Reagon PS, Prenga: Ai hedh tymnaja, i kanë ikur demokratët, i kanë ikur prej kohësh
BLEDAR HOTI
Kryeministri Sali Berisha u rikthehet deklaratave të disa viteve më parë, se mund ta mbajë pushtetin me dhunë, duke shfrytëzuar demokratët e Mamurrasit. Një deklaratë të tillë, kreu i PD-së, Sali Berisha, e pati lëshuar kur ishte lider i opozitës, pas vitit 1998, ku theksonte se “me 200 demokratë të Mamurrasit dhe Laçit rrëzonte pushtetin e PS-së”. Kësaj here, kryedemokrati e lëshoi sërish një qëndrim të tillë, duke e ‘zbutur’, pasi shtoi se ai nuk e realizon një gjë të tillë, pasi beson te vota e lirë. “Miqtë e mi, a ju kujtohet juve kur me Pal Dajçin (ish-deputet i PD), 10 vjet më parë, na u desh t’u themi atyre se me djemtë e Mamurrasit ne edhe ua japim duart, por ne jemi demokratë dhe besojmë te vota. Ne besojmë te paqja. Se na kërcënonin, na zinin prita, por ato janë të shkuara dhe nuk kanë vlerë. E thashë këtë tani që me votën e Kurbinit t’i lëmë në opozitë, të paktën edhe për 12 vjet të tjera. Le të ecim ne përpara, përpara, përpara!”, tha Kryeministri. Berisha përuroi dje rikonstruksionin e rrugës Shënkoll – Tale – Hidrovor, në Qarkun e Lezhës, një investim me vlerë rreth 136 milionë lekë, financim i OFIDI dhe qeverisë shqiptare. Në fjalën e tij, lideri i PD-së, u shpreh se në Qarkun e Lezhës e djathta do të fitojë pesë mandate nga katër që mori në vitin 2009. “Po shkojmë drejt 23 qershorit. Të rinjtë dhe të rejat, gratë dhe burrat e këtij qarku, qytetarët e mrekullueshëm të Lezhës e kanë provën e madhe. Çdo qytetar i Lezhës, çdo qytetar i këtij qarku, çdo qytetar i Tiranës, mbarë kombi shqiptar dhe shqiptarët kudo që janë presin nga ju mandatin e artë, mandatin e 5-të”, shtoi Kryeministri. Ndërsa u shpreh i bindur se do të faktojë se qeveria që ai drejton ka shtruar 10 mijë kilometra rrugë në gjithë Shqipërinë. “E do t’ju ndërtojmë juve infrastrukturën e plotë. Gjatë këtyre viteve ne kemi ndërtuar mbi 10 mijë kilometra rrugë. Ne do të nxjerrim listën kilometër për kilometër për ata që i mohojnë. Ne përsëri kemi për të ndërtuar shumë e shumë të tjera. Unë do t’ju jap vetëm një të dhënë, e cila mund t’ju duket e pabesueshme, por në inventarin e rrugëve dhe rrugicave në qytetin e Tiranës rezultonte se 250 kilometra nuk ishin asfaltuar kurrë. Në Tiranë po të dilni nga qendra zbrisni drejt baltës, por kjo nuk është vetëm në Tiranë. Kështu janë një seri qytetesh tona. Ne do të bëjmë gjithçka të asfaltojmë, ndërtojmë, rindërtojmë rrugë për qytetarët dhe të qytetarëve shqiptarë”, theksoi Berisha.
Reagimi i PS-së
Pas këtyre deklaratave të Kryeministrit se në Qarkun e Lezhës do të fitojë 5 mandate nga 7 që janë gjithsej, ka ardhur dhe reagimi i deputetit të PS-së, Armando Prenga. Për gazeta “Shqip”, Prenga shprehet se fitorja e së majtës në zgjedhjet e 23 qershorit do të jetë spektakolare. “Berisha duhet ta dijë se i ka irrituar njerëzit me emrat e vendosur në listën e PD-së për Qarkun e Lezhës. Një demokrat ekstrem, nuk mund të votojë një socialist ekstrem si Gjovalin Kadeli. Prandaj them se rezultati i 23 qershorit në Qarkun e Lezhës do të jetë surprizë, pasi do të kemi një fitore spektakolare për koalicionin e majtë politik. Berisha vetëm hedh tymnaja dhe shashka, pasi demokratët e Mamurrasit i kanë ikur prej kohësh Berishës”, tha Prenga për gazetën “Shqip”. Në zgjedhjet e vitit 2009, PD mori 4 deputetë, ndërsa PS fitoi 3 deputetë. Ky qark ka gjithsej 7 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë.