Ndërkombëtarët


Ambasadori i SHBA-së takon Ramën, Berisha kreun e ODIHR-it


Arvizu – Ambasadori amerikan zhvilloi një takim 40 minutësh me liderin e opozitës Edi Rama. Ai u shpreh se SHBA është e shqetësuar për situatën në KQZ


Berisha – Kryeministri Sali Berisha është fokusuar vetëm te takimet me shefat e ODIHR dhe të Asamblesë Parlamentare të OSBE. Ai e gjen zgjidhjen në paraqitjen e emrave nga PS dhe Kuvendi t’i votojë ato emra, duke rrëzuar idenë e opozitës për rikompozim të KQZ-së


BLEDAR HOTI


Arvizu & RamaÇështja e vakumit në KQZ mbetet ende pa zgjidhje dhe kjo vazhdon të shqetësojë komunitetin ndërkombëtar. Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu zhvilloi një takim në selinë e PS-së, me kreun e kësaj partie, Edi Rama, dhe sekretarin për Çështjet Zgjedhore, Damian Gjiknuri. Bisedimi me diplomatin amerikan ka zgjatur për më shumë se 40 minuta. “Një çështje me shqetësim për SHB-në, komunitetin ndërkombëtar përfshi edhe vetë shqiptarët mbetet funksionimi i plotë i KQZ-së. Ne vijojmë të jemi të frustruar nga fakti se KQZ nuk është plotësisht e konstituuar në kushtet e mosfunksionimit e plotë. Ne vijojmë të bisedojmë me miqtë tanë të besuar dhe partnerët, duke tentuar për të kuptuar nëse ekziston mundësia që partitë të punojnë së bashku për të bërë të mundur konstituimin e plotë të KQZ-së në mënyrë që të jetë plotësisht funksionale për t’i shërbyer nevojës së zgjedhjeve. Jam këtu me zotin Gjiknuri, ekspert i zgjedhjeve, i cili është duke punuar shumë. Ne bisedojmë edhe me parti të tjera dhe do të vijojmë ta bëjmë këtë. Gjithmonë jam optimist për një zgjidhje por gjithashtu jam realist. Ne dëgjojmë dhe lexojmë me shumë vëmendje deklaratat e Kryeministrit, zotit Rama dhe zotit Meta por ata natyrisht s’janë ende afër një zgjidhjeje”, tha pas takimit Arvizu. Ndërsa sekretari socialist Gjiknuri ka qenë i prerë në qëndrimin e tij, ku zgjidhja e vetme është rikthimi i çështjes së KQZ-së në Parlament. “PS-ja është e hapur për çdo zgjidhje që do të bënte të mundur funksionimin e KQZ-së sipas ligjit. Ne e kemi thënë që jemi të përgatitur që të shkojmë në zgjedhje edhe me këtë komision, sepse për ne zgjedhjet përfundojnë në vendin ku u cenua legjitimiteti i këtij komisioni. Ne jemi të hapur për çdo zgjidhje që sjell ligjshmërinë dhe zgjidhja është Parlamenti, vendi ku u cenua integriteti i KQZ-së. Ne e kemi thënë që jemi të përgatitur që të shkojmë në zgjedhje edhe me këtë komision sepse për ne zgjedhjet përfundojnë në vendin e numërimit të votave. KQZ-ja duhet të kthehet në Parlament, pasi është ai vendi ku u cenua legjitimiteti i këtij komisioni”, tha Gjiknuri.


Berisha takon ODIHR dhe OSBE


Nga ana tjetër, Berisha duket se është mjaftuar të takohet me shefin e ODIHR-it, Conny McCormak dhe më pas me anëtarin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Roberto Battelli, i cili shoqërohej edhe nga kreu i zyrës së Asamblesë Parlamentare në Vjenë, ambasadori Andreas Nothelle. Me shefen e misionit të ODIHR, sipas njoftimit për shtyp të KM-së, në lidhje me problemin e KQZ-së, Kryeministri u shpreh se “Partia Socialiste po përpiqet të pengojë procesin zgjedhor, duke keqpërdorur anëtarët e saj në KQZ, nëpërmjet orkestrimit politik të dorëheqjeve të tyre, megjithatë Kryeministri u shpreh i gatshëm për të plotësuar anëtarësinë e KQZ-së me emrat që opozita do të propozojë”. Ndërsa në takimet me Battellin dhe Nothelle, Berisha i njohu me urdhrin e nënshkruar prej tij, i cili ndalon përdorimin e burimeve financiare dhe mjeteve e materialeve e ndryshme të administratës shtetërore të çdo niveli, në shërbim të veprimtarive të fushatës elektorale. Në lidhje me problemin e KQZ-së, Kryeministri theksoi se “Partia Socialiste po përpiqet të pengojë procesin zgjedhor, duke keqpërdorur rolin e anëtarëve të saj në KQZ. Sidoqoftë, mazhoranca është tërësisht e hapur dhe e gatshme për të plotësuar anëtarësinë e KQZ-së me emrat që opozita do të propozojë”. Mandati i Kuvendi zyrtarisht mbaron më 25 maj, PD dhe PS kanë kohë dhe tri ditë për të gjetur zgjidhje dhe për të arritur një kompromis për çështjen e KQZ-së, ku deri më tani palët vazhdojnë të jenë të ndara.


 


 


Topalli


Në çdo kohë e mbledh Kuvendin, Rama të plotësojë KQZ-në


Kryetarja e Kuvendit takoi dje drejtoren e NDI në Shqipëri, Ana Kadoviç dhe ekspertin e lartë zgjedhor Sam Sager. Duke biseduar për procesin zgjedhor, Jozefina Topalli tha se fushata zgjedhore po shkon shumë mirë në të gjithë Shqipërinë. “Si Kryetare e Kuvendit shpresoj që kryetari i PS-së, Rama, të sjellë emrat për KQZ-në. Unë shpresoj shumë që Rama të mos e përdorë këtë si alibi kur të humbë zgjedhjet. Parlamenti është gati në çdo moment të mblidhet për të votuar emrat që opozitës i takon të sjellë, sipas Kodit Zgjedhor. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vijon punën e tij në respekt të ligjit. Përbërja e këtij komisioni është votuar me konsensus mbi principin e balancimit dhe anëtarët e tij duhet të zbatojnë dhe të respektojnë ligjin”, tha Topalli.