Elbasan


Vajzat e mbijetuara nuk udhëtojnë drejt Himarës: Do vizitojmë familjet e shoqeve që humbën jetën


Tragjedia e Himarës, studentet përkujtojnë viktimat e aksidentit


autobusi himare aksidenti studentNjë vit nga aksidenti i Himarës, të mbijetuarat nuk do të udhëtojnë drejt Qafës së Vishës në Himarë, por do t’i kujtojnë viktimat e këtij aksidenti, duke vizituar familjet dhe bërë homazhe para Universitetit të Elbasanit. Por, universiteti ka organizuar një marshim drejt Himarës, ku pritet të vendoset edhe një obelisk, duke kujtuar viktimat e këtij aksidenti. Një vit më pas, të mbijetuarat përpiqen të mos kujtojnë momentet e tmerrshme, por vetëm kujtimet e bukura që kanë nga shoqet e tyre në atë ditë që kishte nisur me hare, por që u mbyll me një tragjedi. Një vit më pas, ato ende nuk janë dëmshpërblyer nga kompania e Sigurimeve, e cila i ka ofruar shifra minimale, larg parashikimit ligjor që pretendohet nga të mbijetuarat dhe familjet e të aksidentuarave. Sot, një vit nga aksidenti tragjik i Himarës, të mbijetuarat kujtojnë atë moment të tmerrshëm. “Nisëm një ditë me gëzim e hare. Ku mendonim se do të kalonim momente të bukura me njëra-tjetrën. Në fund të asaj dite ne përfunduam në një humnerë, ku shoqet tona humbën jetën. Ne humbëm shumë kujtime dhe ende kemi atë dhimbjen e madhe. Dëmtimet që kam pësuar kanë qenë të rënda. Tani ka kaluar pothuajse një vit dhe jam duke u rikuperuar. Nuk është e lehtë. Në çdo moment kujtojmë shoqet tona, pasi vazhdojmë ende shkollën dhe kujtimet mbizotërojnë”, shprehet e mbijetuara Shegushe Haka. Ndërsa Antoneta Taçe rikujton se kompania e sigurimeve u ka ofruar një shumë qesharake, duke e konsideruar veprimin e tyre si një tallje. “Nga çasti i aksidentit kam pasur shumë dëmtime. Kur mbushet një vit, unë mund të them veç se kam kujtime të hidhura dhe dhimbje fizike”, shprehet Taçe. Kurse Doriana Kumrija shprehet se ka qenë në gjumë në momentin e aksidentit, ndërkohë që shprehet se nuk do të udhëtojë drejt Himarës. “Nga universiteti është organizuar një marshim drejt Himarës, por ne nuk kemi mundësi. Edhe familjarët tanë nuk janë dakord që të shkojmë. Nuk e dimë se çfarë do bëhet nesër. Por ne nuk mund të ikim në Himarë. Kemi akoma dëmtime dhe nuk mund të bëjmë rrugë aq të gjata. Asnjëra nga vajzat e autobusit të aksidentit. Ne do të bashkohemi në Elbasan, por ende nuk është vendosur çfarë do bëhet nesër”, shprehet Kumrija. Ndërsa Lira Hasa shton se ato do të shkojnë te familjet e viktimave. “Do marrim pjesë në kujtimin e 1-vjetorit. Ne duam të bëjmë homazhe edhe në universitet. Nga atje u nisëm. Universiteti ishte pikënisja dhe nga atje do të duhet të ketë një përkujtim për viktimat dhe për të mos harruar këtë ngjarje”, thotë Hasa. Edhe Ticiana Hysa përforcon idenë e shoqeve të mbijetuara. “Kujtimet e asaj dite janë shumë të trishtueshme për momentin kur ndodhi që prishi gjithçka. Ne mundohemi të kujtojmë momentet më të bukura ndërsa atë ngjarje mundohemi ta hedhim pas krahëve. Asnjëra prej nesh nuk mund të shkojmë. Ne shpresojmë që t’i kujtojmë shoqet tona pranë universitetit, shprehet Ticiana Hysa, pa dashur të flasë më shumë për atë ditë. Aksidenti tragjik ndodhi më 21 maj 2012, nga i cili humbën jetën 11 studente, shoferi i autobusit dhe i fejuari i një prej studenteve të mbijetuara. B. Nergjoni


 


Dyshoi për gruan


I sëmuri mendor merr peng bashkëfshatarin


Nisur nga dyshimet se i ngacmonte gruan, një i sëmurë mendor ka marrë peng dhe ka dhunuar një bashkëfshatar. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Bezmisht të Pogradecit, ndërkohë që nga ana e policisë rajonale të Korçës, këto veprime janë vlerësuar si të papërgjegjshme për shkak të personit që vuan nga shqetësime mendore, kështu që ai është proceduar penalisht në gjendje të lirë. Bëhet fjalë për 34-vjeçarin me inicialet K. M., i cili ka plagosur dhe mbajtur në gjendje pengu një bashkëfshatarin e vet. Sipas policisë, ai ka mbajtur të mbyllur në garazhin e makinës së tij bashkëfshatarin I. Ç., 25 vjeç, të cilin e ka keqtrajtuar për disa orë, derisa vetë autori ka vendosur ta lirojë. G. A.


 


 


Fier


Vuante nga depresioni, vetëvritet 60-vjeçari


Vetëvritet në kushte të rënda depresioni një 60-vjeçar nga fshati Kuman i rrethit të Fierit. Ngjarja në fjalë ka ndodhur paraditen e djeshme në shtëpinë e të ndjerit Flamur Meta, 60 vjeç. Nga burime konfidenciale të policisë është mësuar se 60-vjeçari Meta është vetëqëlluar me armë zjarri gjahu, teksa ka qenë i vetëm në banesë. Pasi kanë dëgjuar të shtënën, të afërmit e viktimës kanë nxituar t’i japin ndihmën e parë, por kanë konstatuar se 60-vjeçari Meta kishte ndërruar jetë. Nga burimet e sipërcituara mësohet se 60-vjeçari vuante prej disa vitesh nga depresioni dhe kurohej për këtë gjë. Sipas familjarëve, gjatë stinës së pranverës gjendja e tij përkeqësohej, por askush nuk kishte menduar se mund të vetëvritej. E. H.