Lufta në Siri


Raportohen dhjetëra të vrarë nga të dyja palët, Izraeli kërcënon për ndërhyrje


SiriaLuftime të ashpra u zhvilluan gjatë dy ditëve të fundit në qytetin strategjik Qusair në Siri, ndërsa forcat rebele u përballën me sulmin e forcave qeveritare të mbështetura nga milicia Hezbollah e Libanit. Damasku zyrtar deklaroi se e ka marrë nën kontroll shumicën e qytetit dhe ka vrarë më shumë se 100 luftëtarë armiq, të cilët i quan “terroristë”.


Aktivistët sirianë e përgënjeshtruan lajmin dhe deklaruan se qyteti mbetet në duart e rebelëve, pavarësisht se mbi 50 vetë kanë vdekur nga bombardimet e ashpra. Ata thanë gjithashtu se 23 luftëtarë të Hezbollahut nga Libani janë vrarë.


Qusair, një qytezë e vogël rreth 30 kilometra në jugperëndim të Homsit, shikohet si i rëndësishëm për të dyja palët. Ai gjendet në rrugën që lidh Damaskun me bregun e Mesdheut dhe është i rëndësishëm për furnizimet e rebelëve me armë dhe luftëtarë nga Libani, kufiri i të cilit është 10 kilometra më tutje.


Luftimet kanë vijuar prej shumë javësh rreth Qusair, zonë që ka qenë nën kontrollin e opozitës për disa muaj. Korrespondenti i BBC-së në Bejrut, Jim Muir, thotë se beteja e Damaskut për të kontrolluar qytetin duket se është përgatitur shumë muaj më parë. Rebelët duket se kanë humbur shumicën e fshatrave përreth, si dhe zonën rurale pranë kufirit libanez. Rebelët kanë humbur terren gjatë javës së fundit në disa fronte. Komandantët rebelë ankohen për mungesë të furnizimit me armë nga jashtë vendit. Katari dhe vende të tjera raportohet se kanë kufizuar furnizimet, ndoshta si pasojë e ngurrimit të SHBA-së për të ndihmuar fitoren nga rebelët, për shkak të frikës se grupimi Nusra i lidhur me Al-Kaedën, po luan një rol vendimtar në betejë. Natyrisht forcat qeveritare nuk e kanë problem furnizimin me armë, pasi vijojnë të marrin mbështetje nga Rusia, Irani dhe Hezbollahu.


Pasi e bombardoi qytetin me artileri dhe avionë, ushtria e Asadit filloi një ofensivë të dielën në shumë fronte. Në mbrëmje ata patën kapur ndërtesën e bashkisë në qendër të qytetit dhe po avanconin, raportonte media shtetërore. Aktivistët e opozitës e përgënjeshtruan lajmin, megjithëse pranuan se rebelët kanë vuajtur humbje të rënda. Ata publikuan video në internet, që tregonin skena kaotike në atë që thanë se ishte një spital i improvizuar, i mbushur me luftëtarë dhe civilë të plagosur në qytet. Lajmet e medias shtetërore nuk dhanë pamje nga brenda qytetit, por vetëm pamje nga larg, gjë që të bën të mendosh se kontrolli i trupave qeveritare është shumë larg të qenët i plotë, raporton BBC-ja. Një aktivist tha se gjashtë tanke të ushtrisë u shkatërruan, ndërsa u përpoqën të avanconin. Nuk dihet sesa është numri i civilëve të zënë në kurth në Qusair. Qyteti ka pasur dikur 40 mijë banorë, por mendohet se një pjesë e tyre duhet të jenë larguar me kohë.


Ndërkohë, në një lajm tjetër, organizata e ndihmave Oxfam deklaroi se Jordania dhe Libani kanë nevojë urgjente për ndihma, pasi rritja e temperaturave dhe kushtet e këqija higjienosanitare po krijojnë një situatë të rrezikshme në kampet e refugjatëve. Shumë nga emigrantët përfundojnë në vendstrehime të papërshtatshme, shtoi shoqata. Disa refugjatë po jetojnë në qendra tregtare të braktisura, të tjerë në periferi të një varreze. Më shumë se 1.5 milionë sirianë kanë ikur nga vendi dhe rreth 4.3 milionë janë zhvendosur brenda vendit.