HIV AIDS


Statistikat e 2012: Në më pak se pesë muaj 35 të rinj të prekur nga SIDA


Lorina Mixha


protesta per SIDANë vendin tonë brenda një periudhe pesëmujore regjistrohen rreth 35 të infektuar të rinj me virusin HIV/AIDS.


Për muajt e parë të vitit kjo shifër konsiderohet e lartë krahasuar me statistikat e viteve të kaluara për të njëjtën periudhë kohore.


Këto janë të dhënat e fundit të Institutit të Shëndetit Publik. Sipas ekspertëve të ISHP-së edhe nga përfundimet e takimit të fundit të specialistëve në konferencën e sëmundjeve infektive, rezulton se virusi gjendet brenda vendit, dhe nuk mund të thuhet se është importuar nga jashtë, siç referohej vite më parë.


Kjo rrit më tej rrezikun për të rritur numrin e të infektuarve në vend, sidomos për grupet e konsideruara si kontingjent në rrezik si në rastin e ndërrimit të shpeshtë të partnerëve, marrëdhëniet e pambrojtura seksuale.


Virusi qarkullon në vend, nuk është më i importuar nga jashtë, kryesisht nga emigrantët.


Një indikator mjaft i rëndësishëm për vlerësimin e peshës specifike qe zë HIV/AIDS mbetet numri i testimeve vullnetare për HIV. Problem madhor në vend mbeten pikërisht mungesa e dëshirës së të rinjve për t’u testuar, pavarësisht numrit të lartë të qendrave të vendosura në dispozicion në të gjithë vendin. Janë rreth 12 qendra testimi për HIV/AIDS në të gjithë vendin.


Një pjesë e mirë e pacientëve paraqiten në gjendje të rënduar shëndetësore, ndërsa informohen se janë bartës së virusit pas analizave të rastësishme apo pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.


Specialistët e ISHP-së sqarojnë se numri i lartë i të prekurve nga HIV për këtë periudhë kohore, nga janari në muajin maj regjistrohet edhe për shkak të një numri të konsiderueshëm të emigrantëve të kthyer në vend.


Sipas evidencave të Institutit të Shëndetit Publik pjesa më e madhe e të infektuarve i përkasin grupmoshës 25-40 vjeç Në mbi 90 për qind të rasteve rruga e transmetimit mbeten marrëdhëniet seksuale. Shqipëria numëron sot zyrtarisht 607 persona që jetojnë me HIV, mes tyre dhe 28 fëmijë.


Personat e prekur nga HIV AIDS në vendin tonë kanë ardhur drejt rritjes, nga viti në vit. Por, numri i fëmijëve të prekur nga sëmundja ka ardhur në ulje, një referencë e mirë për vendin tonë. Të prekurit janë kryesisht nga qytete të zhvilluara, pavarësisht se në hartën e statistikave rezulton të jenë infektuar me HIV/AIDS të gjithë shqiptarët nga veriu në jug.


Në Shqipëri, në periudhën janar–nëntor 2012 janë identifikuar 70 raste te reja të diagnostikuara me HIV /AIDS.


Nga rreth 600 persona të prekur me virusin HIV, 30 për qind janë femra. Të dhënat bëjnë të ditur se 93 për qind e këtyre rasteve infektimi është marrë nëpërmjet marrëdhënieve seksuale.


Sakaq, një vit më parë, në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë u raportua nga ISHP, infektimi i fëmijëve me HIV/AIDS në spital dhe jo nga prindërit. Katër fëmijë janë prekur nga HIV/AIDS gjatë vitit 2012. Dy prej tyre janë infektuar në spital, ndërkohë që në komision u raportua se tre fëmijë të tjerë kanë humbur jetën për shkak të mungesës së parave për të ardhur nga rrethet dhe për t’u trajtuar në Tiranë.


 


Të dhëna


 


Grupmosha


Më të prekur nga HIV/AIDS rezulton të jetë grupmosha nga 25 në 40 vjeç. Sipas Institutit të Shëndetit Publik shpërndarja gjeografike është nga jugu në veri


 


30%


Nga statistikat e ISHP-së rezulton se kemi rritje të femrave që po preken nga virusi. Një vit më parë kur statistikat referonin rreth 550 të infektuar, 30% ishin femra


 


Fëmijët


Katër fëmijë janë prekur nga HIV/AIDS gjatë vitit 2012. Dy prej tyre janë infektuar në spital. Fakti u raportua në Komisionin e Shëndetësisë nga ekspertët