Ilir Meta ne fushatePartia Lëvizja Socialiste për Integrim ka prezantuar mbrëmjen e djeshme kandidatët e saj për deputet në Qarkun e Fierit, lista e të cilëve udhëhiqet nga nënkryetari i kësaj force politike, Petrit Vasili. Lideri i LSI-së, Ilir Meta, gjatë fjalës së tij deklaroi se më 23 qershor i duhet dhënë fund përrallave të Doktorit që sipas tij jeton në “botën e çudirave”. “Edhe pse sot myzeqarët dhe shqiptarët janë të lodhur nga politika e moçalit dhe baltosjes, besojnë te Shqipëria e shanseve të barabarta dhe e integrimit. Jemi këtu për të shëruar plagët e papunësisë, të luftojmë polarizimin dhe varfërinë, të arsimojmë të rinjtë, prandaj më 23 qershor, Fieri, Mallakastra, Lushnja dhe të gjithë shqiptarët do t’u japin fund përrallave të Doktorit në botën e çudirave. Fierakët dhe shqiptarët duan një lidership që nuk tregon përralla, por që shikon realitetin në sy dhe që i jep dorën çdo të riu dhe të reje apo të moshuari, çdokujt me qëllim ecjen më shpejt në rrugën e mirëqenies dhe të integrimit”, deklaroi Meta. Ai shtoi se shqiptarët nuk kërkojnë një lidership që e koncepton papunësinë si statistikë, që është duke udhëhequr vendin drejt izolimit apo që ndryshon shpesh sloganet e fushatës elektorale vetëm e vetëm për t’u dukur “trendy”. “Fierakët duan një lidership që nuk mendon për grabitjen e zgjedhjeve të ardhshme, por për gjeneratat e së nesërmes, jo një lidership që ndryshon sloganet, por një lidership që ndryshon faqen e Fierit, Mallakastrës e gjithë Shqipërisë”, pohoi Meta. “Ne sot jemi më shumë dhe më të bashkuar, sepse LSI është siguri për rotacionin e sigurt të 23 qershorit. Ne nuk mbjellim urrejtje, ne ngremë ura bashkëpunimi mes shqiptarëve. Kemi vizion dhe energji të çlirojmë potencialet e fjetura, të ecim drejt një modeli ekonomik që sjell punësim, nxit investimet vendase dhe të huaja”, deklaroi kreu i LSI-së.


E.H.