Reali, PSG, Çelsi e Siti, në kërkim të një tekniku
Ulet sipari i kampionateve, ngrihet ai i pankinave. Edhe pse ndonjë turne është në vazhdim (La Liga dhe Ligue 1), qetësia e trajnerëve ka nisur më të gjithë Europën. Nëse në Serinë A dihet se kush do të ndryshojë me siguri (Napoli) dhe kush po mendohet (Milan, Inter e Roma), në Europë janë në valle drejtimet e top-skuadrave si Real Madridi, Paris Saint Germain, Çelsi dhe Mançester Siti. Në “Casa Blanca” po punohet tashmë për post Murinjon. Divorci mes “Special One” dhe Florentino Perez është zyrtarizuar në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, nga një konferencë shtypi e presidentit Florentino Perez. Gjithashtu numri një i klubit madrilen sqaroi se do të ketë zgjedhje të reja presidenciale te “merengues” dhe presidenti i ri do të zgjedhë pasardhësin e Murinjos. Numri një i klubit sqaroi se me Murinjon bëhet fjalë për largim konsensual dhe jo shkarkim, për shkak të rezultateve jo të kënaqshme këtë sezon… Në efektin domino, që pritet të shpërthejë në horizont, Murinjo do të duhet të kthehet në “Stamford Bridge”, në timonin e Çelsit “të tij”, duke zënë vendin e Rafa Benitez. Spanjolli, i marrë për të zëvendësuar Di Mateon nëntorin e kaluar, i drejtoi “Blues”-at në Champions dhe në fitimin e Europa League dhe emri i tij qarkullon për shumë pankina. Ish-trajneri i Liverpulit dhe Interit, bëri të ditur se dëshiron t’i japë prioritet një pune në Angli, por zërat e këtyre ditëve e shikojnë mes Francës (PSG dhe Monako) dhe Italisë (Napolit). Duke u kthyer te Reali, zgjedhja e parë e Perez për post Murinjon është Karlo Ançeloti. Trajneri italian doli hapur, duke i kërkuar PSG-së të largohet për të pranuar ofertën e “Los Blancos”. Leonardo kërkon të fitojë kohë, por presidenti Al Khelaifi duket se premton betejë (“Karlo na kërkoi të largohet, por nuk është e mundur, sepse ka një kontratë dhe duhet ta respektojë. Është një problem i tij, jo i yni”). Në fakt Ançeloti është i lidhur me PSG-në deri në 2014-n, por gjithçka lë të mendohet se në fund do të jetë një lamtumirë, me një tjetër enigmë të lënë nga pas. Atëherë kush do t’i drejtojë kampionët e rinj të Francës? Zërat e fundit japin listën, ku përveç Benitezit, janë Roberto Mançini, Fabio Kapelo dhe Luçiano Spaleti. Por ekziston përshtypja se dy të fundit vështirë se do të lënë Rusinë (Kapelo është impenjuar në eliminatoret e Botërorit, Spaleti duket se s’ka ndërmend të lërë Zenitin) dhe atëherë rriten kuotat e Mançinit. E ardhmja e tij mund të jetë në Francë, ndoshta në Principatë. Monakoja e sapongjitur e manjatit të pasur Rybolovlev, nuk duket e bindur për të konfirmuar Klaudio Ranierin dhe i shkel syrin ish-trajnerit të Sitit. Tek anglezët, nëse nuk ka surpriza, do të shkojë Manuel Pelegrini. Por kujdes: tekniku kilian mbahet nën vëzhgim edhe nga Barcelona. Në rast se Tito Vilanova ka sërish probleme me shëndetin, klubi ka gati një plan B, që sipas “Marca”-s është pikërisht Pelegrini.
Valsi i trajnerëve
Valsi i pankinave në kontinentin e vjetër, nis me Murinjon drejt Çelsit, Ançelotin në vend të tij te Reali, Mançini ose Benitez te PSG-ja dhe Pelegrini drejt Sitit