INSTAT: Do të publikohet në fund të vitit. Detajet e popullsisë sipas qarqeve
ARD KOLA
Pas publikimit paraprak të të dhënave të Censusit 2011, projekt nën drejtimin e ministrit të Teknologjisë dhe Informacionit, Genc Pollo, INSTAT-i paraqiti dje shifrat mbi demografinë, arsimin, nivelin e jetesës, si dhe dizabilitetin në nivel qarku të ndara në bashki e komuna. Ajo që pritej me interes, niveli real i papunësisë, nuk u bë i ditur nga INSTAT, duke deklaruar se do të publikohet me treguesit e tjerë në fund të vitit. Shifra e papunësisë është kthyer në objekt diskutimesh dhe dyshimesh mes ekspertëve, ku ndërsa qeveria thotë se janë 142 mijë, opozita deklaron se janë rreth 1 milion.
Janë plot 12 volume për çdo qark të Shqipërisë, të cilat kanë shifra të detajuara për këto fusha kryesore, që jo vetëm do të na japin një panoramë më të qartë të realitetit demografik, social e ekonomik.
Përfundimisht, INSTAT-i konfirmon se kemi një rënie të numrit të popullsisë me 8 për qind. Më 1 tetor 2011, popullsia banuese është 2 821 977 banorë, nga 3 069 275 të numëruar në Censusin 2001. Tirana është qarku me numrin më të madh të popullsisë, 26.8 për qind, e ndjekur nga Fieri dhe Elbasani, të cilat gjithsesi kanë rënie të numrit të banorëve në raport me 2001-in, kurse Kukësi dhe Gjirokastra janë qarqet me më pak të populluara (respektivisht 3 dhe 2.6 për qind). Qarku i Durrësit ka rritjen më të madhe të popullsisë në qytet me 47.5 për qind, kurse Berati shënon rënie të “qytetarëve” me 16 për qind. Gjirokastra regjistron rënie të theksuar të banorëve në fshatra, me afro 50 për qind, për shkak të emigracionit.
Sa i takon gjinisë, femrat janë përqendruar në Tiranë (98 meshkuj për 100 femra), kurse në Qarkun e Dibrës ka më shumë meshkuj (104 meshkuj për 100 femra). Në tërësi raporti në rang vendi është 1:1, duke anuar paksa nga meshkujt.
Popullsia paraqitet më e përqendruar në Tiranë dhe Durrës, ku nëse mesatarja në rang vendi është 97 banorë për km2, në këto dy qarqe është përkatësisht 454 dhe 343 banorë (Gjirokastra 24-50 banorë/km²).
Në pyetësorin e Censusit 2011 i jepej e drejta gjithkujt të tregonte me vullnet të lirë përkatësinë etno-kulturore. Detajet janë interesante po të shohim se në Qarkun e Shkodrës është regjistruar numri më i madh i atyre që kanë deklaruar se kanë kombësi shqiptare me 91.65 për qind, të ndjekur nga dibranët me 91.13 për qind, kurse Vlora regjistron numrin më të vogël, me 68.69 për qind. “Grekë” ka më shumë në Gjirokastër 7.43 për qind dhe në Vlorë 6.88 për qind. Duhet sqaruar se në Vlorë është regjistruar njëkohësisht edhe numri më i lartë i atyre që nuk kanë pranuar të përgjigjen (21.78 për qind).
Myslimanë (83.81 për qind) gjen më shumë në Kukës dhe më pak në Lezhë (14.81 për qind), por te kjo e fundit ka më tepër katolikë (72 për qind) në rang vendi, kurse ortodoksë në Gjirokastër (17.43 për qind) dhe Korçë (16 për qind).
Sa i takon arsimit, popullsia 10 vjeç e lart që ka ndjekur ose ishte duke ndjekur shkollën në momentin e censusit, është më e lartë se 96 për qind në 10 qarqe të vendit. Popullsia me diplomë universitare ose gradë më të lartë të fituar është në nivelet më të larta në Tiranë dhe Gjirokastër. Përqindja më e madhe e femrave me nivel më të lartë të arritur është në Elbasan 55.7 për qind, kurse e meshkujve është në Gjirokastër 52.4 për qind.