The Doors”


The doorsRay Manzarek, anëtar themelues i bandës muzikore të viteve ’60 “The Doors”, u nda nga jeta në moshën 74-vjeçare. Ai e themeloi bandën e udhëhequr nga këngëtari Jim Morrison më 1965-n, pas një takimi të rastësishëm në Los Anxhelos. Manzarek, i cili luftoi me kancerin për shumë vite, vdiq në një klinikë në Rosengeim në Gjermani, ndërsa bashkëshortja dhe vëllezërit e tij qenë me të në çastet e fundit.


“The Doors” kapën famë në vitet ’60 me këngët hit, si “The End”, “Break on Through to the Other Side” dhe “Hello I Love You”.


Ata shitën më shumë se 100 milionë albume në të gjithë botën, ndërsa Manzarek u bë një nga tastieristët më të famshëm të epokës së tij. Në vitet e fundit të jetës, Manzarek luajti për banda të tjera, ndërsa më 1998-n shkroi një libër të shumëshitur me kujtime. Bateristi John Densmore tha se ndihej “tërësisht i humbur” për shkak të vdekjes së “vëllait në muzikë”.


“Nuk kishte tastierist më të përshtatshëm në planet për të mbështetur fjalët e Jim Morrison”, shtoi ai. Kitaristi Robbie Krieger, i cili vijoi të luajë me Manzarek pas vdekjes së Morrison më 3 korrik 1971, tha se “ishte shumë i trishtuar” kur dëgjoi lajmin.


Grupi fillestar krijoi gjashtë albume në gjashtë vitet që qëndruan së bashku. Vdekja e Morrison nga zemra në një banjo në Paris i dha praktikisht fund bandës, megjithëse Manzarek, i lindur në Çikago, mori rolin e këngëtarit.


Manzarek, i cili ka rrënjë polake, e kaloi fëmijërinë në Çikago para se të studionte kinematografi në Kaliforni, ku fillimisht u takua me studentin e filmit Morrison.


Në fillim nuk kishte ndonjë ide për krijimin e një bande roku. Morrison ishte një poet dhe regjisor. Ai pati marrë leksione për piano klasike si fëmijë. Manzarek la pas bashkëshorten e tij, një djalë dhe tre nipër e mbesa.