“Sotto Traccia Al”
Drejtësia italiane ka sjellë kërkesat për ekstradimin e shtatë shqiptarëve të arrestuar në operacionin e përbashkët ndërkombëtar, të koduar me emrin “Sotto Traccia Al”, pasi dyshohen për trafik ndërkombëtar droge. Lajmi konfirmohet nga burimet pranë organit qendror të akuzës, ku kërkesat tashmë i janë shpërndarë gjykatave përkatëse, në Tiranë, Elbasan, Durrës dhe Vlorë, ku të arrestuarit për trafik droge banonin para se të arrestoheshin. Listën e kërkesave për ekstradim, mësohet se e kryeson librazhdioti Festim Hoxha, vëllai i të dyshuarit kryesor si drejtues i rrjetit të trafikut të drogës në gjashtë shtete të Europës, të arrestuarit në Itali, Dritan Hoxha. Kjo listë vazhdon me të dyshuarit Altin Poda, Sokol Tafani, Besnik Lleshi, Hygert Allko, Rezart Jaho dhe Brunild Ramaj. Të gjithë këta të dyshuar, sipas prokurorisë, akuzohen si pjesë e rrjetit të trafikut të drogës të përbërë nga 34 persona, të gjithë të prangosur në 6 vende të Europës, në Itali, Holandë, Belgjikë, Francë, Zvicër dhe Spanjë. Ky rrjet i sofistikuar, sipas akuzës, ka funksionuar për disa vite në këto 6 vendet e Europës, duke trafikuar dhe shpërndarë në lokalet e natës kokainë, heroinë dhe ekstazi. Ndërkohë në Shqipëri, pasuria e tyre po verifikohet në bazë të ligjit “Antimafia”, pasi dyshohet se të ardhurat e trafikut të drogës janë investuar në Shqipëri. Gjykata pritet në ditët në vazhdim të vendosë pro ose kundër ekstradimit të tyre drejt Italisë, bazuar në marrëveshjen dypalëshe për ekstradimet. Arrestimi i shtatë personave të kërkuar nga Italia u krye më 10 prill të këtij viti nga ana e Departamentit Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda gjatë operacionit të koduar “Sotto Traccia – Al”. Iniciativën për fillimin e hetimeve në lidhje me këtë operacion ndërkombëtar e ka pasur autoriteti policor italian. Këto hetime janë zhvilluar në një hark kohor disavjeçar, duke u shtrirë në disa vende të BE-së.