Lëvizjet


Bogdani – Kreu i FRPD-së, Gert Bogdani, i cili në 2009-n u zgjodh deputet në njësinë nr. 10 në Tiranë, është zhvendosur në njësinë nr. 2, për t’u zëvendësuar nga Jorida Tabaku dhe Andia Pustina


Strazimiri – Deputeti Gent Strazimiri është zhvendosur në minutat e fundit nga kandidimi i tij në Qarkun e Tiranës, në Krujë, që i përket Qarkut të Durrësit


Ristani – Arben Ristani nga lagjja Kombinat në Tiranë, kaloi në Vlorë për t’u zëvendësuar nga Edi Paloka. Ndërsa ish-prefekti i kryeqytetit, Keltis Kruja, kandidon në rrethinat e Tiranës 


Xhepa: Jam në pushim. Do të flas pas 23 qershorit


Herion Mesi


Selami XhepaZyrtarizimi i listës së kandidatëve për deputetë ka ndarë përfundimisht figurat kryesore të Partisë Demokratike të këtyre viteve nga kryetari Sali Berisha. Pasi u përjashtuan nga lista e kandidatëve për deputetë, deputetët demokratë, që për pak ditë kthehen në “ish”, nuk duken të interesuar më për fushatën elektorale që partia e tyre po zhvillon gjatë këtyre ditëve për zgjedhjet e 23 qershorit. Edhe pse PD-ja e hapi fushatën elektorale 10 ditë përpara hyrjes zyrtare në fushatë elektorale, ish-deputetët demokratë duket se e kanë braktisur krejtësisht fushatën e PD-së.


Të larguarit


Ndërsa u përfol pak ditë më parë në media për një angazhim të tij në fushatën e kandidatëve demokratë në Qarkun e Dibrës, ish-deputeti i PD-së, Selami Xhepa, e mohon një fakt të tillë. I kontaktuar një ditë më parë nga “Shqipi”, Xhepa theksoi se nuk ka marrë pjesë në asnjë aktivitet elektoral të PD-së gjatë këtyre ditëve, jo vetëm në Dibër, por as në Tiranë. “Jam në pushim total, nuk po merrem me asgjë”, theksoi Selami Xhepa. Duke mos dashur të komentojë vendimin e kreut të mazhorancës, i cili vendosi të mos e përfshijë në listat e PD-së për deputetë, ish-anëtari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë theksoi se një gjë të tillë do e bëjë pas 23 qershorit. “Tani për tani nuk kam se çfarë flas, vetëm pas 23 qershorit do të prononcohem në lidhje me fushatën dhe zhvillimet brenda PD-së”, u shpreh Xhepa. Një tjetër figurë kryesore e PD-së e këtyre viteve mësohet se tashmë ka hequr dorë përfundimisht nga fushata. Bëhet fjalë për ish-kryetarin e Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, i cili pasi u rendit poshtë asaj që quhet “zona e sigurisë” në listën e kandidatëve të PD-së për kryeqytetin, vendosi të mos ishte i pranishëm në mitingun e 13 majit, ku PD-ja zyrtarizoi çeljen e fushatës për Tiranën. Edhe deputeti tjetër demokrat, njëherësh ish-kryetar i Komisionit të Sigurisë, Leonard Demi, pasi nuk u përzgjodh më nga kryetari Berisha të ishte përfaqësues i PD-së në listat e Vlorës, mësohet se ka refuzuar të bashkëpunojë me ish-kryetarin e tij të grupit parlamentar, Astrit Patozin dhe me ish-kryetarin e KQZ-së, Arben Ristanin, që kryesojnë listën e Vlorës. Pas publikimit të listës, burime nga mazhoranca theksuan për “Shqipin”, se Demi ka zhvilluar takime me pjesëtarë të PDIU-së, me të cilët duket se nuk ka arritur në një marrëveshje konkrete që Demi të përfaqësohej në listat e zgjedhjeve të 23 qershorit me logon e PDIU-së. Ndërkohë, edhe Viktor Gumi, Jemin Gjana, Fatos Hoxha, Fatos Beja, Ilir Bano, Enkelejd Alibeaj, janë disa nga deputetët e tjerë demokratë, që nuk janë pjesë e listës së PD-së, ose të renditur larg “zonës së sigurisë”, kanë hequr dorë nga fushata. Gati të përjashtuara janë edhe deputetet Lajla Përnaska dhe Rajmonda Bulku, pasi renditen në vende të vështira në listë, ku dhe ritmi i takimeve të tyre me elektoratin e djathtë është tepër i ulët. Diskutimet e fundit, Kryeministri i mbajti në zyrën e tij, në një mbledhje që u zhvillua me dyer të mbyllura për të zyrtarizuar listën. Për të negociuar listën e kandidatëve, mësohet se veç kryeparlamentares Jozefina Topalli ka qenë disa herë edhe kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, i cili mësohet se ka këmbëngulur për të përfshirë në lista ish-nënkryetaren e Bashkisë së Tiranës, Jorida Tabaku. Deputetët që janë mënjanuar gjithsesi nuk pranojnë të komentojnë për mediat mungesën e tyre në lista, pasi presin të jenë luajalë gjatë zhvillimit të fushatës. Gjithsesi ajo që është komentuar në opinionin publik si largimet e mëdha nga ana e kreut të selisë blu, është pikërisht ajo që është cilësuar “shkrirje e Komisionit të Ligjeve”, pasi deputetët kryesorë të tij, duke nisur nga kryetari Rusmali, anëtarët: Gumi, Hoxha, Trashani, Hoti nuk janë kandiduar në lista ose janë vënë në vende të ulëta. Gjithashtu dy nga kryetarët kryesorë të komisioneve parlamentare, si ai i Politikës së Jashtme, Fatos Beja, dhe ai i Sigurisë Kombëtare, Leonard Demi, nuk figurojnë në listat e kandidatëve për deputetë.


 


Prezantimi – Kandidatët e PD-së po prezantohen nga vetë kryetarët e bashkive të Tiranës, Lulzim Basha, dhe ai i Kamzës, Xhelal Mziu


Ministrat – Partia Demokratike, duke i dhënë rëndësi të madhe Qarkut të Tiranës, ka angazhuar edhe ministrat e kabinetit qeveritar


Socialistët – Ish-socialistët, deputetët Kastriot Islami dhe Asllan Dogjani, tashmë janë në podiumin blu në garën për Tiranën