Kërkesa e avokatit Ndue Pjetri: Më duhen për ekspertiza në SHBA dhe Angli
Një avokat ka marrë përsipër mbrojtjen e Dritan Dajtit, por me kusht: pagesa të jetë 200 mijë euro. Kërkesa është bërë dje në seancën e 220 të procesit gjyqësor për zbardhjen e masakrës së Durrësit në vitin 2009, ku u vranë katër punonjës policie. Avokati Ndue Pjetri, i caktuar nga shteti si avokat për të mbrojtur Dajtin, në fillim të seancës, deklaroi se ishte gati të mbronte të pandehurin, dhe nëse bëhej pagesa, atëherë ai kërkoi edhe 30 ditë kohë për t’u njohur me fashikujt. “Kërkoj 30 ditë kohë dhe 200 mijë euro për të mbrojtur Dritan Dajtin”, i tha avokati Pjetri trupit gjykues, ndërsa gjykata duket se ishte e papërgatitur për këtë kërkesë të pazakontë.
Ndërkohë, vetë i pandehuri, kërkoi nga trupi gjykues ta pranojë këtë ofertë si më të lirën, pasi avokatët e kontaktuar deri më tani prej tij kushtojnë më shtrenjtë. “I kërkoj gjykatës të pranojë kërkesën e avokatit, më pëlqen performanca e tij. Oferta 200 mijë euro është më e ulëta nga të gjitha, duhet të pranohet” tha ai. Megjithatë, prokurori i çështjes, Ardian Nezha, tha në seancë se kjo është një tjetër tentativë për të shtyrë procesin gjyqësor. “Avokati është palë me të pandehurin dhe kërkojnë të zvarrisin gjyqin”, tha ai. Megjithatë, pas pretendimit të palëve, trupi gjykues, i drejtuar nga Idriz Milkurti, vendosi të mos pranojë kërkesat e avokatit Ndue Pjetri dhe të shtyjë seancën për nesër duke caktuar kryesisht avokaten Violeta Veshi dhe avokat Zini Qinami. Pas daljes nga procesi gjyqësor, avokati Ndue Pjetri, në një intervistë, tha se e ka kërkuar këtë shumë pasi çështja është komplekse dhe kërkon shumë shpenzime për ekspertime. Madje, pohoi se nëse pranonte të mbronte Dajtin, atëherë do të dorëhiqej si kandidat për deputet në Shkodër. “E para nëse unë do të pranoja këtë detyrë duhet të dorëhiqesha nga kandidat për deputet në Shkodër. Jam kandidat i Aleanca për Demokraci e Solidaritet. Dua 200 mijë euro garanci, sesi avokat nuk mbesin as 10% e kësaj shumë se duhen bërë analiza të shumta në SHBA, Romë, dhe të jeni të bindur nëse bëhen të gjitha këto, zyrës sime avokatore nuk i mbesin as 10%” pohoi avokati, duke pohuar se nëse pranohej kjo ‘ofertë’, atëherë i gjithë ky proces do të përfundonte pas 10 seancash. Pjetri pohoi se 200 mijë euro nuk janë asnjë gjë krahasuar me 3 vjet që po vijon procesi, rrogat e gjyqtarëve, avokatëve, prokurorëve.
50 mijë
Lekë (të vjetra) është pagesa për avokatët për prezencën fizike në një seancë gjyqësore