thaci dacic ashtonKryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiq, sot do të takohen në Bruksel me ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton. Në këtë takim do të shqyrtohet plani për zbatimin e marrëveshjes.


Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi ka shprehur optimizmin e tij që mund të arrihet marrëveshja për planin e zbatimit.


“Jam optimist dhe me shpresë që do të arrihet marrëveshja për implementim dhe do të shohim hapa konkret të ndryshimit të gjendjes edhe në terren, natyrisht hap pas hapi, në mënyrë graduale në mënyrë të vullnetshme me një vullnet edhe të institucioneve të Kosovës edhe qytetarëve në veri në mënyrë që të jetojmë një jetë të re të përbashkët. Natyrisht, që sfida do të kemi, vështirësi do të kemi, por këto sfida nuk janë vetëm të veriut janë gjithë Kosovës, por jam optimist që gjërat do t’i kalojmë bashkërisht”, ka theksuar kryeministri Thaçi.


Sipas tij, ridiskutim të marrëveshjes nuk do të ketë, por vetëm opinione se si të zbatohet kjo marrëveshje.


“Ridiskutim të marrëveshjes nuk mund të ketë, por opinione se si do të implementohet duhet të respektohen. Kosova ka pranuar propozimet e Ashtonit për implementim, tani mbetet që Beogradi të pajtohet nesër në Bruksel”, është shprehur ai.


Kurse, kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq ka deklaruar se nga Beogradi pritet që deri në fund të javës të hartojë planin e zbatimit të marrëveshjes së Brukselit ku do të ceken afatet dhe veprimet që do të përfundojnë në periudhën e caktuar.


Daçiq ka thënë dje se “po flasim për afatet në parim”. “Plani është i nevojshëm që dikush të mund të konkludojë se po punojmë diç seriozisht. Pa planin e zbatimit, e kjo para se gjithash ka të bëjë me policinë, gjyqësinë dhe afatet e caktuara, nuk mund të presim pëlqimin e Gjermanisë për marrjen e datës për fillimin e negociatave me BE”, ka thënë ai.


Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton, duke komentuar marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka deklaruar se për BE-në janë të rëndësishme aspektet që të vihet deri tek pika që të përmbushen kushtet.


Ashton ka theksuar se tashmë ka përgëzuar kryeministrin e Kosovës dhe atë të Serbisë për guxim dhe përkushtim, si dhe për punën e vështirë në arritjen e marrëveshjes, ndërsa kryeministri Thaçi ka shprehur besimin se do të arrihet një marrëveshje për këtë dhe se nuk ka kthim prapa përveç zbatimit të marrëveshjes.


Gjatë vizitës së djeshme në Beograd dhe Prishtinë, ministri i jashtëm i Gjermanisë, Guido Westerwelle, është takuar me të dy kryeministrat, me ç’rast vlerësoi se marrëveshja është “historike” për ka kërkuar “hapa konkretë” për implementimin e saj”.


21 maj 2013 (gazeta-Shqip.com)