Azia


Premtohet përcaktimi përfundimtar i kufirit në Himalaja dhe zbutja e tensioneve


kina-indiaKryeministri i Kinës, Li Keqiang, tha gjatë një vizite në Indi, se vendi i tij është i gatshëm të përmirësojë mekanizmin që duhet t’i japë fund një mosmarrëveshjeje të gjatë për demarkimin e kufirit që ndan dy vendet në Himalaja. Li foli gjatë një konference të përbashkët me homologun e tij indian, Manmohan Singh.


Singh tha se përfaqësues të posaçëm nga të dyja vendet do të takohen së shpejti për të diskutuar rrugët për zgjidhjen e mosmarrëveshjes. Takimi erdhi ndërkohë që situata ndërkufitare ka pasur acarime. India dhe Kina janë dy vendet më të populluara të botës. Gjatë bisedimeve, ato nënshkruan tetë marrëveshje.


“Ne nuk e mohojmë se ka probleme mes dy palëve tona”, tha Li. “Ne duhet të përmirësojmë mekanizmin e lidhur me kufirin dhe ta bëjmë atë më efikas”, shtoi ai.


“Si z. Singh edhe unë besojmë se kemi shumë më tepër interesa sesa dallime mes nesh. Ne duhet të përballemi me problemet me një mendje të hapur dhe t’i zgjidhim ato në mënyrë të përshtatshme”, shtoi ai.


Singh tha se India dhe Kina kanë “rënë dakord që përfaqësuesit tonë të posaçëm të takohen së shpejti dhe të vijojnë diskutimet në kërkim të një marrëveshjeje për një kuadër të drejtë, të arsyeshëm dhe të pranueshëm nga të dyja palët për përcaktimin e kufirit.”


Konflikti është shumë dekada i vjetër dhe ka shkaktuar edhe një luftë të shkurtër mes të dyja vendeve në vitet 1950. Por koha për ta zgjidhur këtë konflikt duket se ka ardhur, pasi Kina është një nga partnerët kryesorë tregtarë të Indisë dhe se të dyja vendet shpresojnë që volumi i tregtisë mes tyre të rritet në 100 miliardë dollarë në vitin 2015.


Lufta e viteve ’50 përfundoi me një aneksim de facto të një sipërfaqeje të madhe toke të pretenduar nga India në Himalaja. India pretendon rikthimin e tokës, ndërsa Kina pretendon se kufiri real është edhe më brenda territorit aktualisht të kontrolluar nga India. Të dyja vendet kanë një shkallë relativisht të lartë militarizimi në zonë.