Eliminohet Dortmundi dhe Beshiktashi, në lojë për trofe vetëm shqiptarët e U-19 të Olimpiakosit


Altin Manallari


Lorik Aliu gjate testimit me bluzen e DortmunditTalentet e rinj janë ata që nuk i kanë munguar asnjëherë Shqipërisë. Por vitin e fundit, edhe falë një punë të mirë të zyrës së zbulimit të talenteve në FSHF, futbolli shqiptar po njeh një bum elementesh të reja, të cilët janë një garanci për perspektivën premtuese të kombëtares së madhe. Gjatë ditëve të fundit është folur shumë për pjesëmarrjen e dy futbollistëve të rinj kosovarë të Prishtinës, të cilët po i nënshtrohen testit të dytë brenda pak ditëve në radhët e gjigantit të futbollit gjerman, Borusia Dortmund. Bëhet fjalë për Enis Gavazajn dhe Lorik Aliun, të cilët janë përfshirë në ekipin U-19 të finalistëve të Champions League dhe prej dy ditësh marrin pjesë në turneun e përvitshëm ndërkombëtar të kësaj moshe me emrin “Spax-Cup”, që po zhvillohet në Gjermani. Në këtë turne marrin pjesë 8 skuadra U-19 të ndara në 2 grupe. Në grupin e parë bëjnë pjesë brazilianët e Botafogo FR, turqit e Beshiktashit gjermanët e Borusia Dortmund dhe FC Këlnit. Ndërsa në grupin 2 janë përfshirë grekët e Olimpiakos të Pireut, holandezët e FC Tvente Enshede dhe dy ekipet gjermane, Shalke 04 dhe TuS Ennepetal. Por nëse i hedhim një sy organikës së skuadrave pjesëmarrëse, shikojmë se në këtë turne të njohur ndërkombëtare për skuadrat e moshës U-19, Aliu dhe Gavazaj nuk janë shqiptarët e vetëm. Numrin më të madh të talenteve shqiptarë, madje e ka Olimpiakos i Pireut, që kanë në radhët e tij plot katër futbollistë shqiptarë. Klodian Gjino, Arbi Ranxha, Ardit Toli dhe Arbi Lalo. Ndërkohë që një tjetër bashkëkombës i yni është integruar në skuadrën turke të Beshiktashit. Ai është i riu Blendi Memaj, 18-vjeçari nga Prizreni, i transferuar në radhët e skuadrës turke vetëm gjatë janarit të 2013-s. Të gjithë këta futbollistë janë të përshirë në kombëtaret e moshave të Shqipërisë, U-19 dhe U-21. Të dielën janë luajtur dhe ndeshjet e dyta në grupet përkatëse, ku bie në sy eliminimi i Borusias së Dortmundit dhe i Beshiktashit, ndërsa është kualifikuar për në gjysmëfinale skuadra e katërshes shqiptare, Olimpiakosi, i cili ka koleksionuar 2 fitore dhe një humbje. Dortmund në mesditë barazoi 1-1 me Këlnin. Në fushë si titullarë zbritën Aliu me bluzën numër 13 dhe Gavazaj me bluzën me numër 8 (ky i fundit u zëvendësua në minutën e 37). Në sfidën e radhës Botafogo FR mundi 1-0 Beshiktashin, prizrenasi Memaj u aktivizua si zëvendësues vetëm në minutën e 43-të, duke zënë vendin e Bilgiç. Më pas Olimpiakos i Pireut triumfoi 3-0 ndaj Tvente Enschedes. E dha kontributin e tij edhe mesfushori Kombëtares tonë U-19, i cili luajti si titullar gjatë gjithë ndeshjes. Ndeshja pasardhëse ishte ajo mes Beshiktashit dhe Dortmundit, e fituar 1-0 nga gjermanët. Në radhët e turqve nuk pati asnjë minutë për Memajn, ndërsa për Borusian, Aliaj ishte titullar bashkë me gavazajt, që sërish u zëvendësua në minutën e 26-të nga Benkart, i cili shënoi edhe golin e vetëm të fitores. Ndeshja e fundit e ditës së djeshme ishte ajo mes Olimpiakosit dhe Shalkes, ku grekët e kualifikuar që më parë, pësuan një humbje 2-0. Edhe në këtë ndeshje i vetmi shqiptar i aktivizuar ishte Klodian Gjino, i cili u fut në fushë si zëvendësues në minutën e 26-të. Ndërsa Dortmundi i Aliut e Gavazjat dhe Beshiktashi i Memajt janë eliminuar, Olimpiakos i Gjinos me shokë do të ndeshet sot në gjysmëfinale me brazilianët e Botafogos.


 


 


Talentet shqiptarë


 


Borusia Dortmund U-19


Lorik Aliu


Enis Gavazaj


Olympiacos Pireus U-19)


Klodian Gjino


Arbi Ranxha


Ardit Toli


Arbi Lalo


Besiktash Istanbul U-19


Blendi Memaj