Verifikimi
Shoqërohet në Policinë e Tiranës Mark Frroku, vëllai i Arben Frrokut, i dyshuari për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt, pasditen e 24 shkurtit. Burime zyrtare nga policia thanë se Marku po udhëtonte me një automjet dhe pas ndalimit nga agjentët e policisë rrugore, rezultoi se ai kishte mangësi në dokumentacion. “Shoqërimi është bërë rreth orës 22:00 të së hënës. Policia ka kryer një operacion për mjetet pa dokumentacion dhe midis tyre rezultoi me probleme edhe automjeti me të cilin udhëtonte shtetasi Mark Frroku”, pohojnë burimet policore. Sipas tyre, ky shtetas ka dhënë deklarime në polici, ndërsa automjeti i është sekuestruar, deri në sqarimin e plotë të ngjarjes. “Shoqërimi është kryer vetëm për automjetin. Janë bërë të gjitha procedurat e tjera ligjore dhe me shumë mundësi, ai nuk do të mbahet për verifikime të tjera”, thanë mbrëmë drejtuesit e Policisë së Tiranës.