Policia arreston 17-vjeçarin dhe shpall në kërkim vëllain e tij


Adoleshenti u zu me drejtorin të premten, pasi ishte duke bërë zhurmë në korridorin e shkollës


Vali Qyrfyçi


shkolla 16 shtatori shijakI përjashtuar nga shkolla pas një sherri për zhurmë në korridoret e institucionit arsimor, një i ri është hakmarrë duke e dhunuar drejtorin e shkollës, por kjo ka sjellë reagimin e policisë, e cila ka arrestuar agresorin. Gjimnazisti ka shkuar bashkë me vëllain për të dhunuar drejtorin e shkollës, të cilin e ka konsideruar si personin përgjegjës të përjashtimit të tij pas një sherri të ndodhur mes tyre ditën e premte. Aktet e dhunës kanë përfshirë shkollën e mesme të Shijakut, duke dhënë një tjetër rast të shëmtuar të historive abuzive që ndodhin brenda godinave shkollore. Rasti ka përfunduar në dyert e policisë, ndërsa dëshmitarë të dhunës kanë qenë mësues e nxënës të shkollës. Policia lokale e Durrësit tha se një nxënës i kësaj shkolle është arrestuar në flagrancë, ndërsa është në kërkim vëllai i tij. “Dy vëllezërit adoleshentë kanë ushtruar dhunë fizike, psikologjike dhe morale mbi Lutfi Dukën, drejtor i shkollës së mesme publike ‘16 Shtatori’ të qytetit të Shijakut, i cili ishte emëruar në këtë funksion rreth dy muaj më parë”, tha policia. Duke u nisur nga kjo, fillimisht është arrestuar 17-vjeçari B. Muja, ndërkohë që vëllai i tij, Gerald Muja, 18 vjeç, është shpallur në kërkim. Sipas të dhënave konflikti mes gjimnazistit dhe drejtorit të shkollës ka nisur të premten gjatë orarit të mësimit. Nga dëshmitë në shkollë mësohet se 17-vjeçari ka qenë duke bërë zhurmë në korridor, kështu që drejtori i ka bërtitur për shqetësimin e krijuar. Madje, drejtori i shkollës mendohet se i ka kërkuar të largohet dhe i riu të vijë me prindin në shkollë, por adoleshenti ka shpërthyer në fyerje ndaj tij. Në këto kushte, sipas pretendimeve të autoriteteve të shkollës, stafi pedagogjik i ka kërkuar drejtorit të merret masa e menjëhershme e përjashtimit për këtë gjimnazist. I riu, i zhgënjyer nga kjo masë, i ka treguar familjes së tij dhe dje, bashkë me vëllain 18-vjeçar kanë shkuar për të takuar drejtorin e shkollës. Gjatë takimit, dy vëllezërit kanë dhunuar drejtorin e shkollës fizikisht, e kanë kërcënuar me një thikë për vrasje, ndërkohë që kanë shkatërruar edhe derën kryesore të zyrës së drejtorit të shkollës. Policia, e njoftuar për këtë incident, mësohet se ka vepruar pa kallëzimin e drejtorit të shkollës për arrestimin e adoleshentit, ndërkohë që familja e tij pretendon se i kishte kërkuar falje të dhunuarit për sjelljen e 17-vjeçarit, por ai nuk e kishte kthyer mbrapsht masën e përjashtimit. Pikërisht kjo mendohet se ka zemëruar adoleshentin, i cili ka ushtruar dhunë ndaj Dukës. Nga hetimet paraprake të kryera mbi këtë rast flagrant dhune rezulton se rreth orës 08:00 të së djeshmes, Këshilli Pedagogjik i kësaj shkolle kishte marrë vendim unanim për përjashtimin nga shkolla përgjithmonë të nxënësit B. Muja për shkak të sjelljeve jo të hijshme kundrejt drejtorit të shkollës. Nga ana tjetër, ndaj gjimnazistit të përjashtuar janë ngritur akuzat për kryerjen e pesë veprave penale, përkatësisht “shkatërrim prone”, “goditje për shkak të detyrës”, “kanosje për shkak të detyrës”, “fyerje për shkak të detyrës” dhe “prodhim e mbajtje pa leje e armëve të ftohta”. Në shkollat e rrethit të Durrësit, në jo pak raste janë konstatuar e denoncuar raste të dhunës fizike e psikologjike ndaj nxënësve, qoftë ata ndaj njëri-tjetrit, por edhe mësuesit ndaj tyre, ndërkohë që rasti i Shijakut nxjerr në pah vazhdimësinë e problematikës së ndërsjellë.