Të ashtuquajturit “Tatuazhi” dhe kushëririt të tij u dokumentohet një tjetër vjedhje me armë


Fatjon Demiri dhe Gentjan Hasanaj dyshohen edhe për grabitjen e një kamerieri në shkurt të këtij viti


Silvana Muça


grabitjaGrabitësit duket se janë bërë më të guximshëm në këtë kohë, duke sulmuar me armë, jo vetëm dyqane, lokale dhe lojëra fati, por edhe autobusë. Një ngjarje e tillë ka ndodhur në periferi të Tiranës, ku dy persona kanë hyrë me armë në një autobus linje, duke grabitur paratë e fatorinos, të shoferit dhe të disa pasagjerëve. Grabitja ka ndodhur rreth një javë më parë, ndërkohë që policia ka mundur të identifikojë dy grabitësit, të cilët rezultojnë se janë arrestuar për një tjetër vjedhje me armë. Bëhet fjalë për të arrestuarin e njohur me pseudonimin “Tatuazhi” dhe shokun e tij, të cilët u ndaluan fillimisht për grabitjen e një kamerieri. Lajmi konfirmohet nga burimet e policisë së kryeqytetit, që bënë të ditur se një tjetër grabitje me armë zjarri i është dokumentuar Fatjon Demirit, i njohur me pseudonimin “Tatuazhi” dhe Gentjan Hasanaj, respektivisht 23 dhe 24 vjeç, të dy me origjinë nga Bulqiza. Sipas policisë, ata janë autorët e grabitjes së autobusit të linjës Bathore-Zallher në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur disa ditë më parë, rreth orës 20:00, kur dy persona të armatosur dhe të maskuar, kanë ndaluar autobusin. Nën kërcënimin e një kallashnikovi, ata kanë grabitur fatorinon, shoferin dhe pasagjerët që kanë qenë lart. Shuma e parave ka qenë e konsiderueshme, rreth 40 mijë lekë të reja. Menjëherë pas grabitjes, në vendin e ngjarjes ka shkuar policia, e cila ka nisur punën për identifikimin, lokalizimin dhe arrestimin e autorëve të krimit. Në cilësinë e dëshmitarëve, policia ka marrë në pyetje disa pasagjerë, drejtuesin e mjetit dhe fatorinon. Këta të fundit thonë se nuk kanë qenë në gjendje që të identifikojnë autorët e krimit, por gjithsesi kanë dhënë disa detaje dalluese të tyre. Tatuazhi në pjesën e qafës duket se ka qenë shenja identifikuese e grabitësit Demiri, e cila e ka fundosur, duke e çuar në pranga. Hije dyshimi policia ka ngritur edhe ndaj shoferit, duke thënë që ai mund të ketë bashkëpunuar me grabitësit në shenjë hakmarrjeje ndaj pronarit të linjës, i cili prej disa muajsh nuk u ka dhënë pagat punonjësve të tyre. Gjithsesi, ky version mbetet për t’u zbardhur nga grupi hetimor. Mësohet se Hasanaj dhe Demiri, të cilët janë kushërinj të parë, djem tezesh, dyshohet se prej kohësh bashkëpunonin me njëri-tjetrin, në grabitjen e banesave, qytetarëve në rrugë dhe së fundmi, në grabitjen e autobusit. Fillimisht, policia kishte nisur hetimin ndaj tyre për grabitjen e autobusit. Por, gjatë këtij procesi, policia ka dokumentuar grabitjen e kamerierit, Ervin Cana, ngjarje e ndodhur më 27 shkurt të këtij viti. Disa ditë pas arrestimit të kushërinjve për grabitjen e Canës, policia zbuloi edhe ngjarjen e autobusit. Ende nuk dihet numri i grabitjeve të dy të rinjve, por policia po heton për ta. Banorët e zonës së Kamzës bëjnë me dije se “Tatuazhi” njihet si person i rrezikshëm në Kamzë. Hasanaj dhe Demiri fillimisht u arrestuan vetëm për grabitjen e kamerierit Ervin Cana, i cili u sulmua rreth 3 muaj më parë, në orët e vona të natës, në momentin që ai po kthehej nga puna. Nën kërcënimin e pistoletës, kushërinjtë e “famshëm” të Kamzës i kanë bërë pritë presë së tyre, për t’i kërkuar të gjitha paratë që kishte me vete. Ngjarja ka ndodhur në qendër të Kamzës, në rrugën “Albanët” dhe pas kësaj Cana i është drejtuar policisë. Në dëshminë e dhënë para grupit hetimor, kamerieri ka thënë që njëri prej grabitësve kishte një tatuazh, në pjesën e qafës. Disa ditë më parë, në kuadër të operacionit të koduar “Tatuazhi”, policia bëri të mundur arrestimin e personave të dyshuar për grabitjen e autobusit. “Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një armë zjarri tip pistoletë, një automatik model – 56, me 63 copë fishekë. Ndër të tjera, të rinjve iu janë sekuestruar një thikë, çanta me litar, doreza, kapuç, e të tjera sende që kanë shërbyer për realizimin e veprës penale”, pohojnë burimet policore. Sipas tyre, dyshohet se ky nuk është rasti i vetëm që të rinjtë kanë kryer grabitje me dhunë dhe armë zjarri. Personi i njohur me pseudonimin “Tatuazhi” njihet në zonën e Kamzës për vepra të dyshimta kriminale, kryesisht vjedhje dhe grabitje.