Kryetari i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu ka denoncuar sot që e ka cilësuar si një ndër skandalet politike të kandidaturave për deputet në qarkun e Vlorës për Partinë Socialiste apo kandidaturave greke të Partisë Demokratike në qarkun e Gjirokastrës.
Spahiu ka publikuar vendimin e gjykatës nr 10105 së rrethit Tiranë të datës 21.11.2008 ku deputetja socialiste Luiza Xhuvani ka kërkuar të lërë kombësinë shqiptare dhe të marrë kombësinë greke. Në vendimin e gjykatës theksohet qartë se deputetja socialiste e cila kandidon sërish në qarkun e Vlorës nën siglën e PS-së, ka insistuar të braktisë dhe heqë dorë nga kombësia shqiptare me qëllim që të njihet si greke dhe gjykata pas kërkesës së saj e ka pranuar ta ndryshojë nga shqiptare në greke.
Spahiu i bëri thirrje kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama të tërheqë 3 kandidatët grekë që kanë kandiduar në qarkun e Vlorës dhe ti zëvendësojë me tre shqiptarë nga Vlora. “Ashtu si dhe shtetasi Berisha i cili kandidon grekët e Agimit të Artë në Gjirokastër me Spiro Kserën në krye. Fatkeqësisht deri më tani numërohet deri në 14 numri i kandidatëve brenda PS dhe PD që kanë kombësi greke dhe kanë braktisur atë shqiptare”, tha Spahiu.
Sipas tij që nga 1912-ta Vlora nuk ka njohur asnjëherë fyerje më të madhe se kandidimi i tre deputetëve grekë në këtë qytet. “Vlora do votojë kundër Rilindjes greke e cila i la shqiptarët nga Vlora pas listave të Partisë Socialiste. Edi Rama nuk duhet të dorëzohet pa kushte te shërbimi sekret grek dhe të shkatërrojë vlerat e qytetit të flamurit. Vlora e Ismail Qemalit dhe djepi i patriotizmit duhet të përfaqësohet me bijtë e saj kuqezi dhe jo me Aleancat greke Rama-Meta-Dule apo Koalicionin e PD-Agimi i Artë. 4 vite më parë deputetët socialistë kishin turp me qenë shqiptarë dhe bëheshin pjesë e skenarit ogurzi për helenizimin e Shqipërisë. Ashtu si deputetja Luiza Xhuvani e cila nuk pranoi të ishte shqiptare ashtu dhe kandidatë të tjerë socialistë hoqën dorë nga gjaku dhe kombësia shqiptare . Dosjet e deputetëve demokratë dhe socialistë do ti publikojmë në ditët në vijim.
Shqiptari Arben Malaj u zëvendësua me greken Luiza Xhuvani dhe shqiptari Arben Isarai u zëvendësua me grekun Andrea Marto, çami Leonard Demi u zëvendësua me grekun Spiro Ksera. Gjithë shqiptarët duhet të ndërgjegjësohen dhe të kuptojnë misionin anti-shqiptar të Ramës dhe Berishës. Shqipëria ka nevojë për një Kuvend burrash shqiptar dhe e vetmja alternativë është Aleanca KuqeZi”, tha Spahiu.
21 maj 2013 (gazeta-Shqip.com)