Kryeministri rikthen premtimet e ‘94-s: Pa taksë për investimet nga 3 deri 5 vjet 


Asnjë taksë për 3 deri në 5 vitet e ardhshme për investimet e emigrantëve


Engjëll Serjani


Berisha ne fushatePasi premtoi liberalizimin e vizave me SHBA-në, Kryeministri i vendit, Sali Berisha, u rikthehet premtimeve të tjera të bujshme, në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit. Nga qyteti i Gjirokastrës, ku prezantoi kandidatët demokratë për këtë qark, Berisha u bëri thirrje emigrantëve që të investojnë në Shqipëri, pasi, siç tha ai, për 3 deri në 5 vitet e ardhshme ata do të përjashtohen nga taksat për investimin e tyre. “Emigrantëve shqiptarë kudo që janë i ftoj të vijnë në Shqipëri, të investojnë në Shqipëri 3 deri në 5 vjet pa asnjë taksë. Kthehuni vëllezër, sillini kursimet në vendin tuaj”, u shpreh Berisha. Duke vijuar më tej me premtimet, Berisha premtoi gjithashtu, se edhe qendra historike e Gjirokastrës do të jetë e lirë dhe pa taksa. “Zoti Flamur Bime, që nesër mblidh këshillin dhe shpalle pa taksa. Ne jemi parti e taksave të ulëta”, tha Kryeministri. Duke vlerësuar punën e ministrave Ruli e Ksera si të zgjedhurit e Gjirokastrës, Berisha ironizoi kandidatët e PS-së në këtë qytet. “Na takon neve regjistrimi në UNESCO si pasuri e kulturës botërore. Kam kënaqësinë t’ju informoj se çdo projekt për hyrjen e Gjirokastrës, për lumin e Drinos apo qendrën e qytetit, për shkollat, vaditjen e fermerët kanë pasur angazhimin e plotë dhe total të përfaqësuesve tuaj, ministrave Genc Ruli dhe Spiro Ksera. Këta do të vazhdojnë të jenë ministra të qytetarëve të Gjirokastrës, të gjithë atyre që jetojnë në këtë qark. Dy fjalë do t’iu them për biznesmenët e Edi Ramës. Së pari të marrim të famshmin Caci, ai në mënyrë absolute, përveç parave që i ka dhënë Ramës për t’u vendosur në listë, s’ka asgjë të përbashkët me ju. Minoritarë, mos prisni që ai mund t’ju përfaqësojë, përveç interesave të ngushta e babëzisë së pafundme s’ka asgjë tjetër. Le të marrim tjetrin, të panjohurin, këtu në këtë shesh do të sjellim fakte. Në rast se ju i kërkonit njëri-tjetrit t’ju bënte një zile dikur se ju mbaronte krediti në celular, Arben Hermsi vidhte në mënyrën më të papërmbajtur Telekomin shqiptar. Këta janë kandidatët e Ramës, por le të shohim përpara”, tha Berisha. Për kreun e qeverisë, kryesocialisti Rama ka për të mbetur në autobus, pasi, sipas tij, Rama e ka gjetur zgjidhjen. Për çdo gjë që thotë ai ka shprehjen: “Çmë duhet mua se çfarë them unë”.


 


 


Programi


“Para jush prezantojmë sot programin për 4 vitet që vijnë, ky program bazohet para së gjithash në liritë tuaja, iniciativën tuaj të lirë. Programi ynë sjell mundësi punësimi për të gjithë”


 


Për Ramën


“Nuk di a u takua me të (presidentin Fischer), se në faqen e Presidentit nuk pati lajm zyrtar. Ai zotëria faktikisht e ka shndërruar fushatën në një fushatë të shkuljes së veshit”


 


 


Berisha përshëndet në greqisht


 


“Efharisto poli!”, – ishte përshëndetja në greqisht e Kryeministrit Berisha në nisje të fjalës së tij para minoritarëve grekë në Komunën e Dropullit, ku mori pjesë në inaugurimin e rrugës Llongo-Koshovicë, me gjatësi 5.3 kilometër. Në fjalën e tij, Berisha theksoi se në rininë e tij ka bërë përpjekje për të mësuar greqishten. “Shumë vite më parë, me mikun tim Jani Rafti dhe 2-3 miq të tjerë, përpiqesha të mësoja greqishten. Ata ishin miq të shkëlqyer, por nuk u bënë ndonjëherë mësues të mirë të Sali Berishës për greqishten. Se sot unë do t’ju isha drejtuar juve në greqisht”, tha Berisha. Ju jeni minoritet në këtë zonë, tha më tej Kryeministri, dhe dua t’ju jap fjalën se do të bëjmë gjithçka që të drejtat tuaja të respektohen dhe të materializohen plotësisht. “Qeveria, me angazhimin direkt të deputetit tuaj, kaloi vendimin për librat. Ato do t’i shtypë qeveria, pavarësisht nga kostoja e tyre dhe fëmijët tuaj do të kenë librat më të mire”, premtoi Berisha.