Katër shqiptarë merren peng nga pronari grek, Policia: S’dimë gjë

Greqi

Historia misterioze mendohet se ka ndodhur në Kretë dhe u denoncua nga një prej pengjeve

Sipas pengut Klodian Marku, pronari grek dyshonte se i kishin grabitur me armë në shtëpi 25 mijë euro

policia grekeDenoncimi i një familjeje nga Thumana e Krujës se katër të rinj shqiptarë janë marrë peng nga një pronar grek në Kretë të Greqisë ka sjellë një histori plot mistere, pasi Ministria e Brendshme e vendit helen dhe ambasada jonë atje, kanë deklaruar se nuk janë në dijeni të një fakti të tillë. Megjithatë, një prej pengjeve ka telefonuar familjen, duke u shprehur se pengmarrja është kryer për shkak të një vjedhje të ndodhur në shtëpinë e grekut pengmarrës dhe ai kërkonte 25 mijë euro për lirimin e tyre. Historia ka nisur që mesnatën e së shtunës, ndërkohë që shqiptari shprehet se ka mundur të arratiset nga greku, bashkë me shokët e tij dhe ndodhen të fshehur në mal, por kanë frikë të dorëzohen në polici.

Pengmarrja

Për zbardhjen e kësaj historie është përfshirë vetë kryetari i Komunës Thumanë në Krujë, Artur Bushi, i cili është kandidat për deputet i PS-së në Qarkun e Durrësit. Kandidati për deputet ka qenë personi që ka marrë njoftimin e parë nga ana e familjarëve të katër të rinjve të marrë peng. “Më ka telefonuar familja e Klodian Markut, duke më thënë se i kishin marrë djalin peng. Jam nisur menjëherë për në fshatin Dukagjin dhe pasi kam takuar familjarët e tij, jam vënë në dijeni se bashkë me të ishin marrë peng Fatjon, Kristian dhe Mark Rregalla, po nga e njëjta zonë. Kam kontaktuar menjëherë me drejtuesit e policisë së rrethit, të cilët janë angazhuar me qëllim për të sqaruar situatën. Ndërkaq, bashkë me policinë, kemi mundur të kontaktojmë me Klodian Markun. Ai na ka vënë në dijeni se tri ditë më parë ishte shoqëruar, bashkë me tre shokët nga policia greke, pasi një pronar grek i kishte denoncuar si të dyshuar për një grabitje banese, ku ishin marrë 25 mijë euro”, ka rrëfyer Bushi për bisedën me Markun. Duke u bazuar në këtë denoncim, policia greke kishte bërë shoqërimin e katër të rinjve dhe më pas kishte kryer hetimet e nevojshme, por që nuk ka pasur prova për implikimin e tyre në këtë ngjarje kriminale. “Të katërt banorët e komunës time, me të dalë nga rajoni i policisë greke, janë marrë peng nga familjarët grekë, që pretendonin se ishin grabitur dhe i kanë izoluar shqiptarët në një vend të panjohur. Aty, grekët i kanë rrahur e masakruar, duke i torturuar, por u kanë lënë telefonin për të komunikuar me familjarët e tyre në Shqipëri, me qëllim që t’u dërgonin 25 mijë euro, aq sa ishte shuma e grabitur në banesë. Banorët e komunës time më thanë më vonë në telefon se mbaheshin peng në Kanja të Greqisë dhe u kishin vënë afat 24 orë për të marrë paratë”, shprehet kryekomunari.

Arratisja

Por, dje në mesditë, familja e Klodian Markut mësohet se është vënë në dijeni se katër pengjet kishin mundur të arratisen dhe të fshihen në mal. Megjithatë, ata janë shprehur për familjarët se kishin frikë të dorëzohen në polici, pasi këta të fundit kanë qenë të pranishëm kur janë marrë peng dhe nuk kanë kryer asnjë veprim. Në këto kushte, Artur Bushi ka apeluar që Interpol-Tirana të ndërhyjë për të gjetur shqiptarët dhe për të sqaruar rrethanat e ngjarjes, duke shpjeguar se ata kanë edhe telefon, me të cilin mund të kontaktojnë me ta. Nga ana tjetër, Ministria e Brendshme greke dhe ambasada shqiptare atje janë shprehur se nuk janë në dijeni të rastit dhe se policia nuk është përfshirë në ndonjë operacion për lirimin e pengjeve. Megjithatë, e gjithë kjo histori pritet të sqarohet pas gjetjes së katër shqiptarëve, me qëllim për të dërguar para përgjegjësive penale edhe autorët e saj.

Autor te 20 Maj 2013. Aktualitet, Kryesoret. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry