mark-froku-320x216Mark Frroku, vëllai i Arben Frrokut, të dyshuarit për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamaj, ka pretenduar sot se policia e ka mbajtur nën përgjim për 2 muaj. Në një dalje publike, ai ka deklaruar se në pjesën e brendshme të makinës së tij janë vendosur pajisje përgjimi.


“Pajisjet që përdoren për përgjim, i kam gjetur në pjesën e sipërme të makinës, në vendin ku ndodhen dritat. E zbulova rastësisht, sepse  sa herë binte telefoni ose unë doja të telefonoja jepte një zhurmë. Këto pajisje përgjuese i përkasin policisë. Akoma nuk jam ankuar, por do ta bëjmë ankesën. Mbrëmë makina ime është marrë dhe është mbajtur me dhunë, vetëm e vetëm me montu pajisje të tjera në makinë”, ka pretenduar ai. Ndërkohë ai ka akuzuar se policia nuk po tregohet profesionale dhe po përdoret politikisht. Frroku ka theksuar se familja e tij po sulmohet për qëllime elektorale.


Ndërkohë avokati i tij, ka deklaruar se metodat që po përdoren nga policia të çojnë të mendosh se ajo po përdoret. “Makina që posedohet nga shtetasi Mark Frroku është e blerë konform ligjeve. Kemi një kontratë që provon blerjen e automjetit. Nuk qëndrojnë akuzat e ngritura ndaj tij, se makina ka mungesë dokumentacioni apo ka probleme në lidhje me pronësinë.  Për sa kohë nuk ka argument ligjor për të bërë shoqërimin e shtetasit Mark Frroku unë si avokat mendoj se nuk ka arsye për të mbajtur automjetin e tij”,- deklaroi avokati.


Sipas avokatit që nga momenti që kanë nisur hetimet për Arben Frrokun, familja e tij ka qenë në dispozicion në policisë për të sqaruar plotësisht pozicionin e tyre. Avokati ka sqaruar se janë ende në pritje të vendimit të Gjykatës së Lartë për ekstradimin e Arben Frrokut nga Greqia, ndërsa ka paralajmëruar se do të ndiqen të gjitha rrugët ligjore deri në arritjen e ndryshimit të masës së sigurisë.


Ndërkohë dje Mark Frroku është shoqëruar në Policinë e Tiranës. Burime zyrtare nga policia thanë se Marku po udhëtonte me një automjet dhe pas ndalimit nga agjentët e policisë rrugore, rezultoi se ai kishte mangësi në dokumentacion. “Shoqërimi është bërë rreth orës 22:00 të së hënës. Policia ka kryer një operacion për mjetet pa dokumentacion dhe midis tyre rezultoi me probleme edhe automjeti me të cilin udhëtonte shtetasi Mark Frroku”, thanë burimet policore. Sipas tyre shoqërimi është kryer vetëm për automjetin, ndërkohë sot ai ka pretenduar se dokumentacioni i makinës ka qenë i rregullt dhe shoqërimi i tij ka qenë pa qenë i parregullt.


21 maj 2013 (gazeta-Shqip.com)