ARTUR LAZEBEU


Një media ndërkombëtare njoftonte fundjavën e shkuar për një “studim”, sipas të cilit Shqipëria jonë dilte “e para në Europë”, ndër vendet ku racizmi paskësh vënë vulën. Në të njëjtën ditë pamë edhe ca pamje nga Parlamenti i Greqisë, ku disa deputetë të Agimit të Artë përshëndesnin si nazistët. Kjo nuk më intereson asfare, mjafton të rikujtohem se në këtë vend europian ka një realitet prej afro një milion bashkëqytetarësh, që jetojnë e punojnë prej 20 vjetësh, jo në geto, por në harmoni me vendasit. Aq më kundërproduktive do të kishte qenë përqasja e këtyre fakteve mediatike, me demek për të pakësuar apo zeruar rëndësinë e asaj që na djeg. Ajo që më prek është atributi për tesutin shpirtëror që mund t’i atribuohet secilit, ndër tre milionë shqiptarë që jetojnë këtu, brenda gardhit. Realitetin konkret e kemi këtu. Edhe “racizmi” na duhej! Që nga konkurrenca, deri te triumfi mbi tjetrin, dëshmohet e mesmja e artë e gjithkujt; dëshmohen edhe kufijtë skajorë të mendimit dhe veprimit, sikurse dhe skajet e mospëlqimit dhe urrejtjes, pranimit dhe refuzimit, pjesëmarrjes dhe përjashtimit, dakordësisë dhe mospajtimit mes nesh. Edhe pa qenë literalisht një “teori dhe politikë e mbështetur në pikëpamjen antishkencore të dallimit rrënjësor mes racave, me pasojë të drejtën e një race a lloji për të mbisunduar” (Fjalori i gjuhës shqipe), racizmi si i tillë përmban në vetvete edhe “përbuzjen ndaj tjetrit, për faktin e të qenët ndryshe”. Jo se u çudita, por nuk më erdhi mirë nga ai njoftim, gjithsesi joshkencor, që si popull na nxjerr kampion për keq. Sado në kufij të një miti, realiteti i gjithëpranuar i tolerancës mes feve tona, kësi rastesh të vjen në ndihmë. “Si ka mundësi që edhe të vetmin eksport civilizimi, tolerancën fetare, na e nxjerrin skarco, duke na shartuar me racizëm? Po çifutët gjatë luftës?” Por edhe këto të duken si alibi për të mbyllur argumentin, assesi për të njohur, pranuar dhe për t‘i qëndruar problemit të ngritur. Hajde e ankohu për “albanofobi” po deshe!


