“Mesfushori, esencial për skuadrën. Mbrojtësi, një investim i perspektivës”
Altin Manallari
Lorik Cana, portieri i ri Strakosha dhe, ndoshta në të ardhmen, Elseid Hysaj. Drejtori sportiv i Lacios, Igli Tare, njohës i mirë i merkatos së Lindjes, duket se ka gjetur në Shqipëri një terren mbarështimi të talenteve të reja me çmim të lirë, që mund të pasurojnë nivelin teknik të skuadrës. Nuk është rastësi që një prej lojtarëve, që ka impresionuar më shumë gjatë këtij sezoni, është pikërisht kapiteni i kombëtares së Shqipërisë, shenjë e një rilindjeje të lëvizjes futbollistike, që nuk kalon pa u vënë re nga drejtuesit lacialë.
Lorik Cana
Merita e lëvizjes futbollistike shqiptare është edhe e Xhani de Biazit, trajnerit të Shqipërisë që nga dhjetori 2011, i cili, në pragndeshjen Kaljari—Lacio, ka dhënë një prononcim për portalin “Lalaziosiamonoi.it”, përmes të të cilit ka shprehur mendimin e tij pikërisht mbi disa futbollistë të bardhekaltërve romanë, duke e nisur që nga Lorik Cana, që ai aktivizoi si mbrojtës dhe te Petkoviç, që është inspiruar me siguri. “Unë besoj se Petkoviç ka vrenjtur karakteristikat e Lorikut dhe për një pjesë të mirë të sezonit e provoi të luante si mesfushor, më pas ka parë që edhe në mbrojtje mund të merrte rezultate të mira, dhe kështu ka vendosur ta përdorë në këtë rol”. Verën e kaluar u fol për një interesim të Marsejës për mbrojtësin shqiptar, por De Biazi largon çdo fantazi. “Loriku jeton në Francë dhe besoj se ka raporte të mira, ndoshta ka në mendje që ta mbyllë atje karrierën, por ai ndihet mirë te Lacio dhe besoj se Lacio po zbulon një Lorik të ndryshëm, një lojtar me cilësi të mira, që mund të japë shumë për çështjen bardhekaltër”.
Elseid Hysaj
Lacio po teston terrenin në kërkim të talenteve të reja dhe duket se i ka vënë syrin Elseid Hysajt, mbrojtësit të krahut të Empolit, që shihet si përforcimi ideal për të kompletuar repartin difensiv. De Biazi e njeh shumë mirë, pasi i ka dhënë mundësinë të debutojë në moshën 18 vjeç pa e kaluar nga Kombëtarja U-21 dhe nuk ka dyshime për cilësitë e djaloshit. “Është një lojtar me cilësi të mira, i shpejtë, me forcë fizike, është i datëlindjes ’94, pra shumë i ri, ka dalë në pah tek Empoli që ka siguruar ‘play-off’-in në Serinë B. Unë besoj se nëse Lacio arrin ta blejë, do të bëjë mirë, sepse ka perspektivë të madhe”. Në fund trajneri i Shqipërisë vlerësoi edhe punën e mirë të shqiptarit tjetër, Igli Tare, në postin e drejtorit sportiv dhe të trajnerit boshnjak, Vladimir Petkoviç.