Vendimi i gjykatës:
“Vrasja e mirëmenduar, asnjë provë për ‘sindromën e Stokholmit’. Motivi, banal!”
Komunikimi – Deri në minutën e fundit, Nazimja ka komunikuar me fjalë dashurie me viktimën, duke e bindur të shkonte natën në banesën ku ajo ishte strehuar
Paramendimi – Ka siguruar kohë më parë armën për të realizuar qëllimin e saj. Ka shpenzuar kohë për të mësuar të përdorë armën, me të cilën kreu krimin
Apelimi – Prokuroria e Tiranës vendos të apelojë vendimin e dënimit me 15 vite burg ndaj Nazime Vishës, e cila u shpall fajtore për vrasjen me paramendim të Fiqiri Muçës verën e vitit të kaluar
Vendimi – Vendimi i gjykatës ishte dy vite më pak nga kërkesa e prokurorit, dhe bazuar në një urdhër të akuzës qendrore, vendimi është apeluar.
Sokol Çobo
“Nazime Visha dhe Fiqiri Muça kanë pasur marrëdhënie dashurie dhe janë zhvilluar në konspiracion të plotë. Tentativa e mbrojtjes për të ngatërruar edhe fenomenet psikologjike (sindroma e Stokholmit, që i përket një situate pengmarrjeje në një bankë, ku asnjë nga pengjet nuk ka vrarë më pas pengmarrësin) është e pabazuar në ligj dhe në prova. Vrasja ka qenë e mirëmenduar dhe e mirorganizuar. Motivi ka qenë banal”. Ky ka qenë arsyetimi i Gjykatës së Tiranës për të dënuar Nazime Vishën me 15 vite burg, një masë e cila u konsiderua e lartë për opinionin publik, pasi autorja ka rrëfyer se është dhunuar seksualisht nga viktima që në moshën 14-vjeçare.
Vendimi i gjykatës
Nga administrimi gjyqësor rezultoi e provuar se, viktima Fiqiri Muça, i ardhur nga fshatrat e Matit është vendosur në fshatin Manëz në Durrës dhe pasi i ka lënë në ruajtje 5 fëmijët e tij bashkëshortes, është marrë me transportin e lëndës drusore nga pyjet e Burrelit në zonat urbane përreth. Ai është njohur me shtetasin Beqir Visha, babanë e të pandehurës, i cili është druvar. Marrëdhënia e ngushtë financiare mes të dyve, si dhe të qenët e frontit të punës tepër larg nga banesa e viktimës, kishte detyruar në jo pak raste këtë të fundit që t’i përgjigjej pozitivisht ftesave të Beqirit, për të kaluar natën te banesa e tij, gjë e cila me kalimin e kohës filloi të bëhej më e shpeshtë. Ai është njohur me gruan dhe dy vajzat e tij, që i kishte akoma në shtëpi, të quajtura Nazime dhe më e madhja Lutfije. Kjo e fundit i ka pëlqyer viktimës dhe ka kërkuar dorën e saj për të vëllain e tij, Vladimirin. Para rreth katër viteve, në vitin 2008, në njërën nga ditët e qëndrimit të Fiqiriut në banesën e Beqir Vishës, Fiqiriu ka gjetur të vetme vajzën e vogël, Nazimen, në atë kohë rreth 14 vjeçe, dhe i ka kërkuar të kryejnë marrëdhënie seksuale. Me gjithë kundërshtimin e kësaj të fundit, siç pretendon Nazimja, Fiqiriu ka realizuar qëllimin e tij. Marrëdhëniet seksuale mes tyre kanë vazhduar në të gjitha rastet, kur ai ishte mysafir dhe “rastësisht” babai i saj nuk ndodhej aty.
Në fund të vitit 2011, e pandehura ka pasur një kërkesë për fejesë nga Saimir Fiolla. Kjo kërkesë është pranuar prej saj dhe familjes Visha. Kjo lidhje ishte përjetuar keq nga viktima dhe në disa raste ai jo vetëm e ka kërcënuar këtë të fundit, por dhe ka komunikuar në një rast edhe me vetë të fejuarin, duke i thënë se “Nazimja nuk mund të fejohet me askënd tjetër”. Prokuroria pretendon se, edhe në këtë moment të rëndësishëm e delikat, përsëri e pandehura është e paqartë dhe dukshëm me mungesë sinqeriteti, pasi të dhënat e hetimit flasin ndryshe. Nëse u referohesh mesazheve të datave fare pranë ditës kur po kryheshin dhe ceremonitë e fejesës, e konkretisht më datë 05.01.2012 për një interval kohor të shkurtër, e pandehura i ka dërguar viktimës 6 mesazhe, duke thënë në të gjitha thuajse të njëjtin premtim se “…nuk kam për të pranu zemër, gjafsha ty po mos më lerë rrugvet mua dhe danjeloi ..me kokën tonde do vdes ame beso zemër”. E pandehura ka vazhduar të mbajë kontakte në telefon me të fejuarin dhe njëkohësisht nuk i ka ndërprerë ato edhe me viktimën, si nëpërmjet telefonatave ashtu dhe kontakteve fizike.
