Shënohet incidenti i parë i fushatës elektorale në Shkodër. Paraditen e sotme dy aktivistë të Partisë Socialiste në Shkodër janë shoqëruar në komisariat, pasi janë ndaluar duke vendosur flamuj në zyrën elektorale në lagjen “Skënderbeg”. Të shoqëruarit janë Gjin Ndreu dhe Ardian Kiri, ndërkohë që policia nuk ka dhënë një version zyrtar. Paraprakisht është thënë se uniformat blu po ushtronin kontroll në këtë zonë të qytetit pasi kishte të dhëna se aty ndodheshin persona me precedentë kriminal.
Dy aktivistët janë ndaluar më parë nga policia pas pjesëmarrjes së tyre në demonstratën opozitare të 21 janarit 2011. Ndërkohë Tom Doshi, kandidat për deputet i Partisë Socialiste në qarkun e Shkodrës, ka pretenduar se ngjarja ka motive të qarta politike.
“Unë e di që ata kërkojnë të krijojnë incidente, po nuk kanë shanse të frikësojnë elektoratin e Partisë Socialiste, as nuk do të kenë shans të përdorin atë që ata kanë përdorur deri më sot. Sepse nëse vazhdojnë atëherë do e shohin, çdo polic dhe SHIK-as që ndërhyn kundër anëtarëve të PS dhe militantëve të saj”, ka thënë Doshi.
22 maj 2013 (gazeta-Shqip.com)