Ashtu si receta origjinale e Nutella, edhe ajo e Coca Cola është mbajtur gjithmonë sekret për ta mbrojtur nga imitimet. Por tashmë një çift nga Georgia, pretendon se ka zbuluar sekretin e pijes së famshme dhe receta e Coca Cola është hedhur në ankand në eBay me një çmim fillestar prej 5 milionë Dollarë.
Historia ka nisur pas blerjes së disa relikeve, ku Cliff e Arlene Kluge kanë arritur të blejnë për 100 dollarë një sirtar të mbushur me dokumente të vjetra dhe letra të pazbuluara. Sipas tyre, mes tyre kanë gjetur një letër të vitit 1943, ku shpjegohet e gjithë formula e pijes, përbërësit dhe procedurat që ndiqen.
“Cilido që e ka shkruar ka parë recetën origjinale”, ka pohuar Cliff, i cili i ka treguar shtypit një kopje të dokumentit me disa fjalë të panjohura. Por deri më tani, askush nuk është ofruar të paguajë 5 milionë dollarë për një letër në eBay. Ndërkohë ankandi mbyllet mbrëmjen e sotme në orën 18:10 (ora lokale).
20 maj 2013 (gazeta-Shqip.com)