Rrëmbimi në vetën e vitit 2012
Më datë 23.05.2012, ndërkohë që e ëma e të fejuarit kishte shkuar në Vilës për të kthyer vizitën dhe krushqia ishte akoma në shtëpi, e pandehura Nazime Visha është larguar nga shtëpia e saj së bashku me viktimën Fiqiri. Ky largim është marrë vesh shumë shpejt dhe ka sjellë si pasojë edhe prishjen zyrtare të fejesës së saj. Dy ditë pas largimit, familjarët Visha kanë bërë denoncim në polici “për zhdukjen e vajzës” dhe më pas fare shpejt është saktësuar se e pandehura Nazime Visha ishte larguar së bashku me viktimën për në pyjet e Martaneshit, ku dhe ka ndenjur për rreth 10 ditë. Çifti Nazime–Fiqiri është dorëzuar fillimisht në Komisariatin e Policisë Mat e më pas në Komisariatin e Policisë Nr. 4, Tiranë. Gjate deklarimeve të tyre të dhëna përpara OPGJ-së, kanë shpjeguar se: “…janë larguar nga familjet me dëshirën e tyre të plotë dhe pa imponim nga askush”. Mes të tjerave viktima, i pyetur për arsyet e këtij largimi, ka sqaruar se “…është detyruar të largohet me Nazimen, për shkak se kjo e fundit i kishte thënë se ishte shtatzënë dhe në varësi të situatës ai mund ta merrte atë dhe në shtëpi për grua, pasi kishte ndërmend të bënte divorc me gruan e parë, Mynyren”.
Nazimja, shtatzënë?
Prokuroria vlerëson se, pretendimi i viktimës se e pandehura ka qenë shtatzënë, duhet marrë në konsideratë dhe me vlera të plota vërtetësie, pasi ky fakt ka qenë jo pak herë objekt diskutimi mes tyre. Këto diskutime provohen nga disa mesazhe telefonike. E pandehura i shkruan viktimës se “…mua të vratesh ti e kam të let sa me helmue se gjynofet e ati që kom në bark do të zen…” Gjithashtu, në mënyrë të vazhdueshme në periudhën pak përpara i është ankuar vazhdimisht se “…kishte dhimbje në fundin e barkut…”. Pas këtyre ngjarjeve, ka pasur konflikte mes familjes Visha dhe Muça.
Vrasja e Fiqiriut
Mes viktimës dhe të pandehurës kanë vazhduar kontaktet. Nuk kanë qenë aspak armiqësore dhe janë zhvilluar në konspiracion të plotë. Më datë 10.08.2012, viktima Fiqiri Muça është takuar rastësisht në Sukth me dëshmitarin Mirvet Bardhi, shofer taksie, të cilit i ka kërkuar ta shoqëronte jashtë Durrësit. Dy ditë më pas, më datë 12.08.2012, viktima i ka telefonuar deklaruesit Mirvet Bardhi, duke lënë takim rreth orës 20:30. Kanë shkuar në Tiranë, pikërisht në Rrugën e Elbasanit, për të përfunduar në Kërrabë. Viktima është afruar pranë një shtëpie të rrethuar me avlli dhe me tela. Pasi rreth dy-tre minutash, Mirveti ka dëgjuar krisma armësh dhe sakaq ka parë pasagjerin e tij, Fiqiriun, që po vraponte drejt një lëndine, i ndjekur nga tre persona, dy gra dhe një burrë. Pas pak sekondash, tre personat janë kthyer pranë mjetit dhe vajza e re, e identifikuar më pas si Nazime Visha, ka qenë me automatik në dorë. Ata i kanë kërkuar të qëndronte aty deri sa të vinte policia për të dëshmuar se çfarë kishte ndodhur. E pyetur menjëherë pas ngjarjes, e pandehura pranon vrasjen e Fiqiri Muçës. Ajo insistoi se vrasjen e ka kryer pasi personi në fjalë e ka kërcënuar në mënyrë të vazhdueshme dhe e ndodhur në këto rrethana, kur ai ka ardhur pikërisht atë natë për ta grabitur, ajo e ka qëlluar me automatik, të cilin e kishte gjetur në pyll. Duke analizuar rrethanat, për prokurorinë, motivi është banal.
