Batutat
Alfred Peza – “E shpëtuam paradhomën e Kryeministrit nga Koço, e morën, e futëm brenda që dhe ai të jetë pjesë e sistemit dhe do të mund të kritikohet si gjithë të tjerët”
Artan Lame – “Nuk do ndalem së kërkuari Berishës me fakte se ku i ka ndërtuar 10 mijë kilometra rrugë. Do ia kërkoj dhe me poezi: “O Sali t’u bëfsha ferrë, shpalli rrugët me defter”
Konventa
Rama: Do t’i bindim edhe njerëzit që kanë dyshime për ne
Fatjona Mejdini

Rama, në rrjetet sociale
“Pas paraqitjes së programit nga një skuadër që më bënë krenar për PS-në dua të ndaj me ju bindjen se Shqipëria do votojë masivisht Rilindjen!”
Konventa Kombëtare, dyditore e socialistëve u mbyll dje pas një prezantimi të detajuar të programit elektoral nga deputetët dhe ekspertët e kësaj force politike dhe ishte Edi Rama ai që i bëri një përmbledhje këtij dokumenti, duke e quajtur si të duhurin për të rilindur Shqipërinë. Nën një skenografi të veçantë për të cilën kryesocialisti nuk harroi të kujdesej dhe vetë para fillimit të punimeve, deklaratat që vinin nga tribuna dhe pyetjet nga monitori, krijuan një ndërthurje përgjigjesh dhe premtimesh në lidhje me atë që do të bënin socialistët në katër vitet e para të qeverisjes. Kreu i PS-së, Edi Rama, theksoi se ai kërkonte të fliste për ata njerëz, të cilët ishin jashtë politikës dhe t’ju tregonte se qeverisja e majtë pas zgjedhjeve do të ishte kryekëput e ndryshme nga ajo e Berishës. Sipas Ramës, 23 qershori ishte betejë, mes dy të kundërtave, mes politikës së përkushtuar për pushtet dhe politikës për njerëzit. Por në vargun e premtimeve të shumta për mirëqenie, punësim, siguri etj., Rama i dha forcë elementit të drejtësisë duke u bazuar te ngjarjet e 21 janarit të 2011-s. Sipas Ramës, vënia e drejtësisë për këtë ngjarje do të ishte dhe nisja e një drejtësie në shërbim të qytetarëve. “21 janari është çështja që do të vendosë në themelet e drejtësisë të drejtën. Ne nuk do gjejmë paqe derisa vrasësit dhe urdhëruesit e vrasjeve të shkojnë përpara drejtësisë”, theksoi Rama, duke shpjeguar dhe filozofinë e tij mbi rolin e politikës në drejtësi. “Sot ka një bashkëpunim kriminal mes gjykatësve dhe qeverisë, ata mbyllin sytë ndaj krimeve të njëri-tjetrit. Prandaj vendosja e qeverisë nuk nis nga gjykata, por nga një qeveri e cila qeveris me drejtësi”, deklaroi kryesocialisti. Nga ana tjetër, ai theksoi se qeverisja socialiste do të kthente për 300 ditë sigurinë në vend. Por ai theksoi se i qëndronte me përpikmëri premtimit për të hequr taksat për biznesin e vogël, të cilat sipas Ramës ishin rritur tre herë më shumë gjatë qeverisjes së demokratëve. Ai foli për dëmet e taksës së sheshtë, për krijimin e vendeve të reja të punës, për zhvillimin e bujqësisë, për zhvillimin e arsimit profesional dhe po kështu për institucione që do t’i ndihmonin të rinjtë me zanat të punësoheshin. Sipas Ramës, PS ishte e vendosur për ta zgjuar shërbimin shëndetësor nga letargjia, për ta nxjerrë nga korrupsioni dhe për ta ofruar falas për të gjithë shqiptarët. “Nuk mund ta lësh një njeri të vdesë nga leucemia, derisa ai të gjejë lekët”, u shpreh ai. Por Rama nuk la pas as shpalosjen e platformës për marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën dhe të gjithë shqiptarët në rajon.
Infrastruktura
Kandidati për deputet i Beratit, Artan Lame, theksoi se para të gjithash PS-ja do të ndërtojë rrugë për të lidhur akset e rëndësishme kombëtare, duke i ndërtuar ato. Përveç ndërtimit të korridoreve të Kaltër dhe të Gjelbër, Lame premtoi dhe ndërtimin e autostradës së parë të shqiptarëve, sipas standardeve të certifikuara.
Transparenca
Kandidati socialist për Fierin, Ilirian Celibashi, premtoi dje në Konventë se transparenca e punës së institucioneve do të ishte shtyllë qendrore për socialistët. Sipas tij, Kuvendi do të rifitonte funksionet e tij kushtetuese dhe se do të hapej një kanal televiziv për veprimtarinë e tij. Po kështu, respektimi i afateve për interpelancë me Kryeministrin do jetë normë për qeverinë socialiste.
Rinia
Sekretari për Rininë në PS, Erjon Veliaj, theksoi se nën qeverisjen socialiste të rinjtë do të kishin mundësi të barabarta për punësim dhe karrierë, pavarësisht njohjeve të tyre. Ai theksoi se në diplomacinë shqiptare nuk do të punësoheshin më familjarë dhe se qeveria do të kishte një buxhet të konsiderueshëm për problemet e rinisë. Ai foli për ndërtimin e Korpus-it kombëtar të të rinjve dhe 10-fishimin e mikrokredive për ta.
