Denoncimi
Historia e familjes Asllani dhe përplasjet, që sipas tyre, u vijnë nga kryekomunari i PD-së
Dy të moshuar, burrë e grua, fermerë, e ndiejnë veten të persekutuar çdo fushatë elektorale, vetëm për faktin se ata njihen si të majtë. Historia i përket Irfan dhe Viktorie Asllanit nga zona e Kolonjës, të cilët prej disa vitesh sulmohen nga komuna, apo edhe organet e tjera, sa herë afrohet fushata elektorale. Çifti nga fshati Helmes i Kolonjës përballet me presione dhe pengesa, që i rrezikojnë falimentimin si bujq dhe i shkaktojnë ecejake në dyert e policisë dhe institucioneve shtetërore të pushtetit lokal, sa herë që vjen një kohë zgjedhjesh. Fëmijët e tyre janë larg, kështu që ata janë të detyruar të përballen vetëm për një kohë të gjatë, me atë që e quajnë si terror në kohë fushatash elektorale. Pasi janë thirrur ditët e fundit në Prokurorinë e rrethit, të kallëzuar nga kryetari i Komunës Mollas, përfaqësues i Partisë Demokratike, sikur kanë shtrirë zotërimin e pronës private në mënyrë abuzive, bashkëshortët Asllani kanë përballjen e radhës me situata që i kanë kaluar edhe më parë. “Prej afro 3 vitesh, bashkëfshatari ynë, Myrsel Nazarko, që ka tani funksionin e sekretarit të pleqësisë në Helmes, me mbështetjen e vëllait të tij, Artur Nazarko, që këto dy vitet e fundit është zgjedhur kryetari Komunës Mollas, po na e bën jetesën të padurueshme në fshat me lloj-lloj kërcënimesh”, thotë Viktorie Asllani. Ajo kujton se në zgjedhjet e kaluara lokale, si persona me bindje të majta, kanë provuar rreziqe nga më të ndryshmet sa mund të përfundonin në burg apo në konflikte fizike. “Dy herë janë hedhur fishekë në oborrin e shtëpisë sime në periudhën e zgjedhjeve lokale dhe pastaj për të penalizuar familjen time, u vendos një arkë me fishekë në çatinë e shkollës së fshatit, shkollë e cila ndodhet përballë shtëpisë sonë dhe është ngritur prej vitesh në truallin që kemi trashëguar si pronë private”, tregon një prej rasteve të përndjekjeve të familjes së saj, Viktoria. Policia lokale e Ersekës, por edhe ajo e Korçës, sa herë është sinjalizuar për të verifikuar mbi këto municione luftarake, të hedhura sa në oborr shtëpie apo të gjetura në ambientet e shkollës, sipas gruas që denoncon këto ngjarje, asnjëherë nuk ka kryer veprime hetimore. Kjo, sipas saj ndodh për faktin se kreu aktual i Komunës Mollas ka qenë më parë me detyrë në organet e policisë. “Unë e shikoj si një abuzim të pashembullt, që me firmën e Artur Nazarkos si kryetar komune dhe të vëllait të tij, Myrsel Nazarko, si përfaqësues i pleqësisë së fshatit Helmes, të dërgohem për ndjekje penale në prokurori, me pretendimin e tyre se kam ngritur murin rrethues të shtëpisë mbi një sipërfaqe më të madhe toke nga sa na takon. Kam dokumente për këtë dhe sa herë jam ankuar më parë në prefekturë dhe këshillin e qarkut më kanë dhënë të drejtë drejtuesit e këtyre institucioneve”, shprehet Viktorie Asllani. Dëmet që sipas saj i vijnë nga një lloj lufte klasash janë nga më të ndryshmet dhe jo vetëm i rrezikojnë falimentimin e punës së fermerit, por edhe banesën. “Nga devijimi i ujërave sa në një krah në tjetrin, në të dy anët e banesës, shtëpia ka marrë lagështi. Pemët e kopshtit më priten, ndërsa ato që kam mbjellë në një sipërfaqe afro 6 dynym, më thahen ngaqë më pritet uji për vaditje”, shprehet Viktorie Asllani, e cila po përballet me sulmin e radhës. G. Ashimi