Viti i ri akademik pa “kuponë” për maturantët, jopublikët nuk marrin asnjë qindarkë nga shteti
Lorina Mixha
Strategjia e arsimit të lartë ku përfshihej kryesisht skema e financimeve të universiteteve publike dhe private mbetet e pamiratuar. Sipas ministrit të Arsimit dhe Shkencës, në fillim të këtij viti kjo strategji duhet të miratohej deri në muajin qershor. Pas shpërndarjes së strategjisë pranë universiteteve në të gjithë vendin, pritet të diskutohej parimisht dhe në vija të trasha mes ekspertëve në Komisionin Parlamentar të Arsimit para nisjes së procedurave për ligjërimin e plotë të këtij drafti.
Por Komisioni i Çështjeve të Arsimit në javën e fundit të punës, nuk ka njoftuar dhe nuk parashikon asnjë mbledhje, përfshi këtu edhe diskutim mes anëtarëve për sa i takon strategjisë së arsimit të lartë për dhjetë vitet e ardhshme dhe skemën e financimit të universiteteve publike e private me paratë e buxhetit të shtetit, ku hedhin paratë çdo muaj taksapaguesit shqiptarë.
Emrat e grupit të punës që hartuan strategjinë nuk janë bërë publike, ndërkohë që për nisjen e diskutimit të një drafti të tillë deri në miratimin përfundimtar do të duhej minimumi gjashtë muaj.
Kjo strategji mbeti e pamiratuar, e pakundërshtuar edhe nga opozita, pasi edhe sipas teknikëve të arsimit, koha në të cilën u parashikua të miratohej ishte në situatë zgjedhore, kur asnjëra nga partitë politike dhe eksponentë të tyre nuk duan të prishin “qejfin” me universitetet, drejtuesit, profesorët e studentët, të cilët janë votues e kontribuues në situatën zgjedhore.
Financimi i universiteteve private, statusi jofitimprurës i institucioneve të arsimit të lartë është një temë delikate në situatë zgjedhjesh, por e rëndësishme për premtimet që janë bërë vit pas viti në lëmin e arsimit.
Kështu edhe për vitin e ri akademik në muajin tetor, universitetet publike e private do të vijojnë me të njëjtën logjikë ekonomike, me të njëjtat kushte, ndërkohë që buxheti i parave të shtetit që do të duhej t’i jepej privatit do të shtyhet të paktën për një vit tjetër. Kuponët për maturantët e shkëlqyer për rimbursimin e studimeve në një nga universitetet e parapëlqyera të tyre.
Sipas draftit të ripërpunuar, bazat për të cilën janë hedhur tre vjet më parë, universitetet në vend do të përfshihen nga rregulla të reja duke nisur nga diferencimi dhe shpërndarja e fondeve. Sipas propozimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, drafti i strategjisë vendos kritere dhe metoda të reja për shpërndarjen e fondeve, por edhe mënyra alternative për përthithje të parave shtesë.
Sipas këtij drafti, i cili i ofron një klimë të favorshme universiteteve private, të cilat deri më tani nuk kanë marrë asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit, një pjesë e mirë e parave do t’u shkojë atyre institucioneve që zhvillojnë rajonin, universiteteve që do të hapin programe të reja në varësi të kërkesave të tregut të punës, por sidomos atyre fakulteteve që do të hapin programe dyvjeçare dhe do të japin diploma profesionale dyvjeçare universitare. “Për programet e diplomave të dyfishta double major, do të vendoset fond i disponueshëm sipas nevojës që t’i ndihmojë ata që të zhvillojnë programe të reja, të cilat përfshijnë dy mbas tri lëndë nga degë të ndryshme, programet mund të marrin formën e diplomave të dyfishta ose një diplomë major dhe dy minor”, thuhet në draft. Po ashtu sipas projektit, do të ketë fond të disponueshëm sipas nevojës për të gjitha universitetet për zhvillimin e diplomave të reja profesionale dyvjeçare, në fusha të përshtatshme për rajonin e universiteteve. Fondi mund të përbërë bazën për thithjen e të ardhurave për universitetet jashtë Tirane.
Çfarë parashikon strategjia
Programe të dyfishta
“Për programet e diplomave të dyfishta double major, do të vendoset fond i disponueshëm sipas nevojës që t’i ndihmojë ata që të zhvillojnë programe të reja, të cilat përfshijnë dy mbas tri lëndë nga degë të ndryshme, programet mund të marrin formën e diplomave të dyfishta ose një diplomë major dhe dy minor”, thuhet në draft.
Universitetet rajonale
“Institucionet e arsimit të lartë synojnë që të zhvillojnë struktura si qendra të zhvillimit rajonal për të ndihmuar në kërkesat e rajonit të tyre për shembull organizimin e kurseve për drejtim për ndërmarrjet lokale. Çdo universitetet duhet të ketë një mekanizëm që në mënyrë aktive inkurajon të tilla veprimtari nëpërmjet bashkëpunimit si brenda universitetit, ashtu edhe me komunitetin jashtë tij. Gjithashtu, disa nga aktivitetet e kërkimit shkencor të universiteteve në Tiranë duhet edhe të ndihmojnë në zhvillimin rajonal”, thuhet në strategjinë e arsimit deri në vitin 2020.
Tarifat më të larta
Pritet të ketë rishqyrtim dhe rivlerësim të çmimeve të tarifave shkollore dhe studimeve në përgjithësi edhe në universitetet private. “Tarifat që studentët paguajnë do të jenë të lidhura me koston e ofrimit të studimeve, duke diferencuar sipas cikleve të studimit fushës së studimit, si dhe vendndodhjes së universiteteve. Universitetet do të lejohen të mbartin në vitin e ardhshëm financiar fondet e tyre të papërdorura, pa reduktim në fondet buxhetore të vitit pasardhës”, thuhet në draftin e përgatitur nga Ministria e Arsimit.
Kredia
Hua studentore për tarifat e universiteteve
Qeveria do të prezantojë një sistem për huat studentore në mënyrë që çdo student i pranueshëm për hua të mos ketë nevojë të paguajë për tarifat studimore përgjatë periudhës së studimit.
“Të gjithë studentët e rinj, pavarësisht rrethanave të tyre sociale apo ekonomike, nuk duhet të frenohen në dëshirat e tyre për shkollim. Skema e kredidhënies do të dizajnohet për të siguruar kredi, për të mbuluar tarifat e studimit të studentëve, kështu që situata financiare e familjeve të tyre nuk është domosdoshmërisht relevante.
Brenda skemës, qeveria mund të japë ndonjë formë subvencionimi ose garanci, si dhe periudha pauze në situata të veçanta”, referon drafti, në pjesën e burimeve financiare.
Tarifa që studentët paguajnë do të jetë e lidhur me koston e ofrimit të studimeve, duke e diferencuar sipas cikleve të studimit, fushës së studimit, si dhe vendndodhjes së universiteteve.