Flet Robert Hand: Duhet arritur një marrëveshje mes palëve
“Për të realizuar zgjedhje të rregullta në Shqipëri është ende e mundur, por duhet vepruar shpejt, sa nuk do jetë vonë”. Është ky qëndrimi i shprehur dje nga këshilltarët e lartë politikë në Komisionin Amerikan të Helsinkit, Robert Hand, njëherësh vëzhgues i hershëm i zgjedhjeve në Shqipëri. Në një intervistë dhënë dje për “Zërin e Amerikës”, Hand shprehu keqardhjen e tij për ato që i quajti lojëra politike, përfshirë situatën e krijuar me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Sipas tij, nëse arrihet një marrëveshje për KQZ-në, duhet të jetë afatgjatë dhe në mbështetje të ligjit. “Për fat të keq kemi filluar që tani të shohim për zgjedhjet e ardhshme se po bëhen shumë lojëra dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është një prej tyre dhe kjo po shkakton humbje besimi dhe mendoj se kjo është për të ardhur keq. Nëse zgjedhjet e kësaj radhe në Shqipëri nuk marrin notë të mirë, pa diskutim që do të ketë pasoja për shpejtësinë e integrimit në Bashkimin Europian. Anëtarësimi, edhe në rrethana ideale do kohë që të bëhet, kështu që nuk mund të përballohen vonesa të mëtejshme. Prandaj zgjedhjet duhet të jenë të rregullta. Ende ekziston mundësia, por mendoj se duhet të veprojnë me shpejtësi për ta realizuar një gjë të tillë”, u shpreh Hand. Por nga ana tjetër, këshilltari i lartë i KAH-ut theksoi se komuniteti ndërkombëtar nuk është i kënaqur me mënyrën e të bërit politikë në Shqipëri, që sipas tij, e pengon realizimin e potencialit të plotë të vendit. “Mendoj se gjithnjë e më shumë ka një humbje durimi me Shqipërinë. Ka pasur një farë përparimi në mbajtjen e zgjedhjeve të viteve të fundit, por përparimi nuk ka qenë i mjaftueshëm. Ne, gjithashtu, konstatojmë që Shqipëria nuk po e realizon potencialin e saj të plotë si partnere dhe aleate, për sa kohë që ka paqëndrueshmëri politike, për sa kohë që ka korrupsion”, theksoi Robert Hand.
Zgjidhja e KQZ-së
Ndërsa i pyetur në lidhje me gjetjen e një zgjidhjeje që do të nxirrte KQZ-në nga ngërçi politik i krijuar, vëzhguesi zgjedhor i Komisionit Amerikan të Helsinkit, thekson se duhet arritur në një marrëveshje mes palëve, ku secila pret të zbatojë ligjin. “Sigurisht që ata (forcat politike) duhet të ulen së bashku të diskutojnë sesi ta plotësojnë KQZ-në, por nuk duhet të jetë thjesht një vazhdim i lojës politike ku një shtrëngim duarsh mes dy partive politike, del mbi ligjin. Mendoj se shumë njerëz mendojnë se nëse do të ishte respektuar ligji, ky veprim nuk duhet të kishte ndodhur. Prandaj mendoj se duhet të ketë një riangazhim ndaj Kodit Zgjedhor, ndaj ligjeve, dhe një ide të qartë për ecurinë e mëtejshme. Pikëpamja ime për KQZ-në është se këta njerëz (anëtarët) zgjidhen nga partitë politike, por pasi janë miratuar, duhet të pritet prej tyre që të sillen me profesionalizëm, jo në mënyrë politike. Do të duhet një marrëveshje politike për ta rikthyer këtë formulë, por do të duhet gjithashtu një rikonfirmim i qartë që do ta respektojnë kodin, do të respektojnë ligjet dhe jo thjesht të bien në ujdi për atë që duan apo nuk duan të bëjnë”, u shpreh Hand.
Besimi te palët
Ndërsa i pyetur se si mund të rikthehet besimi te publiku, eksperti amerikan zgjedhor theksoi se qeveria e Shteteve të Bashkuara ka kritikuar zhvillimet në Shqipëri dhe se, sipas tij, qytetarët në Shqipëri duhet ta dinë se komuniteti ndërkombëtar nuk është i kënaqur me politikën në vendin e tyre. “Ne duam që ndryshimet të jenë paqësore, në përputhje me ligjin, por që kjo të realizohet duhet të njerëzit të bashkohen dhe të thonë “nuk duam këtë lloj politike, duam një lloj tjetër politike”. Mendoj se Shtetet e Bashkuara dhe Europa kanë dërguar sinjalet e duhura se ne i mbështesim këto lloj nismash paqësore dhe demokratike si për shembull për një media më të pavarur, shoqërinë civile siç e thashë, grupe aktivistësh që duan të çojnë përpara një çështje të veçantë. Duam që zyrtarët e qeverisë të jenë më të hapur ndaj zgjedhësve të tyre dhe t’u përgjigjen shqetësimeve të tyre”, u shpreh dje vëzhguesi zgjedhor, Robert Hand.