shërbim të shtetit”, ka shtuar Rama.


Shëndetësia ka qenë një tjetër pikë e prekur prej tij, duke premtuar ofrimin e një sistemi shëndetësor falas dhe jo vetëm për ata që kanë mundësi të paguajnë.


PS prezanton programin për Rilindje


Për më tepër se tre orë përfaqësues të PS kanë prezantuar në mënyrë të detajuar programin për një Rilindje Shqiptare në të gjithë sektorët.


Ilir Beqja: Programi ofron punësim real, model të ri ekonomik, ekonomi rurale dhe produktive që furnizon tregun e brendshëm dhe jep të ardhura. Sfida është e vështirë, por tërësisht e mundur.


Taulant Balla: Këto 8 vjet kemi treguar qindra histori korrupsioni. Një biznesmen i huaj erdhi në Shqipëri, takoi kryeministrin dhe pas dy orësh përfundoi në zyrën e konsulencës së vajzës së tij, ku iu vendos haraçi prej 3 milionë eurosh. Ne e konsiderojmë luftën kundër korrupsionit një prioritet.


Sajmir Tahiri: Në 300 ditët e para do rivendosim rendin, do kthejmë policinë në krye të detyrës dhe do luftojmë e parandalojmë krimin.


Eduard Shalsi: Do rimarrim nën kontroll pasuritë natyrore të Shqipërisë dhe do t’ua kthejmë shqiptarëve. Gjithashtu, ne do t’i japim fund kontrabandës së naftës dhe evazionit fiskal.


Vasilika Hysi: Partneritet të ri me biznesin, klimë lehtësuese, heqja e taksës së biznesit të vogël, heqja e referencave aktuale në dogana e tatime.


Erjon Veliaj: Shkollat të hapura gjatë gjithë kohës për t’u përdorur nga komuniteti për veprimtari artistike dhe kulturore. Kjo do jetë qeveria e parë që e ka kthyer çështjen e sportit me rëndësi.


Artan Lame: Do ndërtojmë autostradën e parë shqiptare, do e lidhim Shqipërinë me 5 akset kryesore në standard dhe aks të vetëm, për të integruar veriun me jugun.


Dita e dytë e Konventës së PS, Rama: Kryeministri i ardhshëm zgjidhet nga Kushtetuta


Para nisjes së ditës së dytë të Konventës Kombëtare, kreu i Partisë Socialiste Edi Rama ka zhvilluar një bashkëbisedim me gazetarë. Rama i është përgjigjur interesit të gazetarëve mbi punimet e Konventës, zgjedhjen kryeministrit të ardhshëm nëse e majta fiton zgjedhjet, votimin e 3 ligjeve të kërkuar asi kusht nga BE dhe programin e PS.


I pyetur për çështjen e kryeministrit, Rama theksoi se Aleanca për Shqipërinë Europiane është kompakte dhe se PS është forca udhëheqëse e saj. ” Të jeni të sigurt se asnjë lloj diversioni mbi fjalime apo fjali të thëna mes entuziazmit të fushatës elektorale nuk funksionon, Aleanca është kompakte, PS është në sintoni dhe sinkronizim me LSI dhe aleatët e tjerë dhe mos kini merakun më të vogël se kush do jetë kryeministri pas fitores është gjëja më e thjeshtë dhe më e shpejtë për t’u zgjidhur, bazuar në çfarë thotë Kushtetuta dhe vullneti i popullit. Në këtë pikë më vjen keq, por nuk keni çfarë peshkoni se Saliu ka mbetur pas ngjalave dhe i duhet të peshkojë, por fatkeqësisht po peshkon në tokë të thatë.


Se kush do të jetë Kryeministri pas fitores së 23 qershorit, kjo është gjëja më e thjeshtë dhe më e shpejtë për t’u zgjidhur bazuar mbi atë që thotë Kushtetuta dhe vullneti i popullit”, tha Rama.


Kreu i PS-së vlerësoi se skuadra e Rilindjes është më e mira e të gjitha kohërave dhe u shpreh i bindur në fitoren e 23 qershorit. Ndërsa për çështjen e tre ligjeve, Rama ka deklaruar se PD nuk është dakort për ti votuar. “Nuk është dakort PD. Le të vijojë PD t’i votojë, nëse duan vërtet statusin kandidatit. Statusi merret në fund të vitit, dhe nëse varet nga këto 3 ligje, urdhëro t’i votojmë dhe të hyjmë në fuqi me parlamentin e ri me qëllim që në muajin e verës, kur të jenë duke ngritur pantallonat për të ikur, mos të thonë ato që thonë”, tha ai.


20 maj 2013 (gazeta-Shqip.com)