Nëse jemi apo nuk jemi racistë, këtë nuk mund ta kërkojmë e as ta shtrojmë për zgjidhje nga një media, qoftë edhe ndërkombëtare. Kjo maksimumi na bën të dëshmojmë hapje dhe emancipim, për të bërë diferencën edhe aty ku kemi menduar se nuk ka vend. Se si mund të përcillet kjo sforco në programe partish apo plane veprimi qeverish, kjo është brenda lirisë së veprimit të tyre. Një opinion a reflektim mediatik synon bashkëbiseduesin, lexuesin, shikuesin e për pasojë, edhe të votuarin, edhe votuesin. Si një lojë mes mjeshtrit dhe dishepullit, mesazhet merren nga masmediat dhe ripërcillen po përmes tyre. “Diferencë përmes indiferencës”, dëgjoja përkthimin ad literam të një fraze, një mënyre, një opsioni, një pikëpamjeje, një qëndrimi ndaj së ndryshmes, ndaj të ndryshmëve. Pa fjalë, fobinë ndaj të ndryshmit, qoftë në mendim, qoftë në veprim e kemi tashmë të instaluar brenda dhe jashtë llojit. Si gjithmonë, për çdo çështje ka shumë përgjigje, ndonëse pyetja ngulmon të jetë po ajo: “Mirë për budallallëqe, por edhe për racizëm qenkemi kampion?” Ky qenkësh përkthimi i intolerancës sonë, të njohur proverbialisht si inat a “kokëderrllëk shqiptari?” Ka një parim që imponohet demokratikisht nga teoricienët e shtetndërtimit, sipas të cilit: “Në emër të tolerancës, nuk mund të lejohet intoleranca”. (John Kean, Westminster University). Së njëjtës “diktaturë” logjike i nënshtrohemi sa herë, që nuk bëjmë përpara “pa qenë dakord për të mos rënë dakord”. Në demokracinë liberale është i rëndësishëm fermenti plural dhe përkujdesja për “tolerancat binjake”. Qoftë në arsyetimin njerëzor, qoftë në debatin mes kundërshtarësh politikë. Të dy parimet i përkasin shkollës anglosaksone. Vini re: edhe teorikisht, ne japim referenca, falë drojës nga intoleranca dhe mospranimi i mundshëm prej atyre që mund t’i kapë rastësisht rrezja e flurudhës mediatike. Kjo ndodh se vetëgjendemi rëndom në mbrojtje, pavarësisht se gjithkush beson atë që di, sikurse njeh vetëm të vërtetën e vet. Thuhet se qëllimet e larta, nga vizionarët perceptohen vagulltazi, e shi për këtë edhe frymëzojnë për arritje. Adresimi i urrejtjes, racizmit, ka shumë histori suksesi në planin politik. Mjaft të kujtojmë se si perceptohej e ardhmja politike në Europën e pasluftës, ku racizmi, urrejtja dhe derivatet e tyre rrezikonin për inerci të kërcënonim paqen e sapoarritur. Ndryshe nga SHBA-ja, BS, Franca e Bastijës etj., që kishin lindur nga revolucione, Europa e Bashkuar u shpall më 9 Maj 1950, në një Konferencë Shtypi. Në këtë konferencë shtypi u shpall një projekt bashkëpunimi mes Francës dhe Gjermanisë, dy shtete të urryera dhe armiqësuara reciprokisht, dëshmuar kjo së paku në dy luftëra botërore. Për t’iu rikthyer argumentit tonë, Europa e Rilindur nga një “Konferencë Shtypi”, flet vepron dhe imponohet po me gjuhën e një konference shtypi, një gjuhë e paqtë konsensusi, jo përjashtimi, urrejtjeje a racizmi. Nëse këto të fundit gjejnë shprehje në retorikën e elitave politike kombëtare, kjo është e ndëshkueshme. Edhe penalisht. Kjo retorikë prodhon deficit demokratik, sikurse edhe keqqeverisje, korrupsion, kriminalitet, shtet-kapje, pandëshkueshmëri dhe mosbesim publik tek institucionet. Për të na pasur partnerë të përgjegjshëm, europianët na kanë skicuar edhe rrugën, herë me 12, herë me 3, herë edhe me 1 kusht. Mjaft për të na kumtuar si mikpritës: “Na jepni shansin, na jepni shenjën për zgjidhje të dakordësuara”. Na e kërkojnë këtë, pa pritur që t‘u përgjigjemi në anglisht apo frëngjisht, por “Shqip” dhe vetëm në gjuhë veprash dhe sjelljesh, për t’i bërë të besojnë se ne këtu “nuk urrehemi si racistë, por kemi filluar të jemi luajalë me njëri-tjetrin”. 23 Qershori fton edhe për këtë ndryshim!


Fushata për zgjedhjet e 23 qershorit, ndoshta për Europën nuk është më shumë se një “stuhi në gotë”. Për ne këtu, ajo vizualizon një ndarje shumëplanëshe, por në çdo rast vetëm bardhezi. Një përçarje dhe diversion kaq të egër nuk ka politikë pragmatiste ta justifikojë, sado që në kërkim të alibisë sonë joraciste, ne rrekemi për referenca justifikuese sa te “lufta e klasave”, aq edhe te zanati më i vjetër. Lufta politike nënkupton natyrshëm akuza dhe zell për të fituar, mënjanuar, por jo përjashtuar tjetrin nga perspektiva e ardhjes apo riardhjes në pushtet. Çdo qëllim i lartë kthehet në të kundërtën e tij, nëse përdor mjete dhe forma që gjenerojnë ngecje në rrugën e integrimit. Mjerisht për këto kemi qenë shembullorë! Nëse shikojmë se çfarë transpozohet nga instrumentet ndërkombëtarë të të drejtave të njeriut, politikat kombëtare kanë kohë që ftohen për të transformuar dhe krijuar realitete të tilla, që luftojnë urrejtjen, intolerancën e gjithçka lidhet me to. Këto “detaje” retorika e luftës për pushtet i anashkalon, s’ka gjë se tjetrin, politikan a përkrahës qoftë, ky realitet e sfidon me qenien e vet, dinjitetin e vet, me fatin e vet, me jetën e vet. Realiteti i këtyre sjelljeve, të cilin shqiptarisht nuk e shohim te vetja, por vetëm te tjetri, na paska renditur, mesa duket, në atë “listën e vendeve të varfra e të pazhvilluara”. Të cilat kanë edhe luksin për të ushqyer intolerancë sociale dhe politike, ashtu si dhe ne që provokojmë, por nuk gjejmë dot gjuhën e rikthimit në normalitet as për një KQZ. Pa folur për procese shtetndërtuese, që kërkojnë, sipas Fukuyamas, “veçanësi të lartë të zbatimit të shtetit ligjor, por dhe mjaft transaksione mes faktorëve dhe tre pushteteve, për hir të shtetit të së drejtës dhe besimit tek ai”. Edhe racizmi na duhej!