Drejtësia
Deputetja Ermonela Felaj foli për krijimin e një drejtësie të pavarur gjatë qeverisë së PS, e cila do të siguronte në mënyrë të barabartë qytetarët dhe sipërmarrjet. Sipas Felaj, PS do e çlironte drejtësinë nga presioni për interesat politike dhe korruptive, duke e pastruar atë nga çdo shërbëtor që i shërbente pushtetit.
Korrupsioni
Deputeti Taluant Balla u zotua dje në emër të socialistëve se gjatë qeverisjes së të majtëve askush nuk do të tolerohej të abuzonte me pushtetin dhe ta përdorte atë për interesa personale, të familjarëve apo klaneve të ndryshme. Ai theksoi se do të kishte ndëshkim ndaj çdo shkelësi të ligjit dhe transparencë në çdo koncesion të dhënë. Sipas tij, krimi fiskal nuk do të tolerohej.
Pronat
Damian Gjiknuri deklaroi se pronat në Shqipëri ishin kthyer në një mision të pamundur për të gjithë ata që i dispononin me ligj. Sipas tij, për të marrë certifikatat e pronësisë ata ose do të jepnin 50% të pronës tek Argita Berisha, ose nuk do e merrnin fare. Ai premtoi në emër të PS reforma të thella në sistemin e pronave siç ishte dhe evidentimi i atyre që fshiheshin nga zyrtarët e ministrive. Sipas tij, për katër vite do të mbylleshin procedurat për ndërtimet pa leje në 800 dosje.
Biznesi
Deputetja Vasilika Hysi theksoi se përgjatë qeverisjes së majtë do të kishte një partneritet të ri me biznesin dhe një klimë lehtësuese dhe favorizuese për të. Ajo theksoi se përveç heqjes së taksës për biznesin e vogël do të hiqeshin referencat aktuale në dogana e tatime dhe do të kishte një modelim të zinxhirit që bën të mundur rimbursimin e TVSH. Po kështu do të ketë dhe stabilizim të administratës doganore dhe tatimore.
Emigrantët
Socialisti Artan Mullai e përqendroi fjalën e tij te masat që do të merreshin ndaj emigrantëve në kushtet kur ata janë braktisur plotësisht. Ai premtoi në emër të PS-së mundësimin e të drejtës së votës për ta, një buxhet të posaçëm për problemet dhe shqetësimet e tyre dhe ngritjen e strukturave mbështetëse gjatë kohës kur do të vendosnin të ktheheshin në Shqipëri.
Femrat
Kryetarja e forumit të Grave Socialiste, Olta Xhaçka, tha se çdo grua e papunë duhet të votojë për PS, në mbështetje të zotimit tonë për të fuqizuar gratë dhe vajzat përmes punësimit dhe kualifikimit profesional të tyre. Ajo foli për shërbime sociale në ndihmë të të gjithë brezave të grave, në mënyrë që të arrihej barazia gjinore, e cila në Shqipëri është në nivele alarmante.
Përkujdesja
Deputetja Eglantina Gjermeni theksoi se PS kishte bindjen ripërtëritja e shoqërisë fillonte te fëmijët edhe familja dhe se për këtë angazhohej për shërbimet universale për fëmijët
dhe drejtësi sociale. Ajo foli për fond kombëtar për shërbimet sociale dhe për dhënien e një përgjigje përfundimtare për regjistrimin e fëmijëve romë dhe egjiptianë.
Media
Kandidati për deputet i Elbasanit, Alfred Peza, deklaroi dje se PS do ta rilindte dhe median shqiptare në 23 qershor. Sipas tij, reklamat shtetërore nuk do të jenë më ushqim për mediat qeveritare dhe se RTSH do t’i kthehet publikut dhe interesave të tij. Ai premtoi akses të plotë për gazetarët dhe qytetarët te dokumentacioni shtetëror.
Argita
Në lidhje me Konventën e PS reagoi dje dhe vajza e Kryeministrit, Argita Berisha të cilës iu përmend emri për çështje të korrupsionit në çështjen e pronave. “Sot, përpara ca pemëve false dhe në një skenë falsiteti, z. Rama vijoi me një sulm tjetër fals kundër meje. Siç duket z. Rama ka nevojë të fshehë faktin që nuk ka asnjë ide, nuk ka asnjë zgjidhje dhe asnjë plan përveçse të sulmojë familjarët e Kryeministrit. Atij duhet t’i vijë turp dhe të kërkoj ndjesë”, kërkoi ajo.
Alketa Vejsiu
Prezantuesja e mirënjohur shqiptare, Alketa Vejsiu, deklaroi dje në Konventën Kombëtare të PS-së mbështetjen e saj për kryetarin e PS-së, Edi Rama. “Unë jam këtu sot, sepse dua ta përdor lirinë time për të ndihmuar të tjerët të gjejnë lirinë e tyre. Jam këtu sepse kam besimin e palëkundshëm që Shqipëria do të udhëhiqet nga shqiptari i punëve të mëdha, Kryeministri ynë i ardhshëm, ylli i adoleshencës dhe gjeneratës sime, atij që sot qetësisht mund t’ia besoj votën time”, bëri thirrje Vejsiu.