Nuk vërtetohet abuzimi seksual
Gjykata vëren se, këto pretendime të së pandehurës (se kishte kryer marrëdhënie me dhunë me viktimën në moshën 14-vjeçare dhe se kjo marrëdhënie e detyruar kishte vazhduar për disa vjet) nuk rezultuan të provuara, pasi e pandehura, duke zgjedhur të gjykohej mbi bazën e akteve të mbledhura nga prokuroria, hoqi dorë nga paraqitja e ndonjë prove apo indicie të besueshme. Në lidhje me kërcënimet e Fiqiriut për Nazimen, gjykata thotë se rezultoi e kundërta. Nëse u referohemi edhe fotove të gjetura në telefonin celular të viktimës Fiqiri Muça, rezulton se, e pandehura kishte një marrëdhënie shumë intime me viktimën, pasi këto foto kanë përmbajtje të fortë erotike. E pandehura ka vazhduar të mbajë kontakte në telefon me të fejuarin dhe njëkohësisht nuk i ka ndërprerë ato edhe me viktimën.
Marrëdhënie dashurie në konspiracion
Pas një situate të qetë në dukje për familjen Visha, ku gjyshërve me marrjen e së pandehurës Nazime në shtëpinë e tyre u është dukur se gjërat janë vënë në vijë, mes viktimës dhe të pandehurës kanë vazhduar kontaktet. Këto kontakte, edhe pse të pasaktësuara në detaje, nga analiza e zhvillimeve të mëvonshme kanë treguar se, nuk kanë qenë aspak armiqësore. Përkundrazi, nga provat e administruara gjatë gjykimit rezulton se, këto marrëdhënie kanë qenë marrëdhënie dashurie dhe janë zhvilluar në konspiracion të plotë. Gjatë gjykimit nuk u vërtetua për asnjë moment se, viktima ushtronte dhunë ndaj të pandehurës. Edhe ditën e vrasjes, gjatë rrugës viktima ka pasur telefonata, të cilat i janë drejtuar dikujt dhe mes tyre ka pasur dhe përdorim të shpeshtë të shprehjeve që rëndom u thuhen njerëzve të afërt si “zemër” apo “shpirt”.
Vrasja e mirëmenduar
E pandehura ka vepruar me qetësi dhe sipas një plani të mirëmenduar në një kohë relativisht të gjatë. Deri në minutën e fundit, Nazimja ka komunikuar me fjalë dashurie me viktimën, duke e bindur të shkonte natën në banesën ku ajo ishte strehuar. Ka siguruar kohë më parë armën për të realizuar qëllimin e saj. Ka shpenzuar kohë për të mësuar të përdorë armën, me të cilën kreu krimin. Ka qenë e qetë pas kryerjes së krimit dhe me armën e krimit në dorë. Ka shtirë disa herë ndaj viktimës, në intervale kohore të ndara nga njëri-tjetri.
Sindroma e Stokholmit
Gjykata çmon se, pretendimet e mbrojtjes dhe të së pandehurës se, ajo ka vepruar në kushtet e mbrojtjes së nevojshme, nuk janë të bazuara në asnjë nga provat e marra për shqyrtim nga gjykata dhe të pranuara si të tilla nga vetë e pandehura. Në asnjë rast nuk u vërtetuan kushtet e mbrojtjes së nevojshme, si institut, i parashikuara nga neni 19 i KP. Tentativa e mbrojtjes për të trajtuar çështjen në frymën e këtij neni, duke e ngatërruar edhe me fenomene psikologjike (sindroma e Stokholmit – që i përket një situate pengmarrjeje në një bankë, ku asnjë nga pengjet nuk ka vrarë më pas pengmarrësin) është e pabazuar në ligj dhe në prova. Ishte vetë e pandehura, e cila pranoi të gjykohej me provat e mbledhura gjatë hetimit, duke hequr dorë nga paraqitja për shqyrtim e provave të tjera. Në këtë mënyrë, gjykata çmon se, nuk mund të merren si të vërteta pretendimet e ngritura nga mbrojtja e saj se, ajo ka qenë nën kërcënim serioz, real për jetën dhe shëndetin e saj apo se, vuante nga “sindroma e Stokholmit”, pasi nuk iu vunë në dispozicion prova të